Struktura e pakonsoliduar e identitetit letrar shqiptar

Hyrje
Për shkak se do të jetë nën trysninë e vazhdueshme të tipit të momentit të universalitetit, i cili e përjashton momentin e veçantisë dhe singularitetit, si momente që e krijojnë unitetin unik të qenies së identitetit, qenia e identitetit letrar shqiptar do të jetë e munguar nga ligji i kontradiktës së brendshme, si kusht i ndryshimit organik dhe i zhvillimit të së tërës. Mungesën e ligjit të kontradiktës së brendshme letërsia shqipe do ta plotësojë me ligjin, siç e quan Hegeli, “të boshllëkut”
Hyrje
Përmes letërsisë dhe në letërsi, manifestohet nevoja thelbësore e universit të njeriut për t’i tejkaluar kushtet e dhëna të gjendjes së papërkryer njerëzore në një gjendje më të përsosur. Mendja letrare është një nga aftësitë e të kuptuarit, e cila, përmes ndërlidhjes së percepteve (objekteve të perceptimit) të kundërthënshme në një tërësi unike funksionale pamore, arrin të zotërojë atë që është e pakushtëzueshme dhe e pakufishme, prandaj, edhe e pazotërueshme prej logjikës dhe mendjes shkencore. Pa përfytyrimin e Ajnshtajnit adoleshent për udhëtimin e tij mbi një rreze drite – e kjo do të thotë pa fuqinë e mendjes letrare – të ngritur në shkallën e një vullneti titanik për njohjen e “parimit të mendjes së Zotit” në fazën e pjekurisë së tij, nuk do të rezultonte teoria speciale e relativitetit, e cila do ta kontestojë teorinë e lëvizjes njëdrejtimëshe të dritës, e me këtë edhe teorinë e lëvizjes njëdrejtimëshe të trupave të tjerë në univers.
Refleksioni aksiologjizues i identitetit letrar është shkalla më e lartë e veprimtarisë mendore për përcaktimin e potencialitetit krijues të mendjes letrare. Reflektimi për identitetin letrar nuk ka të bëjë me çështjen e ekzistencës së qenieve të veçanta të perceptuara në drejtpërdrejtshmërinë e tyre ndjenjore (me temat, personazhet, motivet, aspekte formale të veprës etj.), pra me fenomene të pjesshme, por me çështjen e relacioneve të tyre, si të vërteta imediate, të pandërmjetësuara, aq sa kalimtare, aq të pandryshueshme, në procesin e formimit të së tërës unike letrare.
Problematizimi i identitetit letrar, si çështje me rëndësi të veçantë njohëse për mendimin shkencor letrar, është i pandarë nga dimensioni njohës i antropologjisë filozofike, i cili na ndihmon të kuptojmë se cilat kanë qenë orientimet botëkuptimore të artit tonë letrar në procesin e të kuptuarit të asaj se çfarë lloj natyre zotëron qenia jonë njerëzore në një moment të caktuar dhe në cilin mjedis zhvillohet ajo natyrë. Në këtë rrafsh, nëpërmjet antropologjisë filozofike, ne mund të kuptojmë se kategoria e identitetit është reciprokisht e ndërlidhur me kategorinë e autenticitetit.
Në këtë trajtesë, duke u bazuar në konceptin hegelian për identitetin, si dhe në konceptin antiestetik të Hajdegerit për artin, do ta trajtojmë çështjen e (pa)qëndrueshmërisë së identitetit letrar shqiptar, me theks të veçantë duke u përqendruar në analizën e përbërësve kategorialë të strukturës së identitetit letrar të dallimit dhe identitetit në njërën anë, dhe universalitetit, veçantisë dhe individualitetit, në anën tjetër.
Raporti i kategorisë së dallimit dhe identiteti
Në domenin e filozofisë së mendjes, çështja e identitetit përbën një nga çështjet esenciale për shpjegimin, vlerësimin dhe përkufizimin e raportit ndërmjet “njëshit” dhe “shumësisë”. Duke qenë kundërshtar i ndarjes karteziane shpirt-trup, Hegeli, gjithë sistemin e vet filozofik e ndërton mbi konceptin revolucionarizues të njësimit të qenies me të menduarit. Për Hegelin të menduarit jo vetëm që nuk është një veprimtari njerëzore subjektive, por ai (mendimi në përgjithësi dhe, në rastin tonë, mund të thuhet edhe mendimi letrar, në veçanti) është një substancë, e cila e objektifikon realitetin duke u bërë ashtu edhe shkak i asaj që ekziston.
Në veprën “Shkenca e Logjikës” çiftet binare të kategorive: përmbajtje-formë; esencë-dukje, pjesë-tërësi; identitet-dallim; Hegeli i koncepton si kategori reflektimi. Në këtë linjë mendimi, Hegeli kategorinë e identitetit dhe të dallimit nuk i trajton si kategori të ndara dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Përkundrazi. Sipas tij, secila prej tyre janë momente të së tërës dhe thelbësore për njëra-tjetrën. Për Hegelin dallimi nuk përbën “kalimin” në një tjetër identitet, sepse dallimi e ka brenda vetes identitetin, ashtu si edhe pasi hyn në përcaktimin e dallimit, identiteti nuk e humb vetveten në dallim si tjetri i tij (i dallimit), por përmes tij (dallimit) identiteti e ruan vetveten.
Duke u bazuar në karakteret e ndryshme të kategorisë së dallimit, Hegeli dallon dy tipa të kategorisë së identitetit: kategorinë e identitetit abstrakt dhe atë të identitetit thelbësor. Ndërsa identiteti abstrakt i diçkaje bazohet në përjashtimin e tjetrit (dallimit) të saj, identiteti thelbësor bazohet në dallimin përmes pohimit të tjetrit si i mohuar, si të zhdukur menjëherë. Identiteti thelbësor është i mundur vetëm përmes “dallimit absolut”.
Në kontekstin tonë të reflektimit për identitetin letrar, mund të themi se raporti mes “njëshit” dhe “shumësisë” do ta përcaktojë dinamikën e procesit të bërjes së të tërës unike letrare shqiptare; do ta përcaktojë atë se çfarë është ajo që është esencë, që është kusht i kontinuitetit dhe koherencës; ajo që është dallim abstrakt i identitetit dhe ajo që është dallim thelbësor në identitet. Përmes tipave të dallimit, si momente të reflektimit të identitetit, ne mund të kuptojmë natyrën e shfaqjes së shpejtë të fenomeneve letrare, si dhe shpejtësinë e daljes jashtë shtratit të qenies së identitetit të atyre fenomeneve. Pra, përmes karakterit të kategorisë së dallimit ne mund ta ekzaminojmë (pa)qëndrueshmërinë e strukturës së identitetit letrar shqiptar, si dhe mundësitë e hapura për konsolidimin e tij.
Të qetësuarit si interes njohës i mendjes letrare
Të qetësuarit, si sferë e diferencës dhe e kufizueshmërisë, pakufizueshmërisht ka qenë dhe do të mbetet pesha e rëndesës së interesit së të menduarit letrar. Të qenësuarit është tërësia e raportit të njeriut me botën. Kategoria e së vërtetës për të qenësuarit në botë është përcaktuesi thelbësor i veçantisë, si aspekt i strukturës së identitetit letrar, e cila brenda vetes e përmban universalitetin dhe individualitetin në një unitet vetëdiferencues. Identiteti letrar është akti më i lartë i reflektimit mbi tërësinë e lidhshmërive reciproke dhe kundërthënieve të gjërave të kufishme në një proces të pakufishëm të kuptimësimit të të qenësuarit tonë në botë të dhënë përmes të të menduarit letrar. Duke qenë se çdo të qenësuar bart me vete një raport unikat me botën, krijuesit e ndryshëm, në kohë dhe mënyra të ndryshme, i akumulojnë të vërtetat e përvojave të veçanta që qenia njerëzore i përjeton në marrëdhënien e saj me botën.
Në qoftë se prodhimin e kuptimit të të dhënave të perceptuara për gjendjen njerëzore të njeriut refleksioni letrar parakombëtar do ta realizojë nëpërmjet aktit intencional të ndërgjegjes religjioze, e cila do t’i drejtohet po ashtu një ndërgjegjeje religjioze; në qoftë se prodhimin e kuptimit të të dhënave të perceptuara për esencën e njeriut refleksioni letrar romantik do ta realizojë nëpërmjet aktit intencional të ndërgjegjes kombëtare, e cila do t’i drejtohet po ashtu një ndërgjegjeje kombëtare; në qoftë se prodhimin e kuptimit të të dhënave të perceptuara për esencën e njeriut refleksioni letrar në periudhën ndërmjet dy luftërave, të shumtën e rasteve, dhe ai i realizmit socialist do ta realizojë nëpërmjet aktit intencional të ndërgjegjes shoqërore, në rastin e parë, dhe të ndërgjegjes klasore, në rastin e dytë; ndërkaq, mund të themi se prodhimin e kuptimit të të dhënave të perceptuara për esencën, qëllimin dhe kuptimin e të qenit të njeriut në botë, refleksioni letrar, i bazuar në modusin “çfarë është”, do ta realizojë nëpërmjet aktit intencional të ndërgjegjes moderne artistike, e cila në mënyrë shpërthyese, fillimisht, në letërsinë shqipe, do të shpërfaqet në veprën e Migjenit.
Kategoria e dallimit, si përbërës i strukturës së identitetit letrar shqiptar, e shprehur në kuptimet e ndryshme për gjendjen e njerëzores te njeriu në periudha të ndryshme kohore të zhvillimit të letërsisë shqipe, në vetvete nuk flet për karakterin e konsoliduar të identitetit letrar shqiptar. Dallimet e kuptimeve për gjendjen e njerëzores te njeriu i shërbejnë konsolidimit të strukturës së identitetit për aq sa ato arrijnë ta manifestojnë “të ndodhurit” e së vërtetës së të qenësuarit të njeriut tonë në botë. E, kjo do të thotë për aq sa “të ndodhurit” e së vërtetës arrin të bëhen “ngjarje” në letërsi.
Ligji i boshllëkut
Për shkak se do të jetë nën trysninë e vazhdueshme të tipit të momentit të universalitetit, i cili e përjashton momentin e veçantisë dhe të singularitetit, si momente që e krijojnë unitetin unik të qenies së identitetit, qenia e identitetit letrar shqiptar do të jetë e munguar nga ligji i kontradiktës së brendshme, si kusht i ndryshimit organik dhe i zhvillimit të së tërës. Mungesën e ligjit të kontradiktës së brendshme, letërsia shqipe do ta plotësojë me ligjin, siç e quan Hegeli, “të boshllëkut”. Përkundër kësaj, ligji i kontradiktës – përmes kundërthënies së brendshme, si kategori i reflektimit për ndryshim të vetes nga vetja dhe tjetri – e zhvillon “asgjënë” përmes negativitetit që i përcakton gjërat në vetë-relacionin e tyre negativ vetë-diferencues. Nëse përmes ligjit të kontradiktës kategoria e universalitetit e përfshin si kategorinë e veçantisë ashtu edhe të individualitetit, me ç’rast veçantia në mënyrë eksplicite është universalitet dhe aktualizohet si individualitet, ndërsa individualiteti i bashkon universalitetin dhe veçantinë brenda individualitetit konkret; ligji i boshllëkut e pamundëson vetëdiferencimin e veçantisë dhe individuales prej kategorisë së universalitetit (prandaj edhe karakteri abstrakt e hegjemon i universalitetit).
Në kuadrin e një shqyrtimi të tillë teoriko-filozofik, mund të themi se letërsia parakombëtare, letërsia e realizmit socialist, si dhe letërsia estetizante, si tipologji të ndryshme orientimesh letrare në procesin e formimit të identitetit letrar shqiptar, janë bazuar në kategorinë e dallimit të jashtëm, ku identiteti dhe dallimi e humbasin veçorinë e tyre dhe bëhen thjesht momente të ndryshme dhe indiferente ndaj njëra-tjetrës. Për rrjedhojë, universaliteti transcendental abstrakt i së vërtetës së teleologjisë kristiane për të qeniesuarit tonë në botë në letërsinë parakombëtare; universaliteti imanent i së vërtetës teleologjike i prejardhur nga hegjemonia e vetëdijes klasore në letërsinë e realizmit socialist, si dhe universaliteti abstrakt i së vërtetës subjektive të solipsizmit metafizik në letërsinë estetizante, në vend se të na i zbulojnë përvojat tona unike njerëzore të dala nga kontakti ynë me botën në një situatë specifike të qeniesimit, me indiferencën e universalitetit të tyre kundrejt kategorive të tjera, e kanë pamundësuar shfaqjen e atyre të vërtetave unike, si bartëse dhe konservuese e të vërtetave universale për kufijtë e gjendjes sonë njerëzore nëpër kohë.
Letërsia shqipe nga domosdoshmëria e nevojës së të qenit sunduese në mbretërinë e tipit të identitetit të veçantisë, e cila refuzon tiraninë e mbretërive të universaleve abstrakte (politikës, ideologjisë etj.), në shumë raste do të përfundojë në shërbëtoren e momentit të universalitetit, si aspekt që i rrit fuqitë hegjemone të identitetit karshi kategorisë së veçantisë dhe individualitetit.
Përfundim
"Ligji i boshllëkut” do të jetë parimi i formimit të identitetit letrar shqiptar. Ai do të krijojë gjendje jo të qëndrueshme në marrëdhënien mes kategorive: të dallimit me kontradiktën; të esencës me fenomenin; të pjesës me tërësinë; të sasisë me cilësinë; të universalitetit, të veçantisë dhe individualitetit, si tri momente në unitet tërësor të identitetit.
Fenomeni i prirjeve avangardiste, bie fjala, për shkak se do të hyjë në letërsinë shqipe përmes kategorisë së diversitetit të jashtëm krahasues me tjetrin, pas viteve ‘70 në Kosovë, në mënyrë të “përsëritur”, po përmes së njëjtës kategori të dallimit krahasues, do të “shfaqet” në Shqipëri në vitet ‘90 me etiketën e “çlirimit të letërsisë” nga vetja e saj. “Përsëritja” e të njëjtit fenomen në pjesë të ndryshme të së tërës me një distancë kohore mbi 20-vjeçare, flet se “fenomeni i avangardës” i shfaqur në një “pjesë” është shprehje e kundërshtimit pa kontradiktë. Ai nuk është pasojë e kategorisë së negacionit të brendshëm, e cila e ripërcakton marrëdhënien me veten përmes mohimit të tjetërsisë brenda vetes me qëllim që ta tejkalojë vetveten, por pasojë e reflektimit të jashtëm të identitetit, i cili bazohet në kategorinë e ngjashmërisë me tjetërsinë që është jashtë tij. Prandaj, aq shumë i pranishëm në letërsinë shqipe fenomeni i epigonizmit.
Fenomeni i “përsëritjes” së shfaqjes së fenomenit të avangardës në letërsinë tonë, në fakt, është dukja e qenies së pakonsoliduar të identitetit letrar shqiptar dhe tregues i rrugës së gjatë e të hapur për konsolidim që ajo ka para vetes.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.