Shtojca për Kulturë

“Pink Floyd” për Ukrainën me “Hey, Hey, Rise-Up!”

Descriptive Text

Bendi ikonik “Pink Floyd” është ribashkuar për incizimin e këngës “Hey, Hey, Rise-up!” si reagim ndaj luftës në Ukrainë. Kënga e re paraqet një muzikant ukrainas i cili tani gjendet të fushëbetejë.

Para invazionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, njëri nga bendet më të mëdha të Ukrainës, “BoomBox”, ishte në turne në ShBA. Kur u publikuan lajmet për invazionin, lideri i grupit, Andriy Khlyvnyuk, e braktisi turneun dhe u kthye në Ukrainë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit.

Në një klip viral të 28 shkurtit në “Instgram”, Khlyvnyuk ishte parë i veshur me uniformë ushtarake me një pushkë të varur mbi supe, duke e kënduar një këngë ukrainase patriotike protestuese me titull “Oh The Red Viburnu in the Meadow” në sheshin “Sofiyskaya” në Kiev. Fillimisht ishte shkruar në vitin 1914 për ta nderuar Sich Riflemen, të njësisë ushtarake ukrainase, që luftoi në Luftën e Parë Botërore.

Vokalisti i grupit “Pink Floyd”, David Gilmour, i cili kishte performuar live me BoomBox më 2015 në një koncert humanitar në Londër për “Belarus Free Theatre”, ishte shumë i prekur nga klipi, saqë u inspirua për ta kompozuar këngën "Hey, Hey, Rise-Up!"

Në një deklaratë për shtyp që njoftonte për këngën e parë pas 28 vjetësh të grupit, Gilmour tha: “Ishte një moment i fuqishëm që më nxiti ta shndërroj në këngë”.

Titulli i këngës së “Pink Floyd”, i cili inkuadron zërin e Khlyvnyuk duke kënduar, është marrë nga rreshti i fundit i këngës popullore, e cila përkthehet si “Hey, hey, rise up and rejoice” (Hej, hej, ngrihu dhe ringjallu)

Të gjitha të ardhurat nga kënga do të shkojnë për Fondin Humanitar të Ukrainës.

“Një ditë do ta këndojmë së bashku”

Gilmour ka thënë për “The Guardian” se si ai ishte inspiruar nga videoja virale e Khlyvnyuk që me nxitim t’i ftojë anëtarët e tjerë të grupit “Pink Floyd”, bateristin Nick Mason, basistin Guy Pratt dhe klaviaturistin Nitin Sawhney për ta bërë regjistrimin e këngës (basisti i formacionit origjinal të grupit, Roger Waters s’është pjesë e këtij projekti).

Ndërkohë, Glimour gjithashtu ka arritur edhe të bie në kontakt me Khlyvnyuk. Gjatë një bisede me video, këngëtari ukrainas ishte duke u rikuperuar pas një plagosjeje.

Në intervistën të tij me “The Guardian”, ylli britanik i muzikës rock ai kujton gjithashtu bisedën e fundit me Khlyvnyuk: “Ai tha se kishte pasur ditën më të tmerrshme që mund të imagjinosh, duke dale dhe duke marrë trupat e ukrainasve, fëmijëve ukrainas, duke ndihmuar në pastrim. E dini, problemet tona bëhen kaq patetike dhe të vogla në krahasim me atë që bën ai”.

Gilmour shtoi se ai ia ka dërguar Khlyvnyuk këngën dhe ka treguar për përgjigjen e tij: “Faleminderit, është e mrekullueshme. Një ditë do ta këndojmë bashkë dhe do të ketë një ndikim të madh në mua”.

Simbolika e lulediellit

Vepra artistike për këngën përmban një pikturë të një luledielli nga artisti kuban, Yosan Leon. Luledielli është lulja kombëtare e Ukrainës dhe tani po bëhet një simbol i rezistencës kundër pushtimit rus.

Motivi i lulediellit për këngën u frymëzua nga një tjetër video virale e një gruaje ukrainase e cila shihet duke u ballafaquar me dy ushtarë rusë të armatosur.

Ajo dëgjohet duke u thënë ushtarëve: “Merrni këto fara dhe vendosini në xhepat tuaj. Në këtë mënyrë luledielli do të rritet kur ju të varroseni, të gjithë, këtu”.

“Hej, Hej, Rise-up!” është muzika e parë origjinale nga “Pink Floyd” që nga viti 1994 me “The Division Bell”.

Gilmour, i cili bashkëshorten e djalit dhe nipërit i ka me prejardhje nga Ukraina, kishte postuar në Twitter hapur kundërshtimin e tij ndaj luftës menjëherë pas pushtimit të Rusisë, duke thënë: “Putini duhet të largohet”.

Grupi gjithashtu e ka larguar muzikën e tij nga faqet e transmetimit rus dhe bjellorus në shenjë proteste kundër pushtimit.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku