Shtojca për Kulturë

Teatri rrënon muret

Tradita më shumë se gjysmëshekullore është vetëm njëra shtyllë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Ferizaj. Historia e tij dëshmon vetvetiu edhe rezistencën e teatrit, misionin e tij. Edhe në kohë paqeje, teatri është aty për ta denoncuar të keqen. Me një tjetër qasje organizative dhe jo vetëm, edicioni i sivjetmë, i 52-ti e ka dëshmuar se teatri është kudo. Sivjet ka hyrë edhe në objekte të harruara e të braktisura. E ka bërë këtë duke thyer mure për të hapur kapituj të rinj, por pa e harruar traditën

Edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove të Ferizajt do të mbahet mend për daljen e madhe prej mureve të ndërtesës së teatrit “Adriana”. Megjithëse shfaqjet konkurruese e mysafire janë dhënë në objektin, shtëpi e festivalit për më shumë se gjysmëshekulli, organizatorët sivjet kanë organizuar punëtori, debate e performanca artistike në hapësira publike, në kuadër të asaj që e kanë quajtur “RetroTeatri”.

“Në aspektin e zhvillimit dinamik të këtij festivali, mendoj se duhet të jetë event i hapur për ide të reja, për njerëz të rinj, për gjenerata të reja, për shprehje të reja teatrore, dhe këtë vit kemi dashur ta bëjmë njëfarë lloj shpërthimi, njëfarë lloj krijimi të eventeve paralele që janë po aq të rëndësishme sa eventi kryesor”, ka thënë Besim Ugzmajli, drejtor artistik i teatrit “Adriana”.

Dhe, artistët kanë përdorur objekte të ndryshme, të lëna pas dore e faltore për të shprehur artistikisht revoltën me mungesën e dorës së shtetit. “Ne jemi përpjekur që nëpërmjet ‘RetroTeatrit’, si një kategori e veçantë e këtij edicioni, t’u kthehemi atyre objekteve dhe të themi se ato nuk kanë vdekur, porse kanë vdekur aktivitetet brenda atyre objekteve”, ka theksuar Ugzmajli.

Image
Në vendin ku janë rrënjët e qytetit të ndarë në dysh nga hekurudha, në Stacionin e Trenit, i është kënduar mallit për atdheun. “Agmineplois” me regji të Kreshnike Osmanit është punuar enkas për edicionin e 52-të të Festivalit (Foto: Etnik Nrecaj)

Kthimi në rrënjë

Dhe pikërisht në vendin ku janë rrënjët e qytetit të ndarë në dysh nga hekurudha, në Stacionin e Trenit, i është kënduar mallit për atdheun. “Agmineplois” me regji të Kreshnike Osmanit është punuar enkas për edicionin e 52-të të Festivalit. Ferizajasit kanë dëgjuar vargjet e Gjergj Fishtës dhe të Ali Podrimjes nën interpretimin e Njomza Tmavës dhe Arbër Krasniqit në ditën e tretë të Festivalit.

Në murin anësor të Stacionit të Trenit është murali i artistes ferizajase Pranvera Sulejmani. E bija e dëshmorit përshkruan eksodin e qindra mijëra shqiptarëve që me tren ishin dëbuar dhunshëm drejt Maqedonisë së Veriut në pranverën e vitit 1999.

“Vërtet jam i impresionuar prej kësaj frymës që ka sjellë ky edicion; njëfarë lloj shkëputjeje prej atij formatit klasik. Pra, ruajtje e formatit klasik, por shtesë e formateve të tjera, të cilat janë më të kollajshme dhe më interaktive me publikun, të cilat targetojnë një publik që heziton me ardhë në teatër”, ka thënë Jeton Neziraj, autor i dramës fituese të Festivalit, “The Handke Project”, nën regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja që denoncon mohuesin e krimeve të luftës ka marrë katër trofe: Çmimin për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë, çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë, të cilin e fitoi Arben Bajraktaraj dhe për kostumografinë më të mirë, që i takoi Blagoj Miçevskit. Edhe shpërblimet janë ndarë po jashtë ndërtesën. Aty, ku artistë ferizajas e të tjerë kanë kënduar përnatë në qiell të hapur.

“Pra, nëse ata kanë hezituar me ardhë te teatri, teatri ka gjetë lokacione dhe është ofruar tek publiku”, ka thënë Jeton Neziraj në ditën e katërt të Festivalit. “Edhe ka eksploruar hapësira të reja, por në të njëjtën kohë u ka dhënë mundësi edhe krijuesve të rinj me eksperimentu dhe me punu, sepse përtej konceptit të eksperimentit, këtu kanë nevojë për hapësira për punë”.

Image
Në mbrëmjen e katër tetorit, Festivali ka vazhduar aktivitetin me shfaqjen “Ora e vdekjes” të Ilir Bokshit, në hapësirën e kinemasë së hapur të qytetit. Publiku ka dëgjuar dëshmi burgjesh e gjykime të inskenuara për të kujtuar tmerret e shqiptarëve nën pushtimin serb (Foto: Etnik Nrecaj)

Shkolla e gjithkujt dhe e askujt

Në ditën e pestë, aktorët Dashuri Rexhepi, Bashkim Ramadani dhe Dora Xhemajli kanë interpretuar performancën e regjisorit Kaltërim Balaj, “Udha e shkronjave 1946”, në ndërtesën ku më 1941 do të hapej Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj me emrin Ismail Qemali, kurse më 1946 do të themelohej Gjimnazi i Ulët Shqiptar, që do të funksiononte deri më 1955. Shkolla që ndodhet matanë rrugës së teatrit “Adriana”, deri para disa vjetësh ishte shtëpi e filloristëve të “Jeronim de Radës” e herë si aneks i shkollës së mesme “Faik Konica”. Tani, në dorën e askujt e të gjithkujt.

“Është fascinuese që këtë edicion, Festivali i Teatrove del pak prej hapësirës së teatrit. Me këtë fakt po mundesh me vërejt se teatri tashmë po bëhet ngjarje, jo vetëm për faktin se e ka një shfaqje brenda teatrit, por po bahet ngjarje në qytet”, ka thënë regjisori Balaj në korridorin e shkollës, ku copëza tavani janë varur e nëpërmjet vrimave të dyshemesë shihen mbeturinat në bodrum. “Njerëzit po vijnë në një shkollë dhe po shohin se ka me u ba diçka. Njerëzit duke kaluar pyesin se në sa ora do të jetë performanca, dhe si me thënë, ky festival po bëhet ngjarje te populli, te publiku dhe teatrin po e shpërndan”, ka shtuar ai para derës së klasës ku aktorja Xhemajli interpreton mësuesen e muzikës që për tabelë mësimi ka murin e përlyer e për instrumente copëzat të varura tavani.

Aktori Dashuri Rexhepi pasi ka ndezur qirinjtë në një tjetër klasë, ka thënë se “kjo shkollë, veç shkollë s’është”.

“Jo që si objekt nuk duket si shkollë, po as mallin e shkollës nuk ta çon”, ka theksuar ai. Pastaj i ka fikur qirinjtë.

Shkolla, në letër, është nën mbrojtje institucionale. Në terren nuk ka kush ta mbrojë. Megjithatë, Bashkim Ramadani, Rexhepi e Xhemajli kanë prerë shiritin e përurimit në fillim të performancës – duke përdorur qëllimshëm një shirit aparati fotografik për t’ua kujtuar të pranishmëve vlerën që ka mbamendja e konservimi i trashëgimisë kulturore. Ndërkohë, derisa Ramadani performon në tarracën e pullazit, zëri i përzihet me krrokatjet e sorrave.

Image
Në ditën e pestë, aktorët Dashuri Rexhepi, Bashkim Ramadani dhe Dora Xhemajli kanë interpretuar performancën e regjisorit Kaltërim Balaj, “Udha e shkronjave 1946”, në ndërtesën ku më 1941 do të hapej Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj me emrin Ismail Qemali, kurse më 1946 do të themelohej Gjimnazi i Ulët Shqiptar, që do të funksiononte deri më 1955 (Foto: Etnik Nrecaj)

Teatri i luftës

Por me cakërrimin e tekeve me raki ka nisur performanca e “RetroTeatrit” në ditën e fundit në oborrin e kishës “Engjëlli i Rojës” në anën tjetër të qytetit të hekurudhës. Për nja 25 minuta, “Premartyris” me regji të Kushtrim Mehmetit përmbledh rezistencën e shqiptarëve katolikë të Karadakut, që pushtuesit osmanë do t’i dëbonin dhunshëm deri në Perandorinë Osmane pse refuzuan konvertimin në islam. Ndryshe nga shfaqja “Qëndresa” e Ismail Ramës së ndjerë, që kishte 52 aktorë, të premten performuan vetëm pesë sosh sa për të kujtuar kohën kur në kishë mbaheshin prova e jepeshin premiera teatrale. Hoxha në kishë mundohet t’ua mbushë mendjen shqiptarëve katolikë për të mirat e kësaj bote dhe ahiretit për myslimanët. Thirret edhe ezani.

“Arti dihet që thyen mure, arti rrënon tema tabu, tema të ndryshme që nuk guxojmë as t’i diskutojmë, arti krijon standarde të reja në jetë, hap horizonte të reja të të menduarit në jetë”, ka thënë Arben Marevci, që gjithashtu ishte pjesë e trupës që kishte luajtur më 1995 në shfaqjen e dhënë në tempullin fetar.

“Në mënyrë fiktive duket ndoshta sikur ka dalë nga muret e teatrit ‘Adriana’, mirëpo megjithatë festivali mbetet këtu”, ka theksuar Nexhat Xhokli, pjesë e “Qëndresës” dhe “Premartyris”. Edhe ai ishte pjesë e dy shfaqjeve në kishë.

Në mbrëmjen e katër tetorit, Festivali ka vazhduar aktivitetin me shfaqjen “Ora e vdekjes” të Ilir Bokshit, në hapësirën e kinemasë së hapur të qytetit. Publiku ka dëgjuar dëshmi burgjesh e gjykime të inskenuara për të kujtuar tmerret e shqiptarëve nën pushtimin serb.

Image
Me shfaqjen “Memorandumi” të teatrit “Adriana”, organizatorët sikur qëllimshëm bënë një lidhje të telasheve të qeverisjes së korruptuar – nën pushtim a në demokraci (Foto: Etnik Nrecaj)

Xhokli thotë se “RetroTeatri” kishte për qëllim të kujtonte kohën kur aktorët kishin punuar në tavane shtëpish. “Premierat i kemi dhënë nëpër vende që sot nuk mund të imagjinohen si të tilla”, ka shtuar ai. “Pastaj ne kemi dhënë premierë edhe në Preshevë. Shfaqjet janë përgatitur nëpër çatitë e shtëpive të banorëve të Ferizajt dhe premierën jemi detyruar ta jepnim në Preshevë, se ata ishin të vetmit që na i hapën dyert atëherë”.

Dhe me një përmbledhje për teatrin në kohë lufte është hapur Festivali i sivjetmë i Teatrove në natën e 1 tetorit – që rastisi me ditën kur pa ndonjë aktivitet të spikatur u shënua 25-vjetori i demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët po kërkonin kthimin e objekteve universitare.

Moderatorët Fehmi Ferati dhe Verona Koxha ua kanë kujtuar shikuesve fuqinë e teatrit në kohë lufte. Edhe paqeje.

“17 mars 1992: Në Sarajevë u themelua Teatri i luftës. Rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe dhe pastaj lufta e tmerrshme nuk kishin mundur të ndalnin Dobravko Bibanoviqin, Gladimir Gojerin e shumë artistë të tjerë skenikë që të themelonin teatrin që funksionoi gjatë 4 vjetëve të luftës në Bosnje, pra ata themeluan Teatrin e Luftës në Sarajevë. Ky teatër edhe sot e kësaj dite funksionon”, ka lexuar Koxha

“22 mars 1999: Teatri ‘Dodona’ kishte mbetur ndër pak hapësirat ku zhvillohej jeta teatrore në Kosovë. Aty përvidhej disi e qeshura e ngulfatur e artistëve shqiptarë të Kosovës e bëhej teatër në gjendje të jashtëzakonshme. Natën e 22 marsit 1999, nga forcat serbe vritet një yll në ngritje i teatrit Dodona, një aktore e jashtëzakonshme, një shpirt i lirë që nuk ia kishte frikën asgjëje, vritet aktorja Adriana Abdullahu. Ky teatër ku jemi sot mban dhe do ta mbajë me krenari këtë emër. Teatri ‘Adriana’”, ka vazhduar Ferati

“17 maj 2020: Në mëngjesin e hershëm të një të diele të zakonshme, gjithçka u bë e pazakontë në qytetin e Tiranës. Në një akt vandal të paprecedentë të Qeverisë shqiptare, u rrënua Teatri Kombëtar për të mos u ndërtuar sot e asaj dite. Bashkë me Teatrin u rrënua kujtesa e shumë artistëve emblematikë shqiptarë, e bashkë me rrënimin u përdhosën shumë artistë që protestonin kundër rrënimit të këtij teatri”, lexon Koxha.

“Mars 2022: Pasi ishin zhvendosur shumë refugjatë në periferi të Mariupolit në Ukrainë, rreth 1000 prej tyre ishin vendosur në një teatër. Pas pak kohe, ata shkruan me shkronja të mëdha në oborrin e teatrit fjalën ‘FËMIJË’ në rusisht, në mënyrë që ky shkrim të shihej nga lartësia me idenë se kjo fjalë magjike do të ndalonte një sulm të mundshëm mbi këtë teatër. Nuk shkoi shumë kohë dhe ky objekt u sulmua me raketë ruse dhe aty vdiqën 600 persona, prej tyre shumica gra e fëmijë”, shton Ferati në hyrje të edicionit të 52-të, duke i paralajmëruar shikuesit që në natën e parë se tmerret e luftës do të kujtohen jashtë e brenda mureve të ndërtesës që mban emrin e Adrianës, që ëndërronte të luante në të.

Image
Edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove të Ferizajt do të mbahet mend për daljen e madhe prej mureve të ndërtesës së teatrit “Adriana” (Foto: Etnik Nrecaj)

Tradita e Festivalit

Me shfaqjen “Memorandumi” të teatrit “Adriana”, organizatorët sikur qëllimshëm bënë një lidhje të telasheve të qeverisjes së korruptuar – nën pushtim a në demokraci. Festivali u hap me këtë shfaqje nënë regji të Agon Myftarit, duke parodizuar burokracinë. Bazuar në dramën e Václav Havelit, president i Çekisë në kohën e bombardimeve të NATO-s më 1999, shfaqja bën bashkë aktorët e rinj dhe ata që janë rritur bashkë me festivalin ferizajas. Bin Sulejmani u shpall “Aktori më i mirë në rolin dytësor”.

“Është e ardhmja e teatrit tonë”, thotë Arben Marevci, aktori që lidh brezin e ri me veteranët e teatrit ferizajas. Ai i kthehet dekadës së fundit të shekullit të kaluar – më sfidueses për krejt kulturën e shqiptarëve të Kosovës.

“Gjendeshin gjithmonë disa rrugë për me funksionu, një objekt uzurponin, një tjetër na lejonin me ba aktivitete. Ato shfaqje kanë qenë kryesisht rinore, dedikuar rinisë, dhe ne si aktorë të rinj... ka qenë një frymë e jashtëzakonshme”, thekson Marevci. “E kam potencuar edhe herëva tjera se koha e paraluftës ka qenë art, një lloj arti patriotik me quajt kushtimisht, sepse edhe nëse një recital është lexu diku, ose një lule, a pranverës i është recitu, është quajtur patriotike se kemi menduar se po e luftojmë armikun”.

Xhokli tregon se për shkak të represionit serb, tri edicione të Festivalit ishin zhvendosur në Prizren, “Dodonë” dhe në Preshevë. “Megjithatë, është mbajtur dhe kjo është madhështia dhe bukuria e gjithë kësaj”, thekson ai. “Është mbajtur Festivali. Jemi përpjekur me sa kemi mundur, kemi dhënë gjithçka nga vetja për të ruajtur këtë institucion, më të madhin teatror, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon besa. Edhe më të moçmin, natyrisht”.