Shtojca për Kulturë

Fëmijët e nxënë gjuhën pa udhëzime

Descriptive Text

Është e pakontestueshme se gjuha është pjesë përbërëse e natyrës njerëzore që i karakterizon vetëm njerëzit dhe përmes e brenda saj individi shërbehet në masë të madhe për nxitje veprimesh e arritje qëllimesh. Gjuha është komplekse, një aftësi e specializuar, e cila te fëmijët zhvillohet spontanisht, pa përpjekje të vetëdijshme apo ndonjë udhëzim dhe është cilësisht e njëjtë te çdo individ

Shkalla e nxënies së gjuhës nga fëmijët, sa i përvetësojnë trajtat gramatikore dhe sa arrijnë ta realizojnë komunikimin nuk varet nga inteligjenca e tyre, por është pasqyrim i veçorive gjenetike universale, me të cilat është i pajisur secili individ. Të nxënit e aftësive gjuhësore te fëmijët si dhe shfrytëzimi i gjuhës, si procese, duken të thjeshta, të natyrshme dhe spontane, pa kërkuar mund të madh – fakt që shërben si tregues cilësor në përfshirjen e predispozitës së lindur në zhvillim gjuhësor. Të folurit lind në mënyrë të rregullt në kohë të caktuar, zakonisht disamujore, të zhvillimit fizik dhe kognitiv të fëmijës.

Parimet universale të gjuhës

Fakti se gjuha është aftësi e lindur është dëshmuar bindshëm dhe është pranuar nga shumica e dijetarëve. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, për aspektin e të nxënit të gjuhës, janë zhvilluar debatet mes përkrahësve të pesë teorive për nxënien e gjuhës te fëmijët si: nativizmi (“gjuha është një aftësi e lindur që është plotësisht e zhvilluar që në lindje apo e programuar në procesin e pjekurisë”), bihejviorizmi (“gjuha është një grup modelesh të sjelljes me lidhje të ndërtuara ndërmjet fjalëve dhe objekteve të cilave u referohet”), kognitivizmi (“një parakusht i përgjithshëm kognitiv e pajis fëmijën me modelet themelore për gjuhë të ndryshme me të cilat ata ndeshen”), empirizmi (“gjuha mësohet përmes ekspozimit të zgjatur ndaj të folurit të të rriturve dhe dëshirës për të krijuar kuptimin për ambientin”), interaksionizmi social (“gjuha përvetësohet përmes dëshirës së fëmijës për të komunikuar me kujdestarët e tij”) (cit. sipas Paçarizi 2011). Megjithatë, është vërtetuar dhe pranuar se parimet universale të gjuhës janë të lindura dhe gjenetikisht të determinuara, por rol po aq të rëndësishëm ka edhe zhvillimi kognitiv dhe social, pasi formimi gjuhësor është i kushtëzuar edhe nga zhvillimi i aftësive njohëse të fëmijës.

Duhet të kihet parasysh ndikimi i lartë që ka mjedisi familjar, statusi ekonomik, shkollimi i prindërve në inventarin e gjerë të leksikut, e po ashtu edhe ai në ambientin parashkollor, mediet, si dhe ndjekja e analogjisë në ndërtimin e disa trajtave, kështu që nuk mund të arrijmë në përgjithësime absolute.

Gjuha si pjesë përbërëse e natyrës

Është e pakontestueshme se gjuha është pjesë përbërëse e natyrës njerëzore që i karakterizon vetëm njerëzit dhe përmes e brenda saj individi shërbehet në masë të madhe për nxitje veprimesh e arritje qëllimesh. Gjuha është komplekse, një aftësi e specializuar, e cila te fëmijët zhvillohet spontanisht, pa përpjekje të vetëdijshme apo ndonjë udhëzim dhe është cilësisht e njëjtë te çdo individ normal. Të nxënit e gjuhës, një ndër nëndisiplinat e psikolinguistikës, është procesi gjatë të cilit fëmija e përvetëson, e zhvillon, e nxë, fillon të formojë aftësitë për të komunikuar përmes gjuhës native. Jo të gjithë arrijnë njësoj ta nxënë gjuhën. Sipas Gardnerit, disa arrijnë ta përvetësojnë më herët, e disave u duhet kohë për ta përvetësuar. Kjo shtron pyetjen nëse ajo është biologjike apo varet nga potenciali intelektual i individit ose edhe nga ngacmuesit mjedisorë dhe nevojat e faktorit social. Për këto dilema, ka pasur pozicione dhe këndvështrime të shumta lidhur me të nxënit lidhur me shkaqet, proceset, pra nuk është ndjekur një trajektore e drejtë në trajtimin dhe interpretimin e kësaj çështjeje. Madje, psikolinguistët besojnë se aktualisht nuk ekziston teori psikologjike për të dhënë shpjegim tërësor për mënyrën e nxënies së gjuhës.

Të nxënit e gjuhës është proces që u mundëson fëmijëve që për një periudhë të shkurtër, të zhvillojnë aftësinë e nxënies së gjuhës dhe komunikimin në gjuhën amtare. Fjala e parë zakonisht paraqitet në muajin e 10-të ose 15-të. Baza e zhvillimit të të folurit vihet gjatë vitit të parë. E këtë e përbëjnë: ritmi, tempoja, intonimi dhe melodia – pa të cilat nuk ka të folur. E përgjithësisht, etapa prej 1-6 vjeç është faza kur vihen themelet e nxënies së gjuhës së parë dhe fëmija posedon një leksik modest për komunikim. Fëmija nga mosha 3 vjeç e nxë bazën e gjuhës amtare: arrin të formulojë mendime, përjetime, ide, me një gjuhë më të qartë, më të përshtatur, ku me intensitet konstant i shfrytëzon njohuritë për botën që e rrethon.

Ekzistojnë shumë teori dhe diskutime për atë se a është gjuha fenomen biologjik, linguistik, kognitiv, apo sociologjik, ku kryqëzohen elemente të shumta që s’çojnë në vetëm një përfundim. Supozohet se aftësia gjuhësore është e lindur dhe gjenetikisht e trashëguar dhe që gjuha është fenomen biologjik, kurse zhvillimi gjuhësor proces biologjik. Kritikët e këtij supozimi thonë se është fakt që fëmijët të cilët rriten në izolim të plotë shoqëror kurrë nuk mund ta zhvillojnë sistemin e plotë gjuhësor. Nëse nuk i ekspozohen gjuhës dhe nëse nuk e kanë rastin që të shfrytëzojnë gjuhën, është e pamundur të zhvillojnë sistemin gjuhësor. Ky argument shkon në dobi të teorisë kognitive dhe socio-kulturore për zhvillimin e gjuhës, sipas të cilave, është e domosdoshme që fëmija të rritet në mjedis shoqëror dhe t’i ekspozohet gjuhës, në mënyrë që të zhvillohen aftësitë gjuhësore.

Formimi i kompetencës gjuhësore dhe komunikuese, për shkak të natyrës së ndërlikuar dhe komplekse, kërkon gjithsesi një qasje interdisiplinare, ndërthurje disiplinash, duke përfshirë psikolinguistikën, gjuhësinë, sociolinguistikën, neurolinguistikën dhe disa koncepte nga leksikologjia, semantika e gramatika. Krejt këto japin shpjegim p.sh. në zgjedhjen e shumësit djala në vend të djem, që ndodh për shkak të ngulitjes në mendje të fëmijëve shqiptarë se prapashtesa –a e formon shumësin dhe kështu e ndjekin analogjinë edhe te shumësat e parregullt. Pos shumësit, trajta interesante paraqiten edhe te paskajorja, e kryera e thjeshtë, përshtatja e përcaktorëve etj. te fëmijët në moshën kritike të nxënies së gjuhës.

Pasuria e leksikut mendor te fëmijët

Megjithëse ka ndryshime individuale në pasurinë leksikore, fëmijët në moshën 5-6 vjeç arrijnë të kenë një fjalorth modest, që u përgjigjet nevojave elementare. Në bazë të studimeve, përgjithësisht, sendet konkrete (lapsi, tavolina, fustani, flokët, fletorja, libri), emërtimet e veshjeve (bluza, pizhamet, kapuçi, shalli), mjetet për ngrënie (piruni, luga, thika, pjata etj.), për pastrim, emërtimet e shtazëve që i shohin më shpesh (qeni, macja, pula, kali etj), mobiliet shtëpiake, objektet ndaj të cilave ekspozohen, përbëjnë pjesën më të madhe të leksikut mendor te fëmijët. Pra, arrijnë të emërtojnë saktësisht gjërat konkrete, të cilat janë edhe më të lehta që të mbahen në mend. Por, mund të artikulojnë fjalë të ndërtuara gabimisht (në mënyrë jo të saktë), edhe pse gjithmonë janë të prirë për t’i përmirësuar.

Ata që janë më të rritur p.sh. 5-6 vjeç, dhe kanë më shumë përvojë gjuhësore, kanë një gjerësi dhe llojllojshmëri më të madhe në fjalor, janë kreativë në thurjen e mendimeve, dinë të emërtojnë një numër të madh objektesh. Mjaft frytdhënëse në këtë aspekt janë edukatoret, gjatë trajtimit të temave, bërjes së pyetjeve të larmishme, bashkëbisedimeve, leximit të tregimeve. Krejt këto ndikojnë dhe sjellin rezultat në formimin dhe pasurimin leksikor të fëmijëve.

Përdorimi i numrit shumës

Përvetësimi i gjuhës te fëmijët mbështetet në analogjinë. Fëmija nuk sheh ndonjë arsye për mbingarkesë. Ashtu si edhe në shqipe, edhe fëmijët anglezë e ndërtojnë shumësin me –s qoftë edhe tek emrat që e ndërtojnë shumësin në formë të parregullt, si (one man- two mans* ,one woman- two womans*). Fëmijët nuk korrigjohen aq shpesh nga prindërit e tyre. Sipas Raymond Hickeyt, vetëkorrigjimi i trajtave është më i zakonshmi, për shkak të dy faktorëve: komunikimit të pasuksesshëm dhe dëgjimit më të shpeshtë të formave të sakta.

Format e shumësit të parregullt në shqipe, meqë janë forma që ndryshojnë, pra të mbikarakterizuara me më shumë se një tregues shumësi, fëmijët nuk arrijnë t’i nxënë në mënyrë të pavetëdijshme, kështu që ata shfrytëzojnë analogjinë. Në moshën 4-6 vjeç, në disa raste, fëmijët përdorin saktë shumësin e parregullt, për shkak se kanë fituar një përvojë gjuhësore dhe komunikuese, sado të shkurtër, me familjen dhe ambientin parashkollor, me edukatoret dhe bashkëmoshatarët.

Shqipja e formon paradigmën e shumësit me anë të mbaresave të posaçme (vend - vend-e, lumë - lum-enj, qytetar- qytetar-ë), si dhe me anë të ndërrimeve morfonologjike, si: palatalizimi (mik – miq) metafonia (dash-desh), apo në mënyrë të përzier, forma që përmbajnë më shumë se një dukuri (të mbikarakterizuara) (plak - pleq, gardh – gjerdhe). Kështu që fëmija zgjedh analogjinë kur nuk e ka dëgjuar formën e saktë.

Në një hulumtim të kryer me metoda analitike, përshkruese nga Jahiu më 2017, për të nxjerrë rezultate nga terreni, është përdorur intervista me pyetje të parapërgatitura me fëmijët e një çerdheje në Prishtinë. Atyre u janë bërë pyetje dhe në mënyrë indirekte janë vëzhguar edhe gjatë komunikimit me fëmijët e tjerë. Gjatë bisedave dhe nxitjes për t’i përdorur, fëmijët e monitoruar kanë zgjedhur këto forma shumësi: për shumësin e emrave: derë (dyer): dera, dyr; për djalë (djem): djela, djala, djem; për plak - pleq: *plaka; dorë (duar): dola, dora, dur; plak (pleq): plaka; gjarpër (gjarpërinj): gjarpna, gjarpa; Lumë (lumenj): lume, luma.

Disa fëmijë shihet se e kanë dëgjuar formën djem (ose djel në këtë rast), por megjithatë, ia shtojnë kësaj forme edhe prapashtesën trajtëformuese –a. Ndërkohë, disa e thonë shumësin ashtu siç e kanë dëgjuar, djel. Vetë forma normative djem, rrjedh nga djel sipas studiuesit Shaban Demiraj. Fëmija mund të paraqesë edhe vështirësi artikulimi në nyjëtimin e r-së, ose ndoshta kjo formë i është miratuar nga të tjerët dhe nuk ka ndier nevojë ta ndryshojë. Kjo vështirësi shqiptimore vërehet edhe te disa emra të tjerë si doktoleshë, dolë, lush (rrush).

Shumësi te disa emra, i përdorur sporadikisht: shkalla, floka, molla, qershia, baba, lapca, tregon se fëmijët e formojnë shumësin duke ndjekur analogjinë, me prapashtesën më të shpeshtë shumësformuese –a. Përgjithësisht, fëmijët e kësaj moshe nuk kanë arritur t’i përvetësojnë plotësisht trajtat e parregullta të shumësit, kështu që në shumë raste e ndjekin analogjinë, ose mënyrën se si i kanë dëgjuar gjatë ekspozimit në mjedisin familjar. Fëmijët 4-6 vjeç p.sh. përdorin formën “dyr”, “dur”, duke e monoftonguar togun ye në y, përkatësisht togun ua në u, karakteristikë kjo e gegëfolësve, por megjithatë, u afrohen më së shumti formave normative, krahasuar me dora, dera. Shkarje kemi në rastet kur shumësi formohet me prapashtesat e vjetra që e tërheqin theksin -inj -enj, forma që rrallë i hasim në domenet joformale. Trajtën e shumësit të emrit plak (pleq), meqë është formë e mbikarakterizuar, nuk e kanë përvetësuar ende. Vetëm përvoja gjuhësore çon në “stërvitjen” dhe përdorimin e saktë të trajtave të parregullta të shumësit dhe të zbatimit korrekt dhe me përpikëri të fizionomisë së shqipes.

Teoria “më e vlefshme”

Fëmijët e grupmoshës 4-6 vjeç që i takon periudhës kritike të të nxënit, arrijnë të kenë një fjalorth modest dhe operojnë me gramatikën e lindur, që u shërben për t’i përmbushur disa nevoja komunikuese, por ndonjëherë ka fragmentarizëm. Në këtë moshë hidhen themelet, bazat e qëndrueshme të gjuhës, por megjithatë, nuk arrijnë të formulojnë tërësisht fizionomi gramatikore të përsosur. Ajo është ende në stadet e formimit. E pranojmë pohimin e Chomsky-t se parimet bazë që qëndrojnë në themel, në “zemër” të gjuhës, transmetohen apo trashëgohen gjenetikisht. Normalisht, edhe përbërësit psiko-emocionalë, zhvillimi psikologjik, kapaciteti mendor e intelektual, aftësitë psiko-motorike, ndikojnë dhe e kushtëzojnë formimin e qëndrueshëm gjuhësor. Pra, kemi bashkëveprim me njohuritë e lindura dhe përvojat e fituara duke ndërvepruar me mjedisin gjuhësor e socio-kulturor. Asnjë pozicion teorik lidhur me të nxënit e gjuhës nuk mund të konsiderohet si i pasaktë. Secila teori e përplotëson dhe e përmbush tjetrën.

Fëmijët deri në moshën 6 vjeç arrijnë të përvetësojnë strukturat themelore sintaksore, si rezultat i ekspozimit ndaj mjedisit familjar dhe atij parashkollor. Fëmijët arrijnë ta kenë një fjalor modest, kryesisht të dominuar nga emrat konkretë, por kanë vështirësi në kuptimin e nocioneve që janë më abstrakte apo edhe të kuptimeve të figurshme.