Shtojca për Kulturë

Përtej mureve të gurit – fotografja e jetës në fshatin shqiptar

Ann C. Eek-u dokumenton me fjalë e fotografi jetën në prag të transformimeve që do të ndodhin në Kosovë. Ajo dokumenton “sytë në televizor” në shtëpinë fshatare shqiptare të Kosovës, “djalin tu punue me traktor të ri” në arat e Kosovës, “çikën tu kep me maqinë” në shtëpitë e Kosovës, “vajzat e veshura allafranga rrugës për në shkollë” në fshatin e Kosovës e kështu me radhë
 

Libri “Jeta në fshatin shqiptar: Isniq-Kosovë 1976” është një testament i një kohe kur shqiptarët e Kosovës kishin autonominë e vitit 1974 dhe po përvetësonin praktika të reja të modernitetit të ardhur përmes komunizmit jugosllav. Ann C. Eek-u dokumenton me fjalë e fotografi jetën në prag të transformimeve që do të ndodhin në Kosovë

Në vitet ‘60, kur anglezja Mary Motesi kishte ardhur në Kosovë për të ligjëruar gjuhën angleze, një mësuese serbe e anglishtes në Prishtinë, i kishte thënë se nuk ka shqiptarë në Kosovë, por ka vetëm “šiptari” (lexo: shiptari), që në vetëdijen serbe, të konstruktuar nga propaganda e akademisë serbe, janë serbë të islamizuar që flasin gjuhën shqipe, sepse në Kosovë s’ka shqiptarë. Për përvojën e saj me Kosovën, shkruan librin “Prelud i luftës” tek në fund të viteve ’90, pas mbarimit të luftës. Së fundi, edhe një ligjërues tjetër anglez në Universitetin e Prishtinës, John Hodgson, botoi librin “E ardhmja në të kaluarën: kujtime të Kosovës” (2021) me kujtimet e tij të Kosovës së fillimit të viteve ’80, duke na rrëfyer për përjetimet e tij në Kosovë, në prag të një periudhe të errët që po vinte për shqiptarët e Kosovës.

Në periudhën e regjimit komunist jugosllav, Kosova ishte pothuajse e izoluar deri në vitet ’70, kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Gjatë asaj periudhe, e cila njihet si “koha e Rankoviqit”, sipas ministrit të Brendshëm serb, Aleksander Rankoviqit, mbretëroi dhuna brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës.