Shtojca për Kulturë

Piktura si fuqi shprese e triumfi

Arti të cilin e aplikon Lyudmila Makey e ka bazën në fshatin Petrykivka, në rajonin e Dnipropetrovskit të Ukrainës. Kjo traditë përfshin pikturimin e shtëpive dhe objekteve të tjera. Shembujt më të hershëm të njohur të këtij stili datojnë nga shekulli 18, por ai vazhdon të lulëzojë dhe zhvillohet edhe sot si një formë arti modern. Kjo formë e artit gazetares ukrainase i ndihmoi si alternativë për ta mundur stresin

Një ditë e Lyudmila Makey në Prishtinë fillon herët. Gazetarja nga Ukraina që po jeton në Kosovë që nga prilli i këtij viti përditë e eksploron kryeqytetin, ku thotë se ka gjetur mikpritjen dhe ngrohtësinë e njerëzve. Kjo ia ka mposhtur frikën që e kishte dhe besonte se do ta përcillte në një vend larg familjes e shoqërisë. Pas ditëve me plot aktivitete mbrëmjet i kalon në banesën e saj shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Kur mërzitet për vendlindjen e saj në Ukrainë, krejt çka mund të bëjë për t’i ndihmuar vetes është që të pikturojë. Thotë se ky pasion ia fal qetësinë dhe ndjenjën e shtëpisë së saj në Ukrainë, atje ku ka lënë gjurmët e saj të pikturimit në çdo kënd.

Me pikturimin nuk ishte marrë si fëmijë, pasi që kishte qenë në shkollë të muzikës, por këtë pasion e gjeti në kuadër të një programi që ndoqi tek në moshën 50-vjeçare. Kjo asaj ia kishte hapur një botë të pasur me ngjyra e emocione që shkrihen në letër. Në Ukrainë kishte hapur dy ekspozita. E në Kosovë pikturat e saj në letër i mban përherë me vete. Madje në kuadër të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ajo ka mbajtur edhe një trajnim në pikturim me gazetarët e tjerë. Arti të cilin e aplikon e ka bazën në fshatin Petrykivka, në rajonin e Dnipropetrovskit të Ukrainës. Kjo traditë përfshin pikturimin e shtëpive dhe objekteve të tjera. Shembujt më të hershëm të njohur të këtij stili datojnë nga shekulli 18, por ai vazhdon të lulëzojë dhe zhvillohet edhe sot si një formë arti modern. Kjo formë e artit gazetares ukrainase i ndihmoi si alternativë për ta mundur stresin.

“Unë nuk dija për miqtë e mi dhe atë që ndodhte në vendin tim. Çdo ditë Rusia bombardonte. Por, unë megjithatë kisha një hobi, i cili shërbente kundër stresit që është art tipik ukrainas nga Petrykivka. Ka lindur qindra vjet më parë në një fshat ukrainas. Janë piktura nga gra ukrainase të cilat nuk kishin brusha dhe mjete për pikturim, por i ndienin emocionet e forta nga lulet, zogjtë dhe i pikturonin ato”, ka treguar Makey për KOHËN. Ajo në letër po vendos gjurmët e fshatit Petrykiva që lulëzon nga arti. Në Kosovë ka sjellë simbolet që përçojnë energjinë e mirë dhe kur flet për këtë art është gati për të shpjeguar punën e saj. Me vete ka edhe një brushë me qime maceje dhe këtë e lidh me historikun e kësaj tradite të pikturimit, ku, sipas Makey, gratë para disa vjetësh nuk kishin mjete të pikturimit dhe brusha profesionale, por në shtëpi kishin mace. Kështu nga qimet e saj krijonin brusha që ishin shumë të buta dhe kushtëzonin një pikturim më delikat.

“Në artin ukrainas të Petrykivkas çdo detaj është një simbol i ndriçimit, një simbol i dashurisë, i lumturisë dhe i shpresës. Për shembull, kur në një familje ukrainase lind një djalë, ata pikturojnë lule me ngjyrë të kaltër, që është simbol i shpresës së fuqishme. Kur lind një vajzë, gratë pikturojnë manaferrat e kuqe”, rrëfen ajo. Në vitin 2012, Ministria e Kulturës e Ukrainës e njohu stilin e pikturimit “Petrykivka” si pjesë të trashëgimisë kulturore jomateriale të Ukrainës dhe ajo u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si trashëgimi jomateriale në vitin 2013.

Ngjyra e verdhë është ngjyra që e lidh çdoherë me vendlindjen e saj. Ajo shprehet se në artin tradicional të Petrykivkas janë të pranishëm shumë zogj, pasi që gjuha ukrainase është si një këngë e këtyre zogjve.

Image
Ngjyra e verdhë është ngjyra që e lidh çdoherë me vendlindjen e saj. Ajo shprehet se në artin tradicional të Petrykivkas janë të pranishëm shumë zogj, pasi që gjuha ukrainase është si një këngë e këtyre zogjve

Me pikturimin e saj ndien fuqinë e triumfit dhe shpresës. Por, mes të gjitha simboleve që linden me vendin e saj në një prej pikturave e ka bërë të pranishëm edhe një simbol që lidhet me mbijetesën e luftës në Kosovë. Në një pikturë që shpreh trungun familjar në fund të saj bie në sy lulja anemonë – që është simbol për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë. “Andaj në pikturat e mia ka shumë zogj dhe më pëlqeu ngjyra e verdhë, pasi që është simbol i diellit, i lumturisë tonë dhe zogjtë e mi për këtë arsye janë të verdhë. Në Prishtinë kam qenë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në Kosovë dhe zonja Feride Rushiti ma ka dhuruar një brosh me këtë lule të verdhë. Është simbol i lirisë dhe lumturisë së grave. Më pëlqen ky simbol dhe e kam vendosur në trungun e jetës ku çdo lule tregon anëtarët e familjes”, shpjegon tutje Makey.

Image
Lyudmila Makey në letër po vendos gjurmët e fshatit Petrykiva që lulëzon nga arti

Në Prishtinë, Makey po i ndjek nga afër edhe aktivitetet kulturore. E gjithë kjo po e bën të qëndrojë larg ankthit të lajmeve jo të mira nga vendlindja. Në të njëjtën kohë shprehet edhe shumë e befasuar nga jeta e pasur kulturore në Prishtinë, veçmas nga niveli i organizimit të mbrëmjeve të muzikës klasike.

“Çdo mbrëmje në apartamentin tim i marr brushat dhe ngjyrat dhe filloj të pikturoj. Nuk është hobi im i vetëm në Prishtinë, ky vend i ka hapur për mua dyert e një kulture të pasur. Duke filluar nga muzika klasike, kam qenë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’, në Festivalin e Ramë Lahajt, në ‘Manifesta’, që është një bienale e madhe në Evropë. Kam pasur shumë takime me artistë kosovarë, po i përjetoj disa emocione shumë të forta këtu”, ka treguar ajo.

Këdo që e takon, në shenjë mirënjohjeje ia dhuron një pikturë nga ajo. Këtë e bën qoftë me zyrtarët e lartë apo me qytetarët e zakonshëm. Është më e pakta mirënjohje që mund të bëjë për vendin që ia lehtësoi brengën e luftës. Së fundmi ka punuar një zemër me ngjyrat e Ukrainës dhe lule që lulëzojnë në mes.

“Zemra ukrainase rreh në ritmin e dashurisë. Ne do të fitojmë!”, shkruhet në publikimin e kësaj fotografie nga ajo në “Facebook”. Në mbishkrim shkruhet se kjo dhuratë është nga Ukraina me dashuri. E Makey do t’ia dhurojë ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Një punim nga ky art ia ka dhuruar edhe kryeministrit Albin Kurti.

“Në Prishtinë kam bërë disa nga punimet e mia dhe ato ua kam dhuruar qytetarëve kosovarë. Veçmas disa njerëzve që vijnë dhe më thonë po të njohim dhe e dimë që jeni nga Ukraina. Kjo më jep emocione të fuqishme”, shprehet ajo. Mes punimeve ka edhe luledielli në formë të madhe. Kjo ia kujton më së shumti vendlindjen. “Luledielli është lulja ime e preferuar, në vendin ku jetoja kisha shumë lule të tilla. Kur më merr malli për Ukrainën, filloj të pikturoj pa ndalur”, ka treguar tutje ajo.

Lyudmila Makey po qëndron në Prishtinë, ku po e ushtron profesionin e saj në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”. Nëpërmjet zhvillimit të artit dhe miqësisë me kosovarët, ajo po ua shton pozitivitetin ditëve të saj larg vendlindjes.