Shtojca për Kulturë

Bekim Fehmiu më 1982: Frikohem se Lidhja e Komunistëve do ta humbë besimin e klasës punëtore dhe popullit të shtetit tonë

Descriptive Text

“Shikojini krejt devijimet në sistemin tonë politiko-ekonomik: shkelësit janë zakonisht anëtarë të Lidhjes së Komunistëve. Nëse mbërrihet deri në këtë pikë, atëherë vërtet do t’i hapet mundësia edhe separatizmit e edhe funksionimit shumëpartiak të bashkësisë, e të gjitha këto tashmë i kemi përjetuar. Pra, a pak arsye ka për brengosje?”, kishte thënë aktori me nam Bekim Fehmiu në një intervistë më 1982 të cilën e ka rikthyer portali “yugopapir.com”

Tetor 1982: “Para pak kohësh një funksionar i lartë kishte deklaruar se nuk e dinte se çfarë përgatitej në Kosovë. Kjo më befasoi, më befasoi se ata që janë përgjegjës të dinë - nuk dinë; e unë si Bekim, një qytetar i thjeshtë, e kam ditur...”

Viteve të fundit, shtypi shkruan përherë më pak për ju – çka në të vërtetë ka ndodhur, po që se keni punuar, çfarë keni punuar – e pyesim njërin nga aktorët tanë më me nam, Bekim Fehmiun.

- Kam punuar. Fillimisht filmin “Široko je lišće”, përkatësisht serinë televizive “Partizanska škola”, e më pas edhe filmin “Koliko zemlje čoveku treba”, një koproduksion italian-francez-tunizian-çek. E më pas “Nënën Terezë”, që u shfaq së fundmi në Festivalin e Venecias dhe tash verës në filmin “Paviljon zveri”, sërish prodhim çekosllovak.

Çfarë është kjo lidhja e re me filmin çekosllovak?

- Nuk ka lidhje aty - thotë Fehmiu. - Ndodhi rastësisht që gjatë xhirimeve të filmit "Smrt gospodina Goluže" në Bratislavë të qëllonte mikja jonë Bojana Isakoviq, dhe tek kishte dëgjuar se po e kërkonin një aktor për filmin "Paviljon zveri" të regjisorit Dushan Trançek, më propozoi mua. Ata nuk besonin se madje mund të më kontaktonin dhe nuk besonin se do të pranoja. Doli të ishte shumë e thjeshtë dhe se për kënaqësinë e të dyja palëve e punuam dhe e përfunduam këtë projekt. Kjo ishte, duhet ta them, edhe lidhja ime e parë me kinematografinë lindore.

Për çfarë arsye, ju që keni punuar vetëm në shtetin tonë, përkatësisht në Perëndim, i jeni kthyer Lindjes tash?

- Nuk jam kthyer nga Lindja. Jam kthyer ngado që kanë ardhur oferta atraktive dhe interesante. I tillë më është dukur roli në filmin “Paviljon zveri”: flitet për një punëtor të zoologjikut, një trajnues amator i tigrave, i cili është krejtësisht i kënaqur, porse filmi në tërësi e trajton temën se dobësia e shkakton agresivitetin te njeriu.

A do të thotë kjo se ofertat nga Perëndimi janë ndalur?

- Nuk po mbërrijnë nga Perëndimi, e nuk po mbërrijnë nga asnjëra anë. Me gjasë unë, Bekim Fehmiu, nuk i duhem askujt. Në Serbi, pa krahina, ka gjashtë vjet që nuk e kam xhiruar asnjë film. I fundit ishte “Specijalno vaspitanje”. Pas filmit të Markoviqit, kam luajtur, e kjo ka qenë më 1977, në “Partizanska eskadrila" (Sutjeska film) dhe një vit më vonë në "Stići pre svitanja" (Neoplanta), kur edhe e pësova një aksident komunikacioni që më nxori jashtë binarëve. Atëherë kisha pasur shumë oferta, porse nuk kam mundur t’i pranoj për shkak të gjendjes shëndetësore, posaçërisht ngase ofertat që më jepen kërkojnë sforcim fizik. Vjet, dikur nga kjo kohë, e refuzova, ditën e xhirimit, filmin “Zona senke” të një producenti italian, për shkak se e kuptova se filmin donte ta shndërronte në pornografi, edhe pse përpiqeshin të më bindnin se nuk ishte i tillë. Megjithatë, hoqa dorë.

E përse jeni më pak atraktiv tash për Perëndimin?

- E dini, “sa më larg syve, aq më larg zemrës”. Po, sado që Perëndimi mund të mos jetë i interesuar për mua, po aq më pak interesohem unë për Perëndimin, dhe jo vetëm për të, por edhe për profesionin tim.

Përse?

- Shikoni, aq jam i preokupuar me gjendjen në shtet, aq shumë po më prek kjo punë, saqë po e përjetoj si çastin më kritik të ekzistencës sonë në këtë bashkësi. Në radhë të parë mendoj për nacionalizmin dhe krejt "izmat" e tjerë. E dyta, jam shumë i brengosur për gjendjen ekonomike dhe e treta, dhe më e rëndësishmja, me raportet në LKJ. Frikohem se Lidhja e Komunistëve do ta humbë besimin e klasës punëtore dhe të popullit. Shikojini krejt devijimet në sistemin tonë politiko-ekonomik: shkelësit janë zakonisht anëtarë të Lidhjes së Komunistëve. Nëse mbërrihet deri në këtë pikë, atëherë vërtet do t’i hapet mundësia edhe separatizmit e edhe funksionimit shumëpartiak të bashkësisë, e të gjitha këto tashmë i kemi përjetuar. Pra, a pak arsye ka për brengosje?

Kjo, mua si njeri, më irriton tej mase saqë nuk jam i gatshëm të punoj, e posaçërisht të punoj më shumë. A mendoni se unë si Bekim, si pjesëtar i kësaj bashkësie në të cilën jam zhvilluar dhe formuar, mund të qëndroj indiferent? Kurrë! E besoni se kjo situatë mund të më shërbejë si impuls apo shtytje? Përkundrazi. Më duket shumë shkatërrimtare dhe ju e dini se artistët, në veçanti aktorët, pos me mendje funksionojnë edhe me emocione.

A mund të jini më konkret: çka konkretisht ju prek?

- Të gjitha fenomenet negative në këtë shoqëri, krejt ajo që po bëhet që të shkatërrohet kjo bashkësi e cila ende funksionon si ëndërr, si ideal për shtetet në Lindje e Perëndim, me gjithë defektet që i kemi. Është e qartë, megjithatë, se ajo që më deprimon drejtpërsëdrejti është çasti i nacionalizimit. Unë e kam përjetuar nacionalizmin në jetën e përditshme shumë, shumë më herët seç nisi të flitet për të, porse kjo nuk më ka brengosur aq shumë sa më brengos tash, pra kur i ka përfshirë madje edhe fëmijët. Unë jam dëshmitar i asaj se çfarë mund të shkaktojnë nacionalizmat dhe nga mund të shpijnë. E kam përjetuar në lëkurën time dhe jam dëshmitar me 46 vjetët e mi.

Si në lëkurën tuaj?

- Nuk është me rëndësi. Dua të përmend vetëm gjëra që mund të bashkojnë, e jo ato që mund të çojnë në gjakderdhje, apo siç do të thoshte Kërlezha: te thikat.

Do të mund të thuhej se jeni politizuar shumë viteve të fundit...

- Nuk jam politikan. Megjithatë, jeta na ka mësuar, jo vetëm mua, por gjithë brezin tim që të mendojmë politikisht, kurse mua më hodhi në një mes shumë specifik: pesëmbëdhjetë vjet kam punuar në mërgim në Perëndim. Aty jam detyruar, e desha apo jo, që të bëhem një lloj ambasadori i shtetit, kurse ambasadorët, siç e dini, u takojnë strukturës politike.

“...aq jam i preokupuar me gjendjen në shtet, aq shumë po më prek kjo punë, saqë po e përjetoj si çastin më kritik të ekzistencës sonë në këtë bashkësi. Në radhë të parë mendoj për nacionalizmin dhe krejt ‘izmat’ e tjerë. E dyta, jam shumë i brengosur për gjendjen ekonomike dhe e treta, dhe më e rëndësishmja, me raportet në LKJ”

A ju kanë befasuar, megjithatë, ngjarjet në Kosovë?

- Nuk jam befasuar, për shkak se unë i takoj brezit që “që asgjë nuk guxon t’i befasojë”.

Një zyrtar i lartë politik së fundi ka deklaruar se nuk e kishte ditur se çfarë po përgatitej në Kosovë...

- Eh, kjo më ka befasuar! Më ka befasuar se ata që janë përgjegjës për të ditur - nuk dinë, kurse unë Bekimi, qytetar i thjeshtë, e kam ditur.

Si?

- Shikoni, një taksist në Beograd, tek më bartte prej Klubit të Shkrimtarëve në shtëpi, më kishte thënë: “Çka është kjo punë në Kosovë, bre Bekim. Kryengritje, a?” Kjo ka ndodhur më 1979-n, ende nuk kishte ardhur 1981-a. Më tha se këtë ia kishte thënë një kolonel, dhe po, ashtu ka qenë, ka pasur parulla, e jo kundërrevolucion. E çka janë parullat? A duhet të presim që masa të mblidhet nëpër rrugë e të themi: ja, kjo është.

Po 1981-a?

- Ju duhet të dini, para së gjithash, dhe e dini, se si nisi, nga nisi dhe kush ishin udhëheqësit. Dimë edhe për atë deklaratën e parë në “Politika”, me të cilën u jepet pesha politike atyre demonstratave, e ishin të njohura edhe vlerësimet e Komitetit Krahinor. Mendimet ishin të ndara. Disa i kanë emërtuar saktë ato demonstrata, e të tjerët i kanë quajtur ndryshe, tek i kanë lidhur për probleme ekonomike.

Po ju si keni reaguar?

- Edhe atëherë, edhe këtë herë njësoj. Në atë çast kam dashur të shkoja atje dhe të përpiqesha, natyrisht, t’i shpërndaja demonstratat. Kam qenë i vetëdijshëm për të gjitha pasojat afatgjata. Por duke e pasur parasysh se atje i kisha tre vëllezër dhe një dhëndër që u gjendën mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve, vlerësova se mjaftonte; e më pas i jam frikësuar pak temperamentit tim, pra vetes, sepse me siguri nuk do të rezistoja që të mos ballafaqohesha fizikisht me udhëheqësit e demonstratave. Me gjasë do të vdisja.

Më e rënda ishte se demonstratat nisën te meka e mendjes dhe barkut të njeriut. Shikoni, kjo nisi në mensën e studentëve, kurse për këtë mekë gjithë jetën kishte luftuar babai im i ndjerë Ibrahim Fehmiu. Do ta rregullojmë këtë, s’ka dyshim...

Shpesh po shkoj në Kosovë, isha para pak kohe, dhe di për të gjitha aksionet që ndërmerren që nga dita e parë dhe e di se janë arritur rezultate të jashtëzakonshme, jo vetëm në sferën e ngushtë të arsimit, por edhe shumë më gjerë. E di se edhe anarkia, bajraktarizmi po dinamizohen dita më ditë sepse, siç e tha shoku Dollanc, aty vërtet ka pasur anarki. Shoku Dollanc tha se për çdo ditë shpenzohen 300 milionë për siguri, duke mos e llogaritur ushtrinë. Llogariteni se sa para janë shpenzuar nga 26 marsi i 1981-s deri më sot. A nuk ka qenë më e mençur që një pjesë e atyre parave të shpenzuara të ishin ndarë shumë më herët për të shkolluar e formuar kuadro të shërbimit të sigurimit dhe ashtu të mbulohet e gjithë Kosova. Ka pasur treva, e këtë e di, pa asnjë polic. Dhe sërish e them: të gjitha do t’i zgjidhim, porse më së shumti më dhemb se kemi nisur ta copëtojmë kulaçin, i cili u formua me shumë gjak nëpër decenie: të vërtetën dhe autoritetin e shtetit. Unë e di se sa e vështirë ka qenë rruga...

“...duke e pasur parasysh se atje i kisha tre vëllezër dhe një dhëndër që u gjendën mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve, vlerësova se mjaftonte; e më pas i jam frikësuar pak temperamentit tim, pra vetes, sepse me siguri nuk do të rezistoja që të mos ballafaqohesha fizikisht me udhëheqësit e demonstratave. Me gjasë do të vdisja”

Kur për herë të parë, më 17 nëntor 1968, shkova në Amerikë, dhe pse nga dera e madhe, më shikonin me përbuzje për shkak të pasaportës sime të kuqe. Atëherë komunizmi ka qenë bauk më i madhe sesa droga. Porse e di se si më pritën kur shkova sërish më 1976. As që ma kontrolluan pasaportën, thjesht ma rrahu krahun dhe më tha: “Jugosllav”. Shteti ynë kurrë nuk ka qenë rehat prej presioneve që vinin nga jashtë. Por, duke iu falënderuar njeriut, çfarë ka qenë shoku Tito, ia kemi dalë të realizojmë atë që është evidente. Thuhet se kemi borxhe miliarda dollarë, se në periudhën 1976-1980 kemi marrë 13 miliardë dollarë kredi. Tepër! Ka shumë miliarda të gjuajtura kot në investime të gabuara, në shtëpi kulture që rrinë zbrazët, pra me fjalë të tjera, të mbytura. Porse nëse hedhim shikimin pas – vetëm shikoni se sa banesa janë ndërtuar që nga 1945-s, sa fabrika e sa rrugë... pashë Zotin njerëz, ne tash po shkelim mbi ato para, jetojmë në to, e dëfrehemi. Jeta na ka lazdruar fort: s'ka kafe – tmerr, s'ka detergjent – tmerr, s'ka benzinë – tmerr. Jemi bërë popull i lazdruar dhe i papjekur. E gjatë kemi jetuar mirë, thuajse pa telashe. Kam pritur shumë nga Kongresi i XII dhe jam pjesërisht i kënaqur.

Tek ju dëgjoj, thuajse nuk flas me një aktor. Politikë, politikë, politikë... A u është rritur interesimi për politikën pas ngjarjeve në Kosovë?

- Jo, ky është vetëm vazhdimi.

Mbase do t’ju duket provokim, por nuk është: më intereson nëse keni pasur, apo a keni, megjithatë, ndonjë shpjegim tuajin për ngjarjet në Kosovë?

- Nëse mendoni në lidhje me demonstratat, nuk kam. Nëse mendoni për parullat “Kosova Republikë” dhe të tjerat, nuk kam. Shikoni, ne jemi shoqëri e organizuar dhe në këtë shtet mund të arrini çfarë të doni, jo lehtë, por me luftë, nëse keni të drejtë dhe nëse lufta është e qëndrueshme. Do të nisesha nga fakti se rinia jonë, jo vetëm në përgjithësi, por para së gjithash në Kosovë, ka qenë jashtë kontrollit. Më vjen keq ta përmend, porse kemi parë funksionarë të rinisë që nga trashësia nuk mund ta përthekonin setrën. Për çfarë e marrin rrogën? Cili është programi, cili është koncepti, çfarë duam ne nga fuqia më e madhe e shtetit apo cilësdo fuqi tjetër? Nëse rinia është e lënë pas dore, ajo mund të shfrytëzohet edhe kështu, edhe ashtu. E gjithë logjika e organizimit të rinisë sonë reduktohet, kryesisht, në aksionet punuese gjatë verës.

Më tej, Kosova është shumë komplekse, para së gjithash, në kuptimin ekonomik. Sipas një statistike nga 1945-a, Sllovenia, Kroacia dhe më duket një pjesë e Serbisë kanë qenë dyfish më të zhvilluara se Bosnja, Mali i Zi Kosova dhe Maqedonia. Sot Sllovenia është shtatëfish më e zhvilluar, kurse Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, 2.7 herë më të zhvilluara se Kosova.

Shtroj pyetjen: pse? Nëse të gjithë jemi nisur nga pozicioni i njëjtë, a paska qenë Kosova jetime që ka mbetur kështu, përderisa e dimë se është shumë e pasur. Me vite e dekada dëgjoj se si Kosovës po i jepen, jepen, jepen para. Ku janë ato para, pra? Nëse e vizitoni Kosovën jashtë Prishtinës dhe qendrës së Ferizajt, atëherë do të pyeteshit, ku shkuan ato para?

Dyshoni për këto para?

- Jo, porse nuk po i shoh. Thjesht nuk e di se ku janë! Për shembull, e di se fëmijët e motrës shkojnë në shkollë çdo mëngjes në orën 7:00, për shkak se në atë shkollë punohet me katër ndërresa. E me siguri nuk jam i vetmi që shtroj pyetje. Nga aspekti sociologjik, e dimë se më 1945-n Kosova ka qenë thuajse analfabete dhe se kuadrat e parë janë shkolluar nëpër kurse pedagogjike. E dimë se si lindën fakultetet e në fund edhe Universiteti. E dimë se një kohë të gjatë Kosova nuk e ka pasur klasën e vet punëtore, pos punëtorëve në “Trepçë”, se ka qenë trevë agrare ku ka sunduar, si të thuash, sistemi feudal. E dimë procesin tonë historik: çlirimi, ndërtimi i shtetit, vetëqeverisja, Plenumi i Katërt, liberalizmi, neonacionalizmi, e më pas Kushtetuta e 1974-s. Dhe çfarë ndodh tutje?

Republikat dhe krahina, që kanë traditë në secilin aspekt shkojnë në njërin kah, në të njëjtën rrugë, kurse Kosova me arsimin, kulturën dhe vetëdijen e vet të pazhvilluar, në kahun tjetër.

Kësaj duhet shtuar se kemi pasur raporte ndërnjerëzore të sojit të veçantë, e kjo tash është problem i madh në Kosovë. Tash po punohet intensivisht në atë drejtim dhe dëshmohen rezultate të shkëlqyera.

“Nëse të gjithë jemi nisur nga pozicioni i njëjtë, a paska qenë Kosova jetime që ka mbetur kështu, përderisa e dimë se është shumë e pasur. Me vite e dekada dëgjoj se si Kosovës po i jepen, jepen, jepen para. Ku janë ato para, pra? Nëse e vizitoni Kosovën jashtë Prishtinës dhe qendrës së Ferizajt, atëherë do të pyeteshit, ku shkuan ato para?”

Shikoni tutje, thuajse është harruar se si kishte punuar dhe si informohej Titoja. Ai përherë kishte shkuar drejtpërdrejt, në vend të ngjarjes, mbase jo për shkak se nuk u besonte raporteve, por që ta ndiente pulsin e punëtorit dhe fshatarit. U gëzova fort kur e pashë që shoku Lubiçiq kishte shkuar në jug të Serbisë dhe ishte ndalur në mes të rrugës për të biseduar me një punëtor të thjeshtë. Kjo është e vetmja mënyrë, për t’i kuptuar problemet dhe kërkesat e punëtorëve. Nuk mund të dirigjohen gjërat nga zyra. Duhet shkuar te vendi. E unë po pyes: sa herë kanë shkuar shokët e republikave të tjera, edhe nga vetë udhëheqja e Kosovës, nëpër katunde për ta pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me njeriun?

A keni shkuar ju nëpër fshatra?

- Po, më 1978-n, nga 1 shtatori deri në fund të tetorit e kam kaluar secilin cep të Kosovës. I kam provokuar njerëzit me pyetje, edhe pse nuk e kam në natyrë, se sa janë të kënaqur në varfërinë e tyre. U treguan të kënaqur, pra këtë e dëshmuan zgjedhjet, kur 92% e njerëzve e treguan këtë disponim. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët, malazezët dhe të tjerët. Porse më e tmerrshmja që e përjetova ishte të shihja se si njerëzit jetonin së bashku me kafshët në të njëjtën hapësirë. E besoj se kjo mund të shihet edhe tjetërkund, por kjo për mua ka qenë e tmerrshme.

A jeni përpjekur ju si artist, si aktor, të ndihmoni në qetësimin e situatës në Kosovë? Flitej se do ta luanit Hamletin në Teatrin Krahinor...

- Po. Kam dashur të shkoj atje dhe t’i flisja rinisë, sepse e di se çfarë peshe kam te rinia, i jam ofruar në këtë kuptim Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës dhe kam biseduar me brigadierët në një dasmë brigadierësh...

Sa i përket atij Hamleti, ajo punë ra në ujë. Ata ma ofruan, unë e pranova. Dhe jo pse kisha ambicie, ngase Hamletin e kam luajtur për veten që nga 1962-a, por nga dëshira për ta ndihmuar kolektivin në aspektin profesional.

Kam bërë prova në alternim me Dibran Tahirin, porse në vend se premiera të shfaqej në prill, siç u tha, doli se regjisori anglez, kishte lidhur kontratë me teatrin që shfaqja të mbahej më 5 mars. E vlerësova veten të paaftë që për një kohë aq të shkurtër ta përgatis Hamletin, dhe aty u ndamë.

A ishte kjo përpjekje për t’iu kthyer teatrit?

- Ishte hera e parë që më ftonin nga Teatri Krahinor brenda 27 vjetësh, ngase unë i pata fillet aty më 1955-56; aty e kalova audicionin dhe i luajta rolet e para. Atëherë e kishim pasur një udhëheqje të shkëlqyer, artistë të vërtetë teatrorë, siç ishin bashkëregjisorët Sllavolub Stefanoviq - Ravasi, Boshko Pishtallo dhe Zdravko Katiq, dhe duke iu falënderuar atyre, posaçërisht Ravasit, me sukses e kalova provimin pranues më 1956 në Akademinë e Arteve Dramatike në Beograd. Ishte hera e parë që një shqiptar i Kosovës pranohej si student i rregullt i akademisë së atëhershme teatrore. Dhe, në përgjithësi, atyre që duhet t’u jem falënderues, dhe u jam falënderues, për këtë shtegtim timin, janë artistët. Sepse, për shembull, sa i përket politikës së atëhershme, unë do të duhej t’i fshija e t’i pastroja rrugët e Beogradit. Si të shpjegohet ndryshe se pas dy muaj e gjysmë studimesh, ma ndërprenë bursën nga Kosova. Porse, artisti dhe atëherë dekani i Akademisë, Dushan Matiq, kur dëgjoi për këtë, tha: "E çka po presim? Hajde t'i japim këtij të riu një bursë”. Dhe ma dhanë, edhe pse atëherë nuk e flisja mirë serbokroatishten.

Më thoni, Bekim, si jeni ndier ju, si shqiptar, në Beograd, pas trazirave në Kosovë?

- Pse nuk më pyetni të kundërtën: çfarë ndjenjash ka pasur Beogradi ndaj meje. Unë qëndroj mbi të gjitha këto, për shkak se jam i vetëdijshëm se ku shpien kjo, jam i hidhëruar, e besoj, si cilido banor i këtij shteti, porse i hidhëruar për një nuancë më shumë.

Megjithatë, a jeni ballafaquar me gjëra të pakëndshme? Si jeni mbrojtur?

- ...Edhe fizike, natyrisht, edhe fizike. Verën e shkuar, në një pushimore kroate, më 8 gusht, nga ora 1:00 e mëngjesit, isha ulur dhe luaja me letra me një familje, miq nga Zagrebi dhe shefin e restorantit. Kaloi një grup prej nga 20 të rinjsh ku ishin edhe nja tri-katër vajza, të dalldisur, pak nën ndikimin e alkoolit, kur përnjëherë shishja fluturoi mbi kokat tona. Çohem edhe e pyes çka ka. “Çka ta ndien ty...” E shtroj pyetjen sërish dhe e marr përgjigjen e njëjtë. Tek u afrohem, njëri i thotë liderit: “Mos, Bekimi është”. Futem mes tyre dhe për të tretën herë ia shtroj pyetjen: “Çka ka?”.

“...sa i përket politikës së atëhershme, unë do të duhej t’i fshija e pastroja rrugët e Beogradit. Si të shpjegohet ndryshe se pas dy muaj e gjysmë studimesh, ma ndërprenë bursën nga Kosova”

Ai më thotë: “Unë jam prej këtu, dhe ky është vendi im, edhe në qofsh Bekimi...” – deshi të thoshte Fehmiu, porse nuk arriti, për shkak se e puthi tokën. U çua, mori hëz, porse sërish e puthi tokën. Çohet për të tretën herë, e më pas shtatë syresh m'u hodhën në shpinë, dhe nisi lufta e pabarabartë. Nuk e di se si përfundoi përleshja, të vetmin që kisha në anën time qe miku nga Zagrebi, që kishte problem me kurrizin, pra edhe nuk mund të ndërhynte. Vetëm i luste “djemtë” që të ndaleshin. Erdhi milicia, i morën emrat porse jo edhe adresat. E mos po jua merr mendja se erdhën me më pyet aty apo më vonë se çfarë dhe si ndodhi? A mos mendoni se më kanë thirrur? Jo, dhe me siguri, kjo shkoi në ad acta. Reagimi im, e besoj, ka qenë krejt i natyrshëm: kam lindur në këtë shtet dhe në të jam rritur e jam formuar dhe askush nuk do të më ndalojë që ta shkeli secilin cep të tij.

Jeni nga jugosllavët e paktë që keni pasur rastin të shkoni e ta shihni Shqipërinë...

- Isha dy herë në Shqipëri. Herën e parë si fëmijë në Shkodër dhe më kujtohen malaria dhe dashuria ime, të parat dhe më kujtohet se e gjitha ka qenë moçalishte... Herën e dytë, pra, pas tridhjetë vjetësh, më ftuan më 1972, si mysafir të Filmit Shqiptar. Ideja kishte qenë që ta luaja Skënderbeun, e unë pranova, por më nuk më thirrën. Brenda dy javësh e kalova të gjithë Shqipërinë. Përshtypja e parë qe se është tokë e pastër dhe e kultivuar, të tilla ishin edhe kodrat. Nuk ka trafik, veturat janë të rralla, kryesisht ka këmbësorë dhe njerëz me biçikleta. Janë të veshur njësoj, arkitektura është modeste, nuk kishte më moçalishte, i gjithë shteti ka rrjet elektrik dhe ajo që më befasoi është se mund t’i përcillnin katër kanale televizive: të Shqipërisë, tonin, të Greqisë dhe të Italisë. Takova tifozë të mëdhenj të Zvezdës, Partizanit e Hajdukut. Janë shumë të këndshëm, kam pasur shumë takime dhe krejt çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë, pra edhe të mirat, edhe të këqijat që i vërejta, i thosha pa ngurrim. Reagimet ishin tipike tyret.

Tek ju dëgjojmë, ju shikojmë tek flisni, nuk mundemi e të mos mendojmë se jeni shqiptar i vërtetë.

- Dhe jam. Jam! Shikoni, më 1967, pas premierës së “Skupljači perja” në Pula, na ftuan në pritje te shoku Tito. Bashkëshortja ime Branka dhe unë ishim ulur përballë Titos, bri Zharko Vesellinovit. Shoku Vesellinov dhe unë biseduam tri orë për arsimin dhe kulturën në shtetin tonë. Gjatë bisedës, ai më tha: “Bekim, gjithmonë dhe gjithkund duhet të cekësh se je shqiptar." E kam menduar se përse? Dhe nisa të thosha se jam shqiptar nga Jugosllavia, që për shumë të ngarkuarish, që nuk shohin përtej hundës, ishte shenjë e nacionalizmit. Në nëntor të 1968-s, në New York u organizua një pritje për nder timin dhe “Paramount” donte të më vishte sipas stilit të tyre, porse unë kisha vendosur që para botës, botës elitare të New Yorkut, të paraqitem me veshjen kombëtare shqiptare të stilizuar. Shtypi i tyre e shënoi ngjarjen, porse “New York Post” ishte përqendruar te veshja dhe e shtroi pyetjen; Pse? Nga kjo distancë lehtë mund të jap përgjigje në atë pyetje: është një propagandë shumë e madhe antijugosllave ku shpesh përmendet ndrydhja e popullit shqiptar. Merreni për shembull, periudhën deri te Plenumi i Brioneve. Të paraqiteshe në veshjen kombëtare të cilitdo komb a kombësi të Jugosllavisë, që duket piktoreske, ishte normale. Porse të paraqiteshe në veshje shqiptare, ishte goditja më e fortë, grusht hundës të gjitha atyre propagandave. Ngase një shqiptar i vogël nga Prizreni ia kishte dalë të vendosej në hotelin “The Pierre” në New York! A nuk është kjo pasqyra e vërtetë e raporteve ndërnacionale në shtetin tonë?!

A ua mësoni shqipen djemve tuaj?

- Po, ua mësoj.

Edhe çfarë tjetër u mësoni?

- Atë që ma ka mësuar mua babai im: se pasuria është në kokë e jo në xhep; që sa më shumë gjuhë t’i flasësh aq edhe vlen; t’i ndihmojnë më të dobëtit; që të mos lejojnë kurrë që dikush t’i nëpërkëmbë... Këtë e kam mbajtur mend, dhe këtë e zbatoj dhe do ta zbatoj.

Bisedoi: Jasmina Lekiq (Intervju, 1982.) Marrë nga “yugopapir.com”. Përktheu: Flaka Surroi