Shtojca për Kulturë

Istref Begolli, aktori që na trondiste me rolet e tij

Kolegët më të vjetër do ta kujtojnë si aktor të pazëvendësueshëm, si bashkëpunëtor dhe si njeri që ka çmuar punën, si njeri dhe artist që si synim ka pasur vlerat më të larta artistike dhe njerëzore. Gjeneratat e artistëve më të rinj do ta kujtojnë si artist që i ka frymëzuar dhe udhëzuar drejt botës së filmit dhe teatrit. Ata që kanë pasur fatin ta njohin, do ta kujtojnë si njeri të urtë, të pajisur me virtytet më të thella njerëzore

Njeriu i shndërruar në simbol të aktorit që i dha vulën e merituar teatrit dhe filmit kosovar, Njeriu, simbol i virtyteve të larta njerëzore: urtësisë, miqësisë dhe dinjitetit, në fundjanarin e 2003-s iku nga kjo botë... Iku për në amshim, Istref Begolli, doajeni i skenës shqipe, aktori i madh i filmave dhe personaliteti i fuqishëm njerëzor. Teatri dhe filmi kosovar: a kanë kuptim pa emrin e Istref Begollit?!! Ai ishte njeriu kryesor që për mbi 50 vjet me radhë, me potencialin e tij krijues prej aktori brilant, i krijoi teatrit dhe filmit kosovar emblemën origjinale, famën dhe kulmin e vet. Iku për në amshim, Istref Begolli. Me mjekër të bardhë dhe flokë të bardha, plot hijeshi... me sy të zi dhe vështrim të thellë, me buzëqeshje të rrallë, ecje madhështore, me timbër të qartë e kumbues, i heshtur, plot emocion, plot humor dhe plot dilema. Shumë dilema, jashtëzakonisht shumë.

“Nuk e dij, nuk e dij...!”, ishte refreni i tij i trishtë, për këtë kohë të trishtë... Kolegët më të vjetër do ta kujtojnë si aktor të pazëvendësueshëm, si bashkëpunëtor dhe si njeri që ka çmuar punën, si njeri dhe artist që si synim ka pasur vlerat më të larta artistike dhe njerëzore. Gjeneratat e artistëve më të rinj do ta kujtojnë si artist që i ka frymëzuar dhe udhëzuar drejt botës së filmit dhe teatrit. Ata që kanë pasur fatin ta njohin, do ta kujtojnë si njeri të urtë, të pajisur me virtytet më të thella njerëzore. Istref Begolli do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën si model i personalitetit njerëzor që nuk bën kompromis me të keqen, që udhëzon drejt virtytit, që respekton integritetin njerëzor të tjetrit, do të mbahet mend si mësues shpirtëror.

Istref Begolli do të mbahet në mend përjetësisht.

Rruga me tren

“Në teatrin e Prishtinës fillova në vitin dyzet e nëntë. Gjashtëmbëdhjetëvjeçar. U nisa me trenin e parë nga Peja për në Prishtinë. Bëja nga pesë orë udhë për t’u bërë aktor. E lash nënën vetëm. Ajo s’e ka dashur teatrin, nuk besonte se teatri është profesion. Nuk më fliste më, bile dy vjet të tëra nuk u takova me të”, kishte treguar Istref Begolli, në një nga bisedat e tija të rralla për shtyp. Me pak fjalë, por me shumë dramë brenda, shpalohet fillimi, koha kur jeta e Istref Begollit kishte marrë kah tjetër. Kjo rrugë, me gjithë sakrificat, do t’i sjellë atij famën dhe lavdinë e përjetshme, kurse teatrit dhe filmit kosovar aktorin e pazëvendësueshëm. 16-vjeçar, në teatrin që kishte vetëm një vit kur kishte filluar punë. Ai bashkë me të tjerët, si Shani Pallaska, Abdurrahman Shala, Muharrem Qena, Katarina Josipi, Meribane Shala, Hyrie Hana, Matej Serreqi, Gjon Oroshi-Kola, Shaban Domi etj., do të vënë themelet e teatrit kosovar. Dhe, jo gjatë, me shpejtësi marramendëse, ky teatër do të krijojë vulën e tij, do të krijojë identitetin e vet, do të sfidojë edhe shumë teatro të tjera anekënd ish-Jugosllavisë që kishin traditë shumë më të madhe... Ndër meritorët e këtij evoluimi cilësor është padyshim Istref Begolli, në biografinë e të cilit me kalimin e viteve do të radhiten role të mëdha, të autorëve të huaj, por edhe të atyre shqiptarë... Karl Fon Mori, në “Cubat” e Shilerit, Plaku i Parë në “Erveheja” të Ahmet Qirezit, Dyl Mehmeti në “Fosilet” të Azem Shkrelit, Prifti në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, Murtaja në “Shtetrrethimi” të Kamysë, Jago në “Othello” të Shekspirit, Magbethi në “Magbethi” të Shekspirit, Kabili në “Sfinga e gjallë” të Rexhep Qosjes, Isak Babeli në “Komfiteori” të S. Shnajderit, Agamemnoni në “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, Kadmos në “Bakhet” të Euripidit, Ahmet Nuredini në “Dervishi dhe vdekja” të Mesha Selimoviqit, Plaku në “Shpend Sokoli i Sokol Shpendit” të Ymer Shkrelit etj., janë vetëm disa nga personazhet e shumtë që ai i solli në skenë, duke ua dhënë gjuhën, lëvizjet e shpirtin...

“Unë jam njeri i emocionit. Dridhem para fillimit të shfaqjes. Të gjithë e njohin ‘tremën’ time famoze para daljes në skenë. Të gjithë thonë se ajo është kreative... E lashë rolin kryesor në teatrin e Splitit dikur. E lashë në gjysmë punën në përgatitjen e shfaqjes ‘Dielli perëndon’ të Gjilderonit. Nga ‘trema’ e lashë... S’mund të flija natën, djersitesha në gjumë, më mbytnin ëndrrat dhe ankthi, ndërsa më kishin siguruar kushte fantastike. Por, te ne askush nuk është bërë i pasur nga puna e artistit...”, kishte treguar për veten Istref Begolli (“Theatri”, nr 4. Bisedë me Selman Jusufin). Tremë dhe djersë, frikë dhe entuziazëm, luftë mes dilemave, shqetësime, pikëpyetje, hulumtime të gjithanshme. Të gjitha së bashku për të krijuar rolin që do të luante. Prandaj thuhet se me rolin e Isak Babelit në shfaqjen “Komfiteori” të S. Shnajderit ka tronditur publikun dhe kritikën me “qeshjen sardonike, demoniake, me fytyrën që ik prej vetvetes, që shkrihet në heshtje akulli...”, prandaj thuhet se shumica e roleve ku ka luajtur ai kanë pasur diçka thellësisht magjike, që të ka bërë për vete, që të ka rrëmbyer në atë vorbullën e pafund të botës fantastike të artit... Shkrimtari i njohur kroat, Mirosllav Krlezha, kur e kishte parë në ‘Cubat’ e Shilerit më 1960 në Shkup, ishte shprehur në superlativ.

Fotografitë në kthinën e pluhurosur

Më kishte parë në bufenë e teatrit me ca fotografi të shfaqjeve. “Ku, ku i more këto...”, më tha me ngut. “Po ja, lart... diku në një kthinë”, i them unë. “Hajde, hajde po shkojmë të shoh se ç’ka tjetër”, më thotë. “Po jo, se sot është vonë...”, ia kthej. "Nesër atëherë, me mëngjes... Në orën dhjetë e lëmë të shihemi këtu dhe shkojmë bashkë e i shohim... Mos harro të vish në orën dhjetë... Ti e di që unë...”. Nesër shihemi sërish, ngjitemi në kthinën sipër teatrit. E hapin derën e atij arkivi të mjerë që po ziente nga pluhuri. Baca Istref nuk flet, nuk flet para asaj që po shihte... Fotografitë e shfaqjeve, të hedhura pa kujdes në pluhur dhe të mbuluara nga rrjeta merimangash... Ai nuk flet... vetëm fillon t’i shpalosë fotografitë ngadalë, me përkushtim, me dhimbje e nostalgji bashkë... I prekte sikur ishin prej qelqi dhe do të thyheshin, apo më saktë, sikur po i nxirrte nga ndonjë sirtar i fildishtë... “Prit, mos, mos...”, bërtiti për herë të parë kur dikush që ishte me ne hodhi si pa kujdes një fotografi... Sërish heshtje. “Oh”, lëshoi një klithmë të lehtë, mezi të dallueshme, kur pa një fotografi të madhe të veten, nga shfaqja “Makbeth”... E mori, pastaj gjeti edhe të tjera... “Këto po i marr në shtëpi”, tha edhe pse e dinte se nuk do t’i merrte... Pastaj, sikur e kuptoi se nuk bënte mirë po t’i largonte nga teatri, foli sërish: “Mirë, të paktën po i çoj te ndonjë fotograf të më bëjë kopje të tyre...” Dolëm në korridor. E ndieja se është i tensionuar. “Pse nuk i rregullojnë, pse i lënë ashtu...?”, tha, dhe për një çast iku nga vetja, ngriti tonin... Një aktor që po mbante prova në sallën ngjitur hapi derën dhe pasi vështroi nga ne na tha: “Kemi prova”, tha dhe pastaj u fut sërish në sallë. “Na fal”, u ngut të thoshte Baca Istref. “Na fal, të lutem”. Zbresim sërish në bufenë poshtë. Shoh se sërish nuk është i qetë, por mendoj se e ka nga fotografitë.... “Sa keq më vjen që bërtita ashtu...”, thotë pastaj. “Nuk ka gjë, nuk...” përpiqem ta qetësoj... “Ti nuk e di se çka do të thotë kur dikush të bën zhurmë gjersa ti bën prova... Është tmerr... Nuk u desh të bërtasë ashtu... Ta haj dreqi”, vazhdonte të shfrynte mllef në vetveten.

Ora

Kohët e fundit, para se momenti i lig ta rrëmbente për ta shtrirë në letargjinë vdekjeprurëse, Istref Begolli bënte një itinerar të njëjtë... Vinte çdo ditë në teatër, ulej në ndonjërën nga tavolinat e shumta të bufesë. Ulej aty dhe hiqte orën nga dora...! Kështu, çdo ditë, të njëjtin ritual... Ç’gjest interesant, ç’domethënie kishte a thua!? Kishte frikë nga tik-takët e orës që mbase po i iknin në shpejtësi, kishte dëshirë ta ndalte orën, ta stoponte aty, të mos i ikte as një minutë...?! Apo, mbase edhe kërkonte të na bënte me dije neve që nuk po e kuptonim: ‘O njerëz, jeta ime po ikën, po kalon... ja ku jam, e pas pak mbase më nuk do të jem..!” Në skenën e Teatrit Kombëtar nuk u rikthye, ashtu siç prisnim të gjithë ne. Padyshim, ka pasur oferta, por ai nuk do t’i ketë pranuar... E si t’i pranonte, me ç`kushte, me ç’kërkesa!? Para kujt të luante?! Por, ai kurrë nuk i ankohej askujt, as për jetën e varfër që bënte... Ëndërronte ta luante mbretin Lir, por në të tjera kushte, në të tjera rrethana... “Habitem”, thoshte, “se si disa nga aktorët tanë nuk kanë frikë, prodhojnë role për çdo ditë... Unë, e kam shqetësim të kamotshëm të luaj Mbretin Lir të Shekspirit, megjithëqë jam në moshë të shtyrë, e ndiej se ende nuk jam i gatshëm. Besoj se duhet të mplakem edhe ca. Ndonjë aktor mund ta luajë Lirin në moshën 40-vjeçare, por a mund të luhet Liri në atë moshë... Janë disa role që shkojnë me moshë... Aktorit të ri që do të luante Lirin plak do t’i duhej të tëhuajësohej, të karikohej dhe kjo gjë e zbeh shumë rolin...”. Shikuesit tash vonë kanë pasur rastin ta shohin në filmin “Vjeshta e trëndafilave”, nën regji të Agim Sopit. Istref Begolli paraqitet vetëm në një skenë të vetme. Por kush nuk e mban mend atë skenë monumentale, por që e tillë bëhet vetëm nga prania e Istref Begollit. Një prift i lodhur... Nga frymëmarrja e ankthshme dhe e rrallë mund të kuptojmë se ai pas pak do të vdesë... Flokët e bardhë, koka e ulur, flet qetë, me një ankth të çuditshëm brenda vetes që të tronditë... Në filmin tjetër “Vallja e çmendur” të Isë Qosjes, Istref Begolli (në rolin e Kabilit) vizaton me mjeshtri portretin e njeriut-demon që bën luftë me të tjerët për të sendërtuar idealet e brezit të cilit i takon ai. Skena kulminante, ku Kabili kryen vrasjen dhe pastaj vritet edhe vetë nga tjetri, duket si një pikturë tragjike e historisë sonë, e ngulfatur nga gjaku i vëllavrasjes.

Image

Nga e majta: Faruk Begolli, Jeton Neziraj dhe Istref Begolli, para teatrit “Dodona”, në vitin 2002

Mbi 150 role në film dhe teatër

Krijimtaria e tërësishme e Istref Begollit numëron mbi 150 role në film dhe në teatër, shumica role kapitale. Istref Begolli ishte tepër modest në jetë. Kurrë nuk fliste për veten, madje edhe kur fliste minimizote sukseset, anashkalonte triumfet e shumta. Të kota ishin përpjekjet për të bërë ndonjë intervistë me të. Para disa kohësh dikush i kishte kërkuar të dhënat biografike për një leksikon të aktorëve shqiptarë, që po përgatitej për botim në Shqipëri. Në banesën e tij në Bregun e Diellit solli mbi tavolinë pjesë nga arkivi personal, që përbëhej nga shkrime të ndryshme, kritika për shfaqjet ku kishte interpretuar, informacione për festivalet e ndryshme ku ai kishte marrë pjesë, citate të ndryshme të të tjerëve për të, diplomat dhe medaljet e shumta... Shfletonte me ndjesi ato gazeta të zverdhura nga pushteti i kohës... Në njërën nga to, aktori i njohur Rade Sherbexhia, në një intervistë të tij, përmendte Istref Begollin si aktorin më të mirë të krejt hapësirës së ish-Jugosllavisë. Kritikë të tjerë të mëdhenj të teatrit të asaj kohe në ato gazeta e kishin cilësuar si një aktor të përmasave evropiane... “Kam luajtur mbi 150 role, në teatër dhe film... Janë dhjetëra shpërblime...”, tha dhe pastaj nisi e përmendi disa nga rolet më kapitale, disa nga emrat e shfaqjeve, të filmave artistikë e televizivë, emrat e festivaleve dhe titujt e shumë shpërblimeve... Por, jo gjatë: “Jo, mos e shkruaj që kam luajtur mbi 150 role, shkruaje ‘rreth 150 role’... Apo...?! Hë, ta shkruajmë ‘mbi’ apo ‘rreth’?... Janë padyshim mbi 150 role, por po më duket pak si...! Nuk e di, çka thua ti?... Hajt, shtype këtë pastaj e shohim nesër..”. Të nesërmen thotë i vendosur: “Do ta shkruajmë se kam luajtur mbi 100 role. Mendova mbrëmë dhe... Unë nuk kam dëshirë të... S’ka dert, po e shkruajmë ‘mbi 100 role’...”. Fillon t’i lexojë në letër ato që kishte thënë një ditë më përpara. “Po më duket që kemi përmendur shumë shfaqje dhe shumë personazhe... A ke laps aty...? Hajde po i heqim një pjesë, po i lëmë vetëm disa prej tyre...”. Dhe pastaj u bie laps shumë shfaqjeve... Nga mbi dhjetë shfaqje sa kishte përmendur mbesin vetëm katër apo pesë... “Eh, ja, kaq, mjaftojnë këto...” Vazhdon më tutje, me rolet në filma dhe së fundi, te shpërblimet. Në fund lë vetëm tri shpërblime... “Kaq, mjaftojnë këto...”. “Por pse, pse të paktën shpërblimet nuk po i le"?! “Nuk dua, mjaftojnë këto tri shpërblime... Hajt të lutem, sillma nesër në letër, bashkë me këto ndryshime...” Pas biografisë së shkurtër, ku ishte shkruar se Istref Begolli kishte luajtur mbi 100 role, ishin përmendur vetëm pak emra shfaqjesh e filmash, si dhe tri shpërblime...! Ia dhashë dhe u dakordua. “Ku e ke atë biografinë e parë?”, pyet... E nxjerr nga çanta e ia jap. “Po e shkyej ë... Mund t’i bjerë në dorë dikujt...”. Dhe mandej e gris në pjesë të imëta dhe e hedh në shportë... Si për ta ngacmuar i them se unë e kam të regjistruar në kompjuterin tim. “Por nuk do t’ia japësh askujt ë? Mos të lutem se ti e di që unë nuk i kam dëshirë këto gjëra... nuk është koha... nuk po e di... Por e bëjmë pastaj, komplete... Hajt se flasim... Ta shohim edhe për intervistën që ke kërkuar ta bëjmë... Por ka kohë, nuk po na ngut kush...”. As pas një viti, as pas dy vjetësh nuk kisha hequr dorë nga dëshira për të bërë një intervistë me të. Kur ndonjëherë fillonte të fliste për teatrin a për filmin, nxirrja diktafonin me dëshirë t’i kapja ato fjalë të tija të çmuara, por ai më nuk vazhdonte...! Njëherë, në një nga këto momente, kisha futur diktafonin nën tavolinë dhe kisha provuar që tinëz të kapja fjalët e tij. Por, çuditërisht, ai sikur ta kishte parandier këtë, i kishte dhënë bisedës kah tjetër... Diktafoni kishte shënuar vetëm fjalët: “Artisti kurrë nuk guxon të mbetet i kënaqur me punën e tij, gjithmonë duhet të insistojë të hulumtojë edhe shtresa të tjera më të thella të asaj që krijon, të gjurmojë...”.

Biografi e shkurtër

Lindi më 7. 5. 1933 në Pejë. Shkollën fillore dhe gjysmëmaturën e kreu në vendlindje. Prej moshës 16-vjeçare (1949) fillon të punojë si aktor i rregullt i Teatrit Popullor Krahinor (TPK), të asaj kohe, deri në vitin 1961. Prej vitit 1961 deri në vitin 1963 punon në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd. Pas tre vjetëve pune atje, kthehet përsëri në “TPK” të Kosovës (Tash Teatri Kombëtar), ku punon deri më 1968. Nga ky vit (1968) deri më 1971 punon si aktor i lirë. Më 1971 fillon të punojë përsëri në “TPK” gjer më 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij teatri.

Repertori i interpretimeve të tij përfshin një univers të tërë personazhesh nga dramaturgjia botërore dhe ajo kombëtare, rreth 150 role në teatër film e televizion....

Disa nga rolet kryesore në shfaqjet ku ka luajtur ai janë: Mihali në shfaqjen “Zhelanat” e Matej Borit, nën regji të Abdurrahman Shalës, Dhëndrri dhe Meriku në “Dasma” dhe “Hani në rrugën kryesore” të Çehovit, me regjisor Muharrem Qenën, Karl Fon Mori në “Cubat” e Shilerit, me regji të A. Shalës, Plaku i Parë në “Erveheja” e Ahmet Qirezit, me regji të Muharrem Qenës, Dyl Mehmeti në “Fosilet” e Azem Shkrelit, Paratovi në “Vajza pa pajë” e Ostrovskit, Prifti në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, në regji të Piro Manit, Murtaja në “Shtetrrethimi” e Kamysë, në regji të T. Durbeshiqit, Jago në “Othello” i Shekspirit, me regji të A. Shalës, Magbethi në “Magbethi” i Shekspirit, në regji të Zhorzh Paros, Kabili në “Sfinga e gjallë” e Rexhep Qosjes, me regji të L. Giorgievskit, Agamemnoni në “Ifigjenia në Aulidë” e Euripidit, në regji të Fadil Hysajt, Kadmos në “Bakhet” e Euripidit, në regji të Vllada Milçinit, Ahmet Nuredini në “Dervishi dhe vdekja” i Mesha Selimoviqit, me regjisor V. Milqini, Lojtari në “Bregu i pikëllimit” i Teki Dervishit, me regjisor V. Milçini, Plaku në “Shpend Sokoli i Sokol Shpendit” i Ymer Shkrelit, me regjisor Isë Qosjen e të tjera.

Ndër rolet më eminente të luajtur në më se 20 filma artistikë hyjnë padyshim: Pavle Shatev në filmin “Atentatorët e Selanikut" i Zhika Mitroviqit, Deliu në “Era dhe Lisi” i Besim Sahatçiut, Prifti në “Proka” i Isë Qosjes, Fatmir Gashi në “Përroi vërshues” i Besim Sahatçiut, Musa Sokoloviqi në “Jeta e punëtorit” i M. Mandiqit, Polici në “Si të vdiset” i M. Stamenkoviqit, Otos në “Sulmi i kuq” i Predrag Golluboviq, Trobërku në “Mali i Lelejit” i Zdravko Velimiroviqit e të tjerë.

Nga rolet në filmat televizivë duhet veçuar: Plaku në “Të ngujuarit” me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut, Kostë Kasapi në “Kulla”, sipas Anton Pashkut e në regji të Agim Sopit, Inspektori në “Dhembja krenare” të Ismail Ymerit, Kabili në “Vallja e çmendur” me skenar dhe regji të Isë Qosjes, Prifti në “Vjeshta e trëndafilave”, me skenar të Veli Karahodës e në regji të Agim Sopit e të tjerë.

Istref Begolli është fitues i shumë shpërblimeve, prej tyre duhet përmendur patjetër: Në takimet “Joakim Vujiq” të mbajtura në Titovo Uzhicë merr shpërblimin e parë për rolin e Dyl Mehmetit në shfaqjen “Fosilet”, dramë kjo e Azem Shkrelit. Më 1973, në Kosovë, merr Shpërblimin e Dhjetorit për veprimtari të frytshme në lëmin e teatrit dhe të filmit. Po më 1973, në takimet teatrore “Joakim Vujiq”, të mbajtura në Kragujevc, merr vendin e parë për rolin e Priftit në shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Më 1978, në festivalin e teatrove MES të Sarajevës merr shpërblimin “Kurora e artë e dafinës” për rolin e Kabilit në “Sfinga e gjallë”, dramë e Rexhep Qosjes. Më 1985 në Novi Sad merr shpërblimin e Steries për rolin e Babelit në shfaqjen “Konfiteor” e të tjerë.

Të tjerët pas vdekjes së tij...

Isa Qosja: Njeri që i kishte hije heshtja

Ka vdekë prijëtari. Ka vdekë aktori i madh. Akoma mendoj se ai është diku tjetër dhe nuk ka ikur përgjithmonë... Mjeshtri i dërrasave të skenës dhe mjeshtri i skenës në film, sikur na paralajmëroi kohë më parë se do të heshtte. Dhe heshtja e tij para sa muajve e gjer tani ishte tepër e rëndë. Një kohë i përjetova vështirë ato takime me heshtjen e tij në Spitalin e Prishtinës. Pastaj hyra në një konfuzion të paqartësive se kush jam unë, se kush do të jemi ne pa prijëtarin tonë. Më duket sikur tani e kemi humbur kokën dhe do të bredhim pa mbështetje për punën tonë në kulturë. Fuqia e Istrefit na bënte më të fuqishëm. Dëshira e tij e sinqertë për të bërë vepër ishte motiv për ne. Hapi i tij na bënte të ecnim më të sigurt rrugëve të vështira të krijimtarisë. Donim të takoheshim me të dhe të na shihnin të tjerët se bisedojmë me të sepse vetëm atëherë na dukej që jemi të veshur në një petk të vërtetë artistik. Sot më duket se jemi zhveshur nga ai petk dhe do të sillemi vërdallë pa mbështetjen e tij. Njeriu me timbër të ëmbël, por të fuqishëm, me lojë fjalësh të natyrshme, me figurë madhështore, me kulturë njerëzore dhe profesionale, ishte si çilimi kur rrinim me të. Gjeneratat e reja e gjetën këshilltarin dhe prijetarin e vërtetë në artin e skenës dhe artin e jetës së Istref Begollit. Njeriu që i kishte hije edhe heshtja, në heshtje shkoi. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Image

Skenë nga “Makbethi” inskenuar në vitet ‘70, në Teatrin Popullor të Prishtinës, tash Teatri Kombëtar i Kosovës, me aktorët: Melihate Ajeti, Istref Begolli, Xhevat Qorraj, Shani Pallaska, Xhevat Qena, Ahmet Spahiu, Dibran Tahiri dhe Agim Shala

Refet Abazi: Amaneti i Istref Begollit

“E thërras dëshmitar ngjyrën dhe pendën, errësirën e pasigurt të muzgut dhe natën që çdo gjë ajo ngjallë; Po thërras dëshmitarë hënën kur mbushet me agun kur zbardhon; Po thërras dëshmitar kohën, fillimin e mbarimin e gjithçkahit – se çdo njeri është përherë në humbje. Të gjallët nuk dinë gjë. Më mësoni të vdekur se si mund të vdiset pa frikë, ose të paktën pa tmerr. Sepse vdekja është e pakuptimtë sikurse edhe jeta.” Ishte ky amaneti i Ahmet Nurudinit që e shqiptoi Istref Begolli në fund të shfaqjes “Dervishi dhe vdekja”. Ishte shumë e qartë se në llahtarinë shpirtërore të Ahmet Nurudinit, Istrefi kishte depërtuar thellë. Ndaj dhe e gjithë kjo ngjasonte në kumt për njerëzinë. Më 31 janar, Istrefi na e dha edhe një kumt, ende më të llahtarshëm! E kishte lënë amanetin e tij; kur të vdesë ai, askush të mos i vijë në varrim, përveç familjes së ngushtë, e pasi të kryhej varrimi, atëherë të jepej lajmi se “KA VDEKUR ISTREFI”! Ndoshta për këtë e kishin këshilluar të vdekurit! Apo personazhet që i interpretoi me aq mjeshtëri! Do të kisha thënë se e detyruan të gjallët! Ata që e shpallën të “vdekur si aktor”, në kohën kur ai qe gjallë dhe plotë dëshirë për të punuar. Mirëpo në Kosovën e pasluftës, ashtu si në shumë sfera të shoqërisë edhe në art u çrregullua sistemi i vlerave të mirëfillta. E Istrefi në një çrregullim të tillë nuk funksiononte, ndërsa për të ruajtur higjienën shpirtërore (siç thoshte ai) vendosi të tërhiqet nga skena dhe gjithë kohën ta kalojë në bufenë e teatrit, pasi dukej qartë se ai askujt nuk i duhej. E kur në një skenë nuk të duhet një kolos si Istref Begolli, është shumë e qartë se çfarë “vlerash artistike” kultivohen në atë skenë! Istrefi me vdekjen u ballafaqua shumë shpesh nëpërmjet personazheve që i interpretoi dhe i njihte mirë, ndaj vendosi që përmes vdekjes së tij të dërgojë kumt të mirëfilltë, duke na e bërë të qartë se me vdekjen e tij të gjithë ne JEMI HUMBËS e jo ai. Gjashtë muaj ishte në komë, ashtu mendonim ne! Në fakt, ai gjatë kësaj kohe u tërhoq në vete dhe i luajti gjithë shfaqjet që i kishin mbetur pa luajtur! Por i luajti në vete dhe për vete, duke e privuar publikun nga përjetimi i kënaqësisë së artit të mirëfilltë. E bëri këtë duke shpresuar se ndoshta udhëheqësisë së teatrit do t’i kujtohet se teatri pa kolos të tillë nuk është asgjë tjetër veç “teatër panairi” nën tendën e të cilit lloj-lloj pseudovlera shiten si vlera të mirëfillta. Për këtë gjë, ai vuante shumë, pasi teatrin e donte shumë, por teatrin e mirëfilltë! E për shkak të kësaj jam i bindur se shpirti i tij gjatë kohë do të endet nëpër teatër duke pritur shfaqje të mirëfilltë. E atëherë shpirti i Istrefit të madh do të qetësohet, do të gjejë prehje. Nuk e vizitova varrin e tij në Prishtinë, pasi pas mbledhjeve komemorative ende nuk kisha se çka t’i them! I premtova se do ta vizitoj varrin e tij atëherë kur do të kem se çka t’i them, “diçka të mirë, a?”, ashtu siç thoshte ai, kur gëzohej për fillimin e ndonjë projekti të ri. Mua personalisht më 1997 më vdiq vëllai, më 2001 më vdiq babai! Me humbjen e tyre unë përjetova dy dimensionet më të tmerrshme të dhembjes dhe pikëllimit! Me vdekjen e Istrefit e njëjta gjë m’u përsëritë, edhe atë për të vetmin shkak se për mua Istrefi ishte edhe vëlla, edhe baba. Mundohem që gjithë këtë pikëllim ta përpunoj në mënyrë artistike, ashtu siç më këshillonte ai të bëj përherë, shpresoj se do t’ia dal me shfaqjen “Dervishi dhe vdekja” së cilën bashkë me regjisorin Vladimir Milçin do t’ia kushtojmë pikërisht Istrefit. Me këtë shfaqje në mënyrë artistike do t’ia vazhdojmë jetën Istrefit, pasi ai do ta luajë Harunin, vëllanë e Ahmet Nurudinit, vdekja e të cilit e shkakton gjithë tmerrin e Dervishit. Emri i Istrefit do shënohet në programin e shfaqjes, pasi ai do të luajë me të vërtetë, por do të luajë në mua! Kur e interpretoi ai Ahmet Nurudinin, nuk e kuptova se kush e luante tek ai vëllanë Harunin, por e ndjeva se edhe tek ai ishte dikush shumë i afërt. E ndjeva skëterrën që përjetoi me humbjen e tij. Kaq mund të bëj për ty BACA ISTREF, më fal nuk kam mundësi për më shumë. Ndoshta këshilli i Festivalit të dramës kombëtare në Gjilan mund të bëjë më shumë?! Po ata munden, nëse shpërblimin për aktor më të mirë e emërtojnë ÇMIMI ISTREF BEGOLLI, në mënyrë që secili bartës i këtij çmimi të ndihet krenar se bart emrin e një kolosi të skenës. Unë do të isha krenar, ashtu siç isha i privilegjuar ta njoh e ta kem mik këtë njeri të jashtëzakonshëm.

Ekrem Kryeziu: Istrefi ka kërkuar përkryerjen

Istref Begolli ka qenë një aktor i rrallë i skenës shqipe, aktor që është veçuar nga të tjerët jo vetëm me timbrin e tij zanor, me qëndrimin e tij karakteristik skenik, por mbi të gjitha, me qasjen ndaj rolit në të cilin ka punuar. Ai gjithmonë e ka synuar përkryerjen dhe kurrë nuk ka qenë i kënaqur me punën e vet. Kjo nuk do të thotë se nuk u është gëzuar duartrokitjeve, mirëpo, ai ka ditur shumë më tepër se çka i nevojitet karakterit të cilin ka qenë duke e punuar dhe dëshironte që të vërë pikë mbi atë rol, pasi ai të jetë kryer. Kjo e ka dëmtuar edhe fizikisht Istrefin, për arsye se i ka krijuar frustacione të atilla, dyshime në punë, të cilat ai njëmend i ka përballuar me një stoicizëm, që e karakterizonte Istrefin edhe si njeri, edhe si artist. Dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që Istrefi nuk ka aq role sa do të kishte pasur mundësi t’i ketë. Ai ishte një përzgjedhës i madh i roleve dhe jo rrallëherë u thoshte “jo” atyre që i ofronin role tek të cilat ai mendonte se nuk i ofrohej mundësi që ta shprehë atë “ylber” të talentit të tij. Ai ishte “armik” i madh i tekstit. Thoshte: “Unë nuk luaj vetëm me fjalën, unë luaj edhe me qëndrimin, me heshtjen, luaj edhe me gjestin dhe dëshiroj që kur ta them fjalën, ajo të jetë si diçka e skalitur me gurë. Kjo dëshirë e tij i krijonte tundime. Më kujtohet derisa e punonim filmin televiziv “Darka e Dreqit”, ku për herë të parë bëja prova me aktorë, si në teatër, insistonte që ndonjë fjalë të hiqet nga teksti i tij dhe unë pajtohesha, i bindur se unë si autor i tekstit e kam tepruar ndokund. Por kur kthehej ai në shtëpi, ndodhte që më thërriste në telefon dhe më thoshte se atë fjalë që e hoqëm në prova duhet ta kthejmë. Kjo flet për karakterin e tij të kërkimtarit. Puna për të ka qenë kënaqësi, sado që për ne të tjerët që punonim me të ka qenë vështirë t’i realizojmë të gjitha kërkesat e tija. Më kujtohet, gjatë xhirimeve dhe pas përfundimit të një kuadri, kur unë e zgjedhja si të mirë atë kuadër, ai gjithmonë e ka pasur kërkesën të kemi edhe dy a tre dubla të tjerë, siç thoshte ai “për të”. E unë, jo pse kisha nevojë për ata dubla, por ia bëja qejfin dhe i xhironim, i bindur se në këtë mënyrë e nderoja qasjen e tij krijuese dhe kjo selitje e “egos kërkuese” të Istrefit, filmit do t’i ndihmojë. Shkuarja e tij në mënyrë aksidentale është një humbje e madhe për kulturën tonë, e posaçërisht për kulturën tonë teatrore. Unë kam pasur nderin ta njoh dhe të punoj me Istrefin, ndoshta më shumë se të gjithë regjisorët e tjerë të filmit, por dhembja është më e madhe ngase do të doja që këtë privilegj, që kam pasur unë, ta kenë pasur një numër më i madh i regjisorëve dhe mbi të gjitha, i studentëve të aktrimit, të dramaturgjisë dhe të regjisë, ngase Istrefi ka pasur çka t’u thotë të gjithë këtyre.

Si njeri Istrefi ka qenë një fisnik i vërtetë, i heshtur, i durueshëm, ka qenë një njeri që e ka dashur jetën dhe çdo gjë jetësore atij i ka pasur hije. Për mua, ka qenë kënaqësi të kaloj kohën me Istrefin, edhe kur nuk kam punuar me të, ngase bëja humor me përpikërinë e tij, gjë që Istrefi kurrë nuk ma ka marrë për të keq. Ai nuk ka qenë një njeri që mendimet e veta ia imponon dikujt tjetër në mënyrë autoritare, pavarësisht se a ka pasur të drejtë. E, që ka qenë tekanjoz në kërkesat për të arritur përkryerjen, është e vërtetë, por të gjitha ato i ka bërë me një sharmë që i ka pasur hije vetëm atij. Istrefin e kam çmuar shumë dhe edhe më shumë e kam dashur.

Ky shkrim u shkrua dhe u botua për herë të parë para 20 vjetësh, në revistën “Lobi” në Maqedoni