Shtojca për Kulturë

Spahiu: Karikaturat e paraqesin shtetin shqiptar në embrion të rrezikuar

Diplomati e gazetari Avni Spahiu ka qenë njëri prej vizitorëve të ekspozitës “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës”, e hapur të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita në tërësi, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në SHBA, në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, ka thënë se shpalos moment interesant mbi historinë shqiptare.

karikatura informuese paraqesin gjendjen reale të shtetit shqiptar, sidomos në periudhën nga themelimi i tij më 1912 e deri më ardhjen e Princ Wiedit në Durrës në vitin 1914 dhe luftërat ballkanike në prag të Luftës së Parë Botërore”, ka thënë ai, teksa ka veçuar dy prej karikaturave. Ka thënë se në tërësi, ekspozita ilustron shtetin shqiptar në embrion të rrezikuar edhe para se të lindë.

KOHA: Si e vlerësoni ekspozitën “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës”?

Spahiu: Është një ide e shkëlqyer, organizuar nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër. Ekspozita prezanton për herë të parë një pjesë të karikaturave të marra nga shtypi periodik britanik dhe amerikan nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Është një rast unik që publiku shqiptar të ketë mundësi të shijojë disa nga karikaturat më të famshme që involvojnë shqiptarët dhe shtetin e tyre të ri dhe të sulmuar pamëshirshëm nga fqinjët e saj. Ajo sjell një ilustrim të historisë shqiptare (dhe ballkanike) të asaj periudhe. Fakti se kjo ekspozitë i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me rastin e Ditës së Bibliotekës paraqet një gjest që meriton mirënjohje.

KOHA: Po portretizimin e shqiptareve në gazetat dhe mediat e tjera të shtypura britanike e amerikane gjatë shekujve XIX e XX?

Spahiu: Këto karikatura informuese paraqesin gjendjen reale të shtetit shqiptar, sidomos në periudhën nga themelimi i tij më 1912 e deri më ardhjen e Princ Wiedit në Durrës në vitin 1914 dhe luftërat ballkanike në prag të Luftës së Parë Botërore. Këto dëshmojnë se në atë kohë, përkundër qëndrimit joparimor të politikave europiane, si dhe të Foreign Office-it, në raport me shqiptarët, shtypi britanik dhe ai amerikan ishin plotësisht në anën e shqiptarëve të viktimizuar, jo vetëm përmes karikaturave, por edhe shkrimeve të korrespondentëve të tyre që raportonin mbi krimet ndaj tyre nga trojet shqiptare dhe në rajon. Raportet gazetareske ishin ndërgjegjja e vetme europiane që protestonte për atë që ndodhte në Shqipëri dhe përreth saj, me intrigat, gënjeshtrat, sajesat dhe makinacionet që i servonin diplomacisë europiane fqinjët e saj, duke bërë garë se cili do të gllabëronte më shumë territore shqiptare para dhe pas formimit të shtetit të ri të brishtë shqiptar. Masakrat, vrasjet dhe forma të gjenocidit që po kryheshin kundër shqiptarëve u pasqyruan në mënyrë besnike, ndërkohë që karikaturistët më të njohur anglo-amerikanë të kohës paraqisnin me vizatimet e tyre me sarkazëm injorimin total të Evropës kundruall kësaj golgote.

KOHA: Në një vend citohet “ato shfaqin një Shqipëri të porsalindur…”. Cili është komenti juaj lidhur me këtë kontekst?

Spahiu: Pikërisht kjo është poenta kryesore mbi të cilën hartohen këto punime gazetareske: Shteti shqiptar në embrion i rrezikuar edhe para se të lindë. Një nga karikaturat paraqet përfaqësuesin e një fuqie të madhe europiane që këshillon “fëmijën” e tij grek: “Urdhëroni dhe ju, bëhuni pjesë e kësaj kërdie”. Në të vërtetë i tërë opusi është në këtë frymë.

KOHA: Cilën prej karikaturave do ta veçonit dhe për cilën arsye?

Spahiu: Janë dy: Njëra që paraqet ardhjen e Princ Wiedit në Durrës si regjent i Shqipërisë në vitin 1914, duke përshkruar mënyrën se si e shikonin Fuqitë e Mëdha shtetin shqiptar, të varfër, të leckosur, të pashpresë, siç prezantohet në zyrën e porsakrijuar për Princ Wiedin, dhe tjetra që shfaq një tablo ku shqiptarët janë duke qëruar hesapet me njëri-tjetrin dhe Princ Widi që iu thotë: “Më falni që po ju ndërpres, por unë jam kinse mbreti juaj”... Por i tërë opusi është një ilustrim, vërtet i veçantë i perceptimit të shqiptarëve nga Evropa në fillim të shekullit njëzet përmes artit të karikaturës dhe si e tillë ajo paraqet një moment interesant mbi historinë tonë.