Shtojca për Kulturë

Periferia e një veçantie njerëzore – viktimat që flasin

Descriptive Text

Shfaqja “The Handke Project: ose drejtësi për marrëzitë e Peterit” me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe me tekst të Jeton Nezirajt është mbase përgjigjja e artit që ngacmon e provokon pa përfunduar në patetizma provincialë. E përmbledhur si tërësi, është deri më tani plazmimi më i fuqishëm artistik nga Kosova që temën e mohimit të gjenocidit e mbush pikërisht me zërat e atyre që thuajse thirrën në një oqean ku s’i dëgjoi askush

Një prej trilleve të artit njerëzor është që ai di të bëjë jetë të pavarur. Diçka kësisoj është edhe tragjikomedia që u përftua me rastin e laureimit të shkrimtarit austriak Peter Handke, me nderin më të madh letrar – çmimin “Nobel” për letërsi. Akademikët suedezë e mbyllën këtë çështje vetëm me verdiktin që shkrimtari nderohej për “një vepër me ndikim me gjenialitet gjuhësor që ka qëmtuar periferinë dhe veçantinë e përvojës njerëzore”.

Duke qenë se juria e “Nobelit” u tregua e palëkundur në këtë vlerësim, ka qenë një sfidë nga Kosova që e nxjerr një Handke tjetër pikërisht nga “periferia dhe veçantia e përvojës njerëzore”. Shfaqja “The Handke Project: ose drejtësi për marrëzitë e Peterit” me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe me tekst të Jeton Nezirajt – e shfaqur të mërkurën dhe të premten mbrëma në teatrin “ODA” në kuadër të “Kosovo Theater Showcase” – është mbase përgjigjja e artit që ngacmon e provokon pa përfunduar në patetizma provincialë. Kur shkrimtari austriak kishte marrë “Nobelin”, në Prishtinë kishte pasur madje edhe një protestë groteske para Ambasadës së Suedisë – mbase shprehje e një naiviteti kolektiv që shoqëron tash e sa vjet ndarjen e “Nobelit” dhe moslaureimin e famshëm të Kadaresë, pra një personalizim i një çmimi letrar a thua se këtu paska inate e konspiracion. Shfaqja – me aktorët Arben Bajraktaraj, Ejla Bavćić, Adrian Morina, Klaus Martini, Verona Koxha dhe Anja Drljević – është një lojë me kërkesa të mëdha, por edhe me jehonë të madhe, me një orë e gjysmë performim në anglisht.

Shfaqja mbase mund të ketë fillimin paksa dëshpërues në kuptimin që imponon njëfarë interaktiviteti sugjestiv me publikun. Kjo e krijon, dashur e padashur, nocionin që kemi të bëjmë me një shfaqje që u jep zë vetëm atyre që fliten vulgarçe. Është kjo, në fakt, ajo behania e përhershme e krijimeve filmike ose teatrale që kanë elementin e parashikueshmërisë. Sidoqoftë, kjo nuk është as një e njëqindta e gjithsejtit të kësaj shfaqje shumështresore. Megjithatë, edhe te ky cen ka një arsyetim: shfaqja nuk i flet vetëm një audience vendore “që i di të gjitha”, por një audience perëndimore që nuk e ka haberin as sot e kësaj dite për tmerrin që përjetuan Bosnja dhe Kosova në fundshekullin njëzet.

Shfaqja mbizotërohet nga performanca impozante e Arben Bajraktarajt që kthehet pas 20 vjetëve në skenën e teatrit të Kosovës. Në lojën e gjatë e të ngjeshur me një ngjashmëri jo vetëm fizike me aktorin e njohur Joaquin Phoenix, Bajraktaraj arrin t’i përsosizojë dy zëra të brendshëm të Handkes, një dualizëm në mes të engjëllit dhe djallit.

Shpeshherë faktet, në rast se përdorën si të thata e si kronologji, mund të kthehen në vetabsorbuese duke e zhdukur kontekstin; pak a shumë si ai kurioziteti shkencor që lukthi mund ta kapërdijë edhe veten. Ajo që faktin e bën të gjallë e të përjetueshëm janë ndërfutjet e shpeshta në lojë të sa e sa momenteve surreale, delirante e shpërthyese. Një skenë veçanërisht domethënëse është kur të pesë aktorët bëjnë sikur notojnë në pishinë: kjo është një lojë tejet e goditur për të fshikulluar ironikisht përkushtimin fals të Handkes për vuajtjet njerëzore. Një tjetër anë që kontrastron shenjtërimin e Handkes në Serbi janë ndërfutjet e një kakofonie zërash të atyre që u vranë në plojën e Srebrenicës – rrëfimi i Nerminit të shkretë dhe babait të tij, Ramo Osmanoviq. Kësaj i kontribuon jo pak edhe kontrastimi me ndërgjegjen gati të dehumanizuar të Handkes, i cili bën një jetë bohemi duke u marrë me gjah diku në pyjet e Francës.

E përmbledhur si tërësi, shfaqja “The Handke Project...” është deri më tani plazmimi më i fuqishëm artistik nga Kosova që temën e mohimit të gjenocidit e mbush pikërisht me zërat e atyre që thuajse thirrën në një oqean ku s’i dëgjoi askush. Kështu, “Nermin eja” shndërrohet në një thirrje sa shqip, sa boshnjakisht aq edhe universalisht. Dhe thënë të drejtën, ky është “gjenialitet gjuhësor që qëmton periferinë dhe veçantinë e përvojës njerëzore”.