Shtojca për Kulturë

Botim me vlerë për veshjen kombëtare të Krajës

Descriptive Text

“Veshja e nusënisë krajane” nga Hamid Alaj, botoi “Art Club”, Ulqin, 2021, paraqet një kontribut të veçantë për veshjen popullore të Krajës, jo vetëm në nivel lokal, por edhe atë mbarëkombëtar. Si i tillë, ky botim do të jetë referencë e nevojshme për studiuesit e ndryshëm të cilët do ta trajtojnë veshjen popullore të krahinës së Krajës

Në hapësirën etnogjeografike shqiptare të rralla janë ata krahina etnografike sikurse është ajo e Krajës, e cila dallohet me veçoritë e saj etnokulturore. Kemi të bëjmë kryesisht me kulturën materiale, përkatësisht veshjet popullore të grave të njohura si shestanesha dhe ajo krajane, që janë autentike duke qenë pjesë e thesarit të veshjeve kombëtare shqiptare.

Në lidhje me këtë çështje ia vlen të cekim një thënie të Faik Konicës i cili ka thënë së ”ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina”, që dëshmon për mozaikun e veshjeve kombëtare shqiptare me shumë se sa te asnjë popull tjetër në Evropën Juglindore dhe më gjerë. Në gamën e tyre veshjeve bën pjesë edhe veshja krajane, apo e nusërisë krajane siç e ka definuar Hamid Alaj në librin e tij, që paraqet një kontribut me vlerë për etnografinë shqiptare.

Pas rënies së socializmit si rend shoqëror dhe komunizmit si ideologji, në lidhje me krahinën etnografike të Krajës u krijuan mundësi për të organizuar takime të ndryshme shkencore, kulturore e shoqërore. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve shoqërore ku autorë të ndryshëm si çështje preokupimi kanë pasur të kaluarën e krahinës së Krajës nga kohërat me të hershme e deri në ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse në kohën e monizmit, çdo gjë kishte qasjen ideologjike, ndërsa trajtimi i çështjeve të identitetit kombëtar shqiptar ishte e ndaluar dhe me pasoja.

Por, në rrethana të reja shoqërore një numër i konsideruar autorësh vendas janë paraqitur me botime të ndryshme me qasje shumëdimensionale, duke prezantuar çështje të panjohura të cilat janë mirëpritur nga opinioni i gjerë.

Në këtë gamë të autorëve bën pjesë edhe Hamid Alaj, i cili kohë më parë opinionit i paraqitet me botimin më të ri “Veshja e nusënisë krajane”.

Veshjet tradicionale përkatësisht popullore dëshmojnë identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, po ashtu përfaqësojnë edhe një krahinë apo një zonë të vogël , duke qenë të ndryshme me tërë përmbajtjen e tyre. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht në sajë të rrethanave shoqërore në mjedisin përkatës, në varësi të kushteve ekonomike dhe shoqërore.

Duke lexuar këtë libër del qartë se “veshja e nusënisë krajane” dallohet me tiparet e saj të veçanta, të cilat nuk i hasim te veshjet e tjera të krahinave etnografike shqiptare, që ka tërhequr kureshtjen edhe të udhëtarët e rastit kur kanë vizituar këtë krahinë, apo në takime të ndryshme të rastit. Ajo është treguesi autentik i krahinës së Krajës, duke mbetur simbol i identitetit kombëtar deri në ditët tona. Veshja krajane nga tipologjia është e këmishës së gjatë ku dominuese janë ngjyra e bardhë dhe e kuqe.

Përbërja dekorative, forma, ngjyrat dhe elementet e tjera te kësaj veshjeje, përmes talentit dhe mjeshtërisë së punuar nga dora e vashave krajane, shprehin dhe krijojnë ndjenjat shpirtërore të popullit tonë. Të gjitha këto elemente përbërëse shërbejnë për të shqyrtuar në detaje përbërjen e kësaj veshjeje.

Krahina etnografike e Krajës ruan tradita të pasura të kulturës popullore, si në fushën e folklorit po ashtu edhe në atë të veshjes, të cilat janë ruajtur me fanatizëm duke dëshmuar respektin e trashëguar nga të parët deri në ditët tona.

Botimi i një libri paraqet moment të veçantë për autorin, por kur nga tema dhe përmbajta të cilën e trajton i tejkalon ata përmasa atëherë ka vlerë të veçantë për popullsinë e mjedisit përkatës. Kemi të bëjmë me identitetin etnokulturor të krahinës së Krajës, përmes veshjes popullore e cila është e veçantë në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Autori në detaje trajton origjinën e veshjes popullore, duke vazhduar me materialin e veshjes, strukturën artistike të veshjes, motivet dhe vizatimet dekorative, mjeshtëritë popullore, veglat e punës në përgatitjen e veshjes, endja dhe prerja e pëlhurës dhe e elementeve të tjera të veshjes, stolitë dekorative, ngjyrat, qëndisjet, qepja e disa elementeve të veshjes , duke përfunduar me renditjen e elementeve të veshjes të nuses krajane.

Autori ka qenë i vetëdijshëm se përgatitja e një libri të tillë nuk ka qenë punë e lehtë, sepse në këtë aspekt krahina e Krajës ka qenë pak e hulumtuar. Por, në sajë të angazhimit dhe pasionit për vendlindjen e sidomos për veshjen popullore të nusënisë krajane, ai ia ka arritur qëllimit duke i dhuruar opinionit një botim me interes sa kulturor dhe shkencor.

Nuk ka dilemë se libri do të lexohet me kureshtje jo vetëm nga krajanet në vendlindje, por edhe nga ata të cilët janë vendosur në mjedise të tjera e sidomos ata në diasporë, sepse ata kanë bartur me vete edhe veshjen popullore krajane e cila është si pasaportë e identitetit kombëtar shqiptar.

Nuk ka dilemë se në ruajtjen e kësaj veshjeje, meritë të veçantë kanë familjet krajane të cilat e kanë trashëguar brez pas brezi, që si e tillë vjen deri në ditët tona. Kjo veshje është bërë traditë të prezantohet në ceremoninë e dasmës por edhe në raste të tjera familjare apo shoqërore.

Veshja e nuseve krajane për nga forma dhe përmbajtja mbetet unike në mozaikun e veshjeve popullore shqiptare. Si e tillë ajo dëshmon së është autentike dhe vlerë e padiskutueshme e identitetit kombëtar shqiptar. Ajo së bashku me veshjen e xhubletës, shestaneshës dhe të anamaleshës mbesin emblematike në veriperëndim të hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Botimi në fjalë paraqet një kontribut të veçantë për veshjen popullore të Krajës, jo vetëm në nivel lokal por edhe atë mbarëkombëtar. Si i tillë, ky botim do të jetë referencë e nevojshme për studiuesit e ndryshëm të cilët do të trajtojnë veshjen popullore të krahinës së Krajës.

Përfundimisht, autori ka kryer një obligim moral ndaj vendlindjes duke dëshmuar se ndonëse fizikisht ka tri dekada qe ka emigruar nga ajo, ai atë e ka bartur me vete, që dëshmohet përmes këtij botimi që është një dhuratë për të gjitha krajanet në vend dhe në mjediset e tjera ku jetojnë e punojnë.

Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ostros-Krajë, më 2 gusht 2022