Shtojca për Kulturë

Viset shqiptare në “Sijahetname” të Çelebiut, tani në arabisht

“Sijahetname – Viset shqiptare” përkthyer nga historiani kosovar Muhamed Mufaku, vjen edhe me një studim dhe nja 250 komente që u ndihmojnë lexuesve arabë të kuptojnë mirë kontekstin historik dhe aktualitetin e viseve shqiptare. Ky botim i ri është i 20-ti në veprat që e ka përkthyer Mufaku nga shqipja, arabishtja, boshnjakishtja e anglishtja

Këto ditë botuesi i njohur jordanez “al-An” nxori në shitje librin e Evlija Çelebiut “Sijahetname – Viset shqiptare” përkthyer nga historiani kosovar, Muhamed Mufaku, i cili e pasuroi këtë botim me një studim dhe nja 250 komente që u ndihmojnë lexuesve arabë të kuptojnë mirë kontekstin historik dhe aktualitetin e viseve shqiptare. Ky botim i ri është i 20-ti në veprat që e ka përkthyer M. Mufaku nga shqipja, arabishtja, boshnjakishtja e anglishtja.

Sipas fjalëve të botuesit në kopertinë, kjo përzgjedhje për “Viset shqiptare” paraqet një risi për lexuesin arab për disa arsye. Kështu, këtu theksohet se si Evlija Çelebiu në këto vise e shpiku “origjinën arabe të shqiptarëve”, e cila u shndërrua në legjendë në mesin e turqve dhe arabëve pas shekullit XVII. Nga ana tjetër, viset shqiptare paraqiten këtu me një pasuri urbanistike, me qytete plot gjallëri, si dhe me një shoqëri myslimane të hapur, pra më ndryshe në krahasim me viset e tjera që i ka vizituar dhe përshkruar E. Çelebiu. Por ajo që e veçon këtë botim, i cili përfshin Kosovën, është përcjellja e vendeve të përmendura në libër me 18 piktura të piktorit të njohur anglez, Edward Lear, i cili i vizitoi po ato vende më 1848, e me këtë botimi bëhet më tërheqës për ata që nuk i njohin këto vise.

Vlen të përmendet se ky botim do të promovohet më 1 tetor në Panairin XX Ndërkombëtar të librit në Amman, në prani të Qendrës Kombëtare e Librit në Tiranë, e cila e financoi pjesërisht këtë botim.