Shtojca për Kulturë

“Illyricvm” edhe në ilirishte hap kapitullin e vitit 37 para erës sonë

Illyricvm - Filmi

Filmi i parë në atë që “përkufizohet” si gjuhë ilire është shtjellim për botën emocionale të ligjeve e traditave ku gradualisht shpalosen elementet e jetesës, karakterit dhe gjuhës së ilirëve që përshtaten me pasardhësit e tyre. “Illyricvm”, nën regji të Simon Bogojeviq Narath, tashmë ka mbërritur edhe në Prishtinë, si një film historik që synon të zbërthejë një botë pak të njohur. Personifikon ilirët dhe kthehet pas dy mijë e kusur vjetësh

Është viti 37 para erës sonë. Liburn Volsus, që luhet nga aktori kroat Filip Krizan, merret nga një njësit romak për të ndihmuar në mbledhjen e taksave, që fillimisht duket si punë e lehtë. Takimet me fiset lokale shpejt çojnë në kthesa të papritura të ngjarjeve. Gjatë rrugëtimit hasin në pengesa të ndryshme. Netët i kalojnë nëpër fusha pranë zjarreve të ndezura dhe prapë, sa agon dita, dalin në ekspeditën e tyre. Grupit i bashkohet një “barbar” dhe aty fillojnë konfliktet për shkak të besëtytnive të asaj kohe.

Filmi i parë në atë që “përkufizohet” si gjuhë ilire është shtjellim për botën emocionale të ligjeve e traditave ku gradualisht shpalosen elementet e jetesës, karakterit dhe gjuhës së ilirëve që përshtaten me pasardhësit e tyre.

Kapituj të ndryshëm të filmit sjellin shikuesin në kapërcime të shpejta. Grupi i ushtarëve të pajisur me helmeta, parzmore e shtiza mësohen nga udhëheqësi i tyre se si duhen përdorur. Njoftohen edhe me rregulloren e ushtrisë. Secili që s’u përmbahet, dënohet me goditje në shpinë varësisht sa vlerësohet të jetë e rëndë shkelja. Një tjetër temë e trajtuar është edhe mënyra tradicionale e shërimit me magji. Ca ushtarë sëmuren dhe ata besojnë se po ndëshkohen pasi nuk kanë sakrifikuar kafshë për hir të perëndive. Rolin e shërueses e luan aktorja Rina Krasniqi. Ajo është pjesë e fisit “të ngjyrosur” që në film paraqiten si armiq të tyre dhe dy shëruese merren peng për t’i kuruar të sëmurët.

Filmi vjen si dëshmi se shumë nga besëtytnitë gjëllijnë edhe sot. Madje edhe lojërat përngjajnë në ato që luheshin në fëmijëri. Një tjetër faqe e filmit është edhe ai kur një fis shtiret kinse u ka ardhur ilirëve në ndihmë me ushqim e veshmbathje, mirëpo në fakt krejt çfarë bëjnë është helmimi nëpërmjet birrës që u shërbehet. Lufta primitive e bën edhe më emocionuese ngjarjen, ku triumfi u takon ilirëve përkundër hiles që u është bërë.

“Illyricvm” personifikon ilirët dhe kthehet pas dy mijë e kusur vjetësh, kur shumë principata ilire në atë kohë kanë qenë nën pushtimin ose sundimin romak. Filmi i metrazhit të gjatë, skenarin e të cilit e ka shkruar vetë regjisori, kroati Simon Bogojeviq Narath bashkë me Sasha Podgorelec, është bashkëprodhim midis Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës. Është xhiruar në hapësirat që dikur kanë qenë trojet ilire, në Dalmaci, Liburni, Dezidiat dhe Japod, për 40 ditë. Për shkak të së folurës së gjuhëve të shuara ilire dhe latine, ishte dashur përgatitja fillestare në të folur e në përdorimin e armëve.

Premiera botërore qe dhënë premierë në korrikun e këtij viti, në njërin prej festivaleve më të famshme, jo vetëm në rajon, në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë, për të vazhduar në gusht në edicionin e 28-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, në gusht.

“Illyricvm” tashmë ka mbërritur edhe në Prishtinë në prani të regjisorit kroat, aktorëve kosovarë e atij slloven, Robert Prebil. Prej së premtes mbrëma është në repertorin e “Cineplexx”. Pasditen e së premtes, pas shfaqjes për gazetarë, ekipi ka mbajtur edhe një konferencë për media.

Regjisori e skenaristi i filmit, Simon Bogojeviq Narath, e ka vlerësuar temën si të rëndësishme për kinematografinë për historinë antike të Ballkanit, përkatësisht ilirëve. Derisa projektin e ka vlerësuar si sfidues e përgjegjësi për të. Për aktorët kosovarë ka thënë se u ka besuar rolet dhe po atë besim e ka pranuar nëpërmjet performancës në film. Përzgjedhja e temës thotë të ketë qenë njohuria e paktë për kulturën e popullit ilir, derisa ka mjaftueshëm dëshmi për keltët e romakët.

“Është diçka që të vë në mendime dhe diskutime sesi duket e kaluara jonë antike. Doja të shihja sesi ilirianët flasin dhe çfarë kanë bërë, çfarë u pëlqejnë, si duken. Tema për ilirët nuk është shumë ekzistente në kinematografi dhe unë doja të shihja një film të tillë. Shpresoj që ky të mos jetë filmi i fundit për ilirët dhe të kaluarën tonë të hershme”, është shprehur regjisori Bogojeviq, duke thënë se filmi është vetëm një copëz nga rrëfimi për historinë e ilirëve.

Regjisori Bogojeviq i ka vlerësuar aktorët kosovarë për paraqitjet e tyre në film. Ndër të tjera, kasta përfshin aktorët Ylber Bardhi në rolin e Darmokus si një nga personazhet kryesore, Ilir Prapashticës si Bato, Labeat Bytyçin si Curtius, Dukagjin Podrimajn si Dazas e Ali Demin si Aplio. Kastën nga Kosova e përbëjnë edhe Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Isa Zenuni, Selman Lokaj dhe Gani Morina.

Image
Pas projeksionit për media të premten në “Cineplexx” në Prishtinë, regjisori Simon Bogojeviq Narath, aktori slloven Robert Prebil, bashkëproducenti Fatmir Spahiu dhe tre aktorët kosovarë, Ylber Bardhi, Dukagjin Podrimaj, Labeat Bytyçi, kanë shpalosur detaje nga projekti e prapaskena

Aktori Ylber Bardhi ka thënë se ka qenë tejet i vështirë interpretimi i gjuhës latine e ilire. Në shumë sekuenca ai luan edhe rolin e përkthyesit, duke interpretuar te tjetri gjuhën që nuk e kupton.

“Tekstin e kemi marrë rreth një vit para se të fillojnë xhirimet dhe normalisht se ka pasur profesorë të gjuhës latine dhe ilire që kemi qenë gjithë kohën në kontakt me ta. Ka qenë e vështirë, ndoshta pak më e vështirë ilirishtja sepse latinishten kemi pasur raste ta dëgjojmë si gjuhë. Ilirishtja ka qenë për ne një sfidë interesante, të cilën besoj se me punë kemi arritur ta mësojmë dhe të jetë ashtu siç ka qenë në skript”, ka thënë aktori Bardhi.

Në një sekuencë të shkurtër të filmit paraqitet edhe bashkëproducenti i filmit Fatmir Spahiu si Sextus Helvius Modestus. Spahiu ka treguar para mediave se ishte takuar me një producente kroate në një festival filmi në Trieste të Italisë, e cila kishte shfaqur interesim për të pasur një kastë të aktorëve edhe nga Kosova për të luajtur kryesisht ilirët.

“Vijmë në këtë projekt pasi këtij projekti i takojmë, kësaj storieje. E keni parë edhe gjuhën, kur e dëgjoni komplet frazën mund të tingëllojë si diçka shumë e çuditshme, që nuk përngjan me gjuhën e sotme shqipe, por kur i ndani fjalët një nga një, e kuptoni se etimologjia e tyre vjen në atë që e flasim sot. Fjalori fillestar që e kemi pasur nga regjisori dhe njëri nga linguistët më të njohur botëror, mund të themi se gati secila vjen te gjuha e sotme shqipe”, është shprehur Spahiu. Më tej ka thënë se filmi është korrekt për nga ana politike e historike dhe nuk ka diçka që trajton historinë ndryshe.

Aktori i ri Labeat Bytyçi ka vlerësuar se përkushtimi dhe dëshira për të marrë pjesë në film kanë qenë shumë më të mëdha sesa vështirësitë.

“Kemi kaluar shumë mirë pasi kemi filluar përgatitjet që herët. Unë jam aktor i ri, sa kam diplomuar dhe jam nisur për xhirime të filmit. Ka qenë eksperienca e parë e imja të ballafaqohem me këtë projekt. Dashuria ka qenë shumë më e madhe se lodhja dhe mandej jam konsultuar dhe me aktorët që kanë përvojë shumë më të madhe, gjithashtu edhe me regjisorin”, është shprehur Bytyçi.

Aktori tjetër Dukagjin Podrimaj është shprehur se filmat historikë i privojnë të gjithë aktorët dhe se është mundësi që vjen njëherë në jetë, për të luajtur njërin nga rolet.

“Për mua nuk ka pasur shumë dialog, por kur e kam lexuar si në raporte, si në ndërthurje të ngjarjes, përshtypja ime ka qenë që është një film historik, që mund të realizohet në një milion mënyra”, ka thënë Podrimaj.

Për aktorin slloven Robert Prebil xhirimet e filmit “Illyricvm” kanë qenë ditët më të mira të jetës së tij, përkundër se ka konsideruar se ato mund të jenë të bezdisshme nganjëherë.

Në “Cineplexx” ka treguar se nuk ka pasur më parë rastin të luajë në një film historik.

“Për mua ka qenë interesante, pasi kur e kam lexuar tekstin, kam parë disa lloje kuptimesh mes rolit tim dhe të Darmacus. Pastaj erdha në skenë dhe herën e parë që e takova e pashë si njeri të afërt. Ishte interesante sesi Simon na ka bërë të gjithëve bashkë. Te gjuha latine, gjëja më e rëndësishme ka qenë të kuptosh se çfarë të flet aktori ty, jo çfarë i flet ti atij. Kështu që kam mësuar ta dëgjoj atë sikur po dëgjoja gjuhën time”, ka treguar Prebil, aktor i njohur slloven.

Sheshxhirimet e filmit kanë zënë vend në Bosnjë, Kroaci dhe një pjesë të Italisë. Ai ka gjetur përkrahje nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Audivizuale e Kroacisë Qendra e Filmit e Sllovenisë, “Friuli-Venezia Giulia Regional Fund”, “Viba Film”, Ministria e Kulturës së Kantonit të Sarajevës, agjencia “Euroimages” si dhe nga Komuna e Prishtinës.