Shtojca për Kulturë

“KOHA për kulturë” me numër special në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Shtojca e Kulturës e numrit të sotëm të KOHËS Ditore, vjen me numër special me rastin e 110-vjetorit Pavarësisë së Shqipërisë.

“Shqiponja me dy krena dhe dy krenat e shqiptarit”, i Rexhep Malokut është teksti në ballinën e Shtojcës.

“Flamuri është shenja sipërane që u ka mbijetuar shekujve të shqiptarëve nën pushtim. Por qenia shqiptare ka një raport të përhershëm me dymendësinë dhe e ka dëshmuar këtë edhe në 110 vjet shtet. Me dy mendje edhe për shenjat e unifikimit kombëtar. Edhe për çështje jetike për vendin kur cenohet nga brenda e nga jashtë nga Serbia. Edhe për vendime madhore që kërkohen nga aleatët perëndimorë. Edhe për rrugën më shpejt për integrimin në Bashkimin Evropian. Atje, ku politikanët thonë se do të bashkohet të gjitha shqiptarët e shteteve të rajonit, porse për bashkim kombëtar klasik flasin në fushata zgjedhore e në kohë përplasjesh për hesape të ngushta pushteti”, shkruan Maloku.

Shtojca po ashtu sjell edhe intervistën e gazetarit Shaban Maxharraj me shkrimtarin dhe politikanin, Ben Blushi. Përse, sipas tij, mbijetesa e Shqipërisë dhe e Kosovës është bashkimi? Blushi në intervistë ka folur për rrëfimin e tij nga Ukraina që e sjell edhe në Prishtinë, për letërsinë, gjuhën standarde, kosovocentristët që po e izolojnë Kosovën. Është përgjigjur në pyetjen se ku janë shqiptarët në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi”, thotë Blushi

Në këtë numër vjen edhe teksti historik, “Të shpallët e pamvarsisë” i tetorit të vitit 1912, shkruar nga Mustafa Merlika-Kruja (1887 - 1958), njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Një tjetër tekst është ai i gazetës “Sunday Star”, Washington DC, të 27 tetorit të vitit 1912, me titullin “’Monsieur’ Isa Boletini, heroi më i madh shqiptar”.

“Monsinjor Isa Boletini është i zemëruar. Ka konflikt të gjatë me osmanlinjtë dhe është i mërzitur për këtë. I ka pikë të dobët plaçkitjen, kalërimin dhe humorin. Për këtë quhet Monsinjor. Turqit për këtë shkak as nuk guxojnë t’i dalin përpara, të bëjnë shaka me të, apo ta thërrasin “Monsieur” (Monsinjor)”, shkruhet në këtë tekst.

Po për këtë numër është edhe teksti “Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, i dr. Nail Dragës i cili sjell një tablo historike për fatin e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare dhe për turrin e vazhdueshëm të malazezëve e të serbëve për gllabërim të tokave shqiptare.

“Ata nuk luftuan kundër Turqisë për të kaluar nën një okupim të ri. Shqiptarët luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt e tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nuk është shpallur për gjysmën e territoreve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territoret e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etno-gjeografike në Siujdhesën Ballkanike”, shkruan ai.

“Perëndimi me karikatura godet Evropën në ironinë me shqiptarët”, është teksti i gazetares Medina Pasoma që shpalos mënyrën se si paraqiteshin Shqipëria dhe shqiptarët në karikatura britanike e amerikane në shekujt XIX e XX dhe pikërisht në kohën kur donin të bënin shtet. Po për këtë këto karikatura flet edhe diplomati e gazetari Avni Spahiu në një bisedë të shkurtër.

“Meqë shqipja nuk ka zyrtarisht një normë drejtshqiptimore, pos disa rregullave fonetike që dalin nga rregullat e drejtshkrimit, po të nisë puna, të bëhen plotësimet e duhura, përvjetorët e tjerë mund t’i festojmë nëse fillojmë ta ofrojmë herët, shumë herët, te fëmijët tanë drejtshqiptimin e tingujve standardë, ata që i kemi, ama duhet t’i qartësojmë disa rregulla që veç të qarta nuk janë”, shkruan Vixhilent Kurti në tekstin “50 vjetët e shqiptarëve me një variant gjuhësor përfaqësues”.