Shtojca për Kulturë

Interpretimi i gjuhës në kontekst

Descriptive Text

Askush nuk flet në të njëjtën mënyrë në çdo situatë. Të gjithë kanë një motiv ose qëllim kur e zgjedhin një formë gramatikore ose një fjalë në vend të një tjetre, që është potenciale kuptimisht, por e dalluar kah ana strukturore dhe konotacionare. Folësit i shfrytëzojnë nuancat e ndryshme të gjuhës, normat e sjelljes gjuhësore për një varg qëllimesh, qoftë për të shprehur afrimitet, distancë, respekt, falënderim etj.

Këndvështrimi shumërrafshësh i gjuhës e ka mundësuar zgjerimin shumëplanësh të kategorive e tipologjive gjuhësore të ndara në planin brendalinguistik dhe social, duke dritësuar segmente mjaft të komplikuara, por aktive gjatë prodhimit gjuhësor. Tërësia komplekse e rregullave që ndiqen, megjithatë, mundëson vizatimin e skenarëve të mundshëm në kokë (mënyrën se si do të përdoret gjuha në domene të caktuara, mbulimin e shumë koncepteve sipas të përbashkëtave), e të cilët arrijnë të përvetësohen gradualisht duke u integruar në rreth shoqëror.

Njerëzit bëjnë pjesë në një grup të caktuar social, i cili pashmangshmërisht, drejtpërsëdrejti ose në mënyrë indirekte, ka ndikim në shqiptim, variacion, fjalor e në dendurinë e përdorimit të tipareve të caktuara gjuhësore.

individi operojnë faktorë të shumtë psikikë, pragmatikë e socialë në ndryshimin e zgjedhjeve gjuhësore, normat e interpretimit e të (ri)konstruktimit diskursiv. Folësi, kur e formon kompetencën komunikuese nga përvoja gjuhësore dhe ambienti përreth, përdor konstrukte karakteristike në harmoni me kontekstin, për t’i arritur synimet e veta. Këtu mund ta përfshijmë edhe posedimin e aftësive të mira për dëgjim aktiv e të vëmendshëm kur të tjerët shprehen, sepse kjo zotësi lidhet me marrëdhëniet korrekte interpersonale, me solidaritet reciprok.

Të gjithë individët i posedojnë repertorët e tyre stilistikë, të cilët i përdorin në situata të caktuara, e që janë të determinuar nga faktorët socio-kulturorë, po edhe individualë (gjendja e folëses), e rrafshet e tjera të sjelljes. Gjinia, klasa shoqërore, diferencat regjionale, sociale, situata janë disa nga faktorët determinues e diktues në variacionin gjuhësor.

Në situata formale jemi më të kujdesshëm, mendojmë më shumë se një herë para se të flasim, megjithëse shumica e njerëzve nuk e vënë re apo nuk janë në gjendje me themel e bazë kushtëzuese ta shpjegojnë tërësisht këtë fakt. Do të thotë se kompetenca sociolinguistike shkon përtej asaj gjuhësore, duke përfshirë, ndër të tjera, edhe zgjedhjen e duhur të temave me persona të caktuar. Sipas studiuesve Tamme dhe Elizabeth Wittermans, interpretimi i drejtë i gjuhës shumë shpesh bazohet në përsëritjen e situatave të njëjta sociale, sidomos kur ato janë të përjetuara në të kaluarën nga pjesëmarrësit në komunikim. Por, nëse folësit nuk i kanë të përvetësuara apo të përjetuara situatat e caktuara, nuk e kanë të njëjtën kornizë të referencës. P.sh. sipas tyre, prindërit thonë se fëmijët e tyre parashkollorë nuk mund ta interpretojnë shenjën “zyrë”, sepse nuk e kanë referentin adekuat për të, meqë përgjithësisht, në këtë moshë nuk përdoret kjo fjalë nga fëmijët.

Mënyra e përdorimit të gjuhës u jep informacion të tjerëve për të dhëna sociale, burimin se nga vijnë folësit gjeografikisht, por edhe çfarë përvojash shoqërore kanë pasur, e prej mënyrës së të shprehurit, shfaqet identiteti e pozita shoqërore. Ronald Wardhaugh në studimin e tij e paraqet si faktor moshën, ku fëmijët flasin ndryshe nga të rriturit. Në studimin e tij, si ndryshor sociolinguistik është mosha, e cila sjell dallime të dukshme në aftësitë e përdorimit të gjuhës si për nga cilësia e modelimit të informacionit (relacionet logjike ndërmarrëdhëniesore), e deri te shfrytëzimi i funksioneve të komunikimit. Pra, gjuha, si fenomen shoqëror, në mënyrë të paevitueshme është pjesë e çdo aspekti në jetën sociale: mundëson gjykimin e cilësisë së mendimeve e shërben si indeks i shkallës së përgatitjes së individit për t’u shprehur konform domenit aftësitë e tjera komunikuese.

Folësi është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet, pjesëmarrësit e komunikimit etj. dhe u përmbahet disa rregullave që i ka në mendje nga përvoja. Kjo vlen edhe për përshëndetjet. P.sh pyetja si je? nuk shpreh interes të drejtpërdrejtë për shëndetin ose për përgjigjen, por është një ritual ose frazë për fillim të bisedës, për shprehje solidariteti. D.m.th. përshëndetja e tipit “tung” “a jeni mirë?, siç shprehet John Lyons, është shprehje e caktuar shoqërisht në situatën e paraqitjes formale dhe kjo shprehje, në këto situata, është e domosdoshme. Shprehja e tillë e marrë në vetvete, mund të jetë e domosdoshme në kontekst, por ajo mund të shqiptohet në mënyra të ndryshme: me mirësjellje, me përbuzje, me plogështi, me mendjemadhësi. Sipas tij, këto modalitete të shprehjes mund të shqiptohen me theksim dhe gjeste shoqëruese. Bashkëbiseduesit pra, e përdorin gjuhën jo vetëm sipas perceptimit individual, por edhe atij social e kulturor.

Konteksti i përdorimit të gjuhës

Të shprehurit gjuhësor nuk është thjesht individual, pasqyrues i gjendjes personale, por po aq është edhe social, i determinuar nga konteksti. Sipas studiuesit Yule, konteksti përkatës është përfaqësimi ynë mendor për ato aspekte që janë fizikisht të pranishme dhe që i përdorim për të arritur në interpretime të caktuara. Të kuptuarit për shumë nga ato që lexojmë dhe dëgjojmë, është i lidhur me kontekstin fizik, veçanërisht kohën dhe vendin në të cilin hasen shprehje gjuhësore.

Sociolinguistët dallojnë tri lloje kontekstesh:

A. Konteksti(koteksi) gjuhësor u referohet rrethanave gjuhësore gjatë diskursit, që paraqet lidhjen mes fjalëve, fjalive të interpretuara brenda tekstit. Shkurt, si kotekst përkufizohen si faktorët e brendshëm të gjuhës.

B. Konteksti situacional i referohet mjedisit, kohës dhe vendit ku ndodh diskursi e gjithashtu, lidhjes së tij me pjesëmarrësit e komunikimit.

C. Konteksti kulturor i referohet lidhjes mes përdorimit të gjuhës dhe kulturës (si sistem vlerash).

Ai i referohet çdo aspekti të një situate të caktuar, përfshirë mjedisin social, informatat për statusin e folëses për ta kapur vlerën kuptimore më qartë. Shfrytëzimi i këtyre të dhënave që janë relevante, bën të mundur shmangien e ambiguitetit, marrjen e mesazhit të synuar.

Një përkufizim tjetër jep studiuesi Van Dijk. Sipas tij, konteksti përfshin lidhjen mes aspektit situacional, shoqëror, politik, kulturor të ambientit ku ndodh diskursi në njërën anë, dhe mënyrës së strukturimit të diskursit në anën tjetër. Ky kryqëzim, relacion i brendshëm apo takim i disiplinave e aspekteve që vijnë nga drejtime deri diku të përkundërta nëpër shtresëzime sociale pasqyron perspektivën ndërdisiplinare të kontekstit, qasjet e shumta metodologjike (analitike, sintetike, induktive e deduktive) të nevojitura për studim të detajshëm të tij.

Kontekstet, sipas studiuesit Teun Van Dijk, nuk janë objektive ose kufizime të përcaktuara në shoqëri ose kulturë, por janë interpretime subjektive, definime të ambientit social. Ai thotë se aspektet tradicionale të kontekstit si ai shoqëror, politik e kulturor, nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me diskursin. Pra, nuk ka ndonjë kushtëzim direkt mes grupeve të institucioneve, pozitave sociale dhe ndërtimit të diskursit. Van Dijk shton se gjinia, klasa, etnia, mosha, pozita nuk operojnë objektivisht në diskurs. Ato nuk e kontrollojnë mënyrën e shprehjes gjuhësore si diçka objektive, por thjesht janë mënyra se si e interpretojnë pjesëmarrësit mënyrën se si bashkëveprojnë këta faktorë në situata të caktuara të komunikimit. Ky është këndvështrim më i thellë i kontekstit dhe ofron një qasje interesante në studimet lidhur me këtë fushë.

Formimi i repertorit gjuhësor

Pjesëmarrësit në komunikim mund të kenë origjinë të ndryshme regjionale, sociale apo etnike dhe praktika të ndryshme jetësore. Ata zhvillojnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin mënyra të të folurit, besime, pra formojnë një bashkësi të caktuar gjuhësore. Kjo bën që të zgjedhin mënyra të veçanta të të shprehurit gjuhësor që rrjedhin nga kalimet e zhvillimet socio-semantike, konotacionet e pikasjet komplekse që ndodhin brenda gjuhës në kohë dhe me lindjen e koncepteve të reja (zgjerimin e nomenklaturës semasiologjike) e modifikimin e atyre të vjetra.

Sistemi gjuhësor, si mekanizëm apo “pajisje” unike njerëzore, ekziston në mendjen e folësve qysh në lindje. Por, ekspozimi ndaj mjedisit shoqëror e kushtëzon formimin gjuhësor. Kjo i bie se mekanizmat e lindur për nxënie të plotë nuk mjaftojnë dhe, nëse e shohim nga perspektiva sociologjike, marrëdhëniet gjuhë-shoqëri janë jashtëzakonisht të ngushta, madje çdo qasje që i bëhet gjuhës, ka pika lidhjeje me aspektin social.

Siç thotë edhe sociolinguistija Katie Drager, “gjuha është edhe shoqërore edhe individuale; ndërtimi i kuptimit të një shenje është një ndërmarrje shoqërore, e mënyra se si ruhet dhe si përdoret kjo shenjë nga folësi është e determinuar nga eksperienca individuale dhe ajo shoqërore” Ajo i formëson mendimet, ndjenjat, qëllimet, përdoret për të shprehur identitetin shoqëror, prirjen për t’i shmangur përsëritjet e vazhdueshme etj. Variacioni më i shkujdesur, më joformal përdoret me personat të cilët konsiderohen më intimë sa i përket afërsisë, derisa ai i kujdesshëm dhe formal përdoret me individët të cilët i pandehim më të distancuar. Në rastin e parë, ka pasaktësi sa i përket zbatimit të gjuhës standarde, kurse në të dytin, kemi një qëndrim më formal dhe tentojmë të flasim një gjuhë më standarde.

Faktorët aktivë ndikues në gjuhë

Gjuha e përdorur, faktikisht, nuk varet vetëm nga një faktor, por gjatë diskursit manipulojnë një mori faktorësh, të cilët bashkërenditen, ndonjëherë i nënshtrohen vullnetit të folësit e rezultojnë me performancë të mirë ose jo. Kjo vështirëson të arrihet në përfundime absolute, të sakta dhe studim shterues, por i jep rrugë arritjes së synimit për përcaktim të rolit të tyre në sjelljen gjuhësore. Por, duhet bërë dallimi mes konceptit si kategori psikologjike dhe fjalës si kategori gjuhësore. Fjala është vetëm mjet përmes të cilit zgjerohet fusha semantike dhe mbishtresohet kuptimisht shenja gjuhësore, ndërsa koncepti përbën idenë abstrakte të folësit për një nocion ose dukuri.

Studiuesi Grosjean ka propozuar katër kategori të faktorëve sociolinguistikë që përmbajnë më vete disa nënkategori, bazuar në studimet e tij sociolinguistike në terren:

1. Pjesëmarrësit: aftësitë gjuhësore, statusi socioekonomik, mosha, gjinia, profesioni, edukimi, etnia, familjariteti me të, qëndrimi i tij/saj ndaj gjuhës dhe përvoja e tij/saj gjuhësore.

2. Situata: lokacioni, prezenca e monolingëve, shkalla e formalitetit, shkalla e intimitetit.

3. Përmbajtja e diskursit: tema, lloji i fjalorit të përdorur

4. Funksioni ose arsyeja e komunikimit gjuhësor: ngritja e statusit, krijimi i distancës sociale, përjashtimi i dikujt, kërkesa për diçka.

faktin se truri ynë i recepton faktorët kontekstualë, detyrimisht kanë ndikim të madh, megjithëse shumica e njerëzve nuk e vënë re dhe nuk janë në gjendje ta shpjegojnë këtë. Ky kushtëzim fillon të formohet qysh në fëmijëri, madje pa marrë udhëzime të drejtpërdrejta nga të tjerët.

Janet Holmes, sipas së cilës, në përgjithësi, sa më i orientuar nga pikëpamja referenciale të jetë një ndërveprim, aq më pak priret ai që të shprehë ndjenjat e folëses dhe ndërveprimet ku mbizotëron shprehja e ndjenjave japin pak informacion të ri, përpos faktorëve të lartpërmendur, dallon edhe katër përmasa shoqërore që lidhen dhe nënkuptohen nga këta faktorë :

1. Shkalla e distancës shoqërore, që ka të bëjë me marrëdhëniet e pjesëmarrësve në komunikim.

2. Shkalla e statusit, që ka të bëjë me marrëdhëniet e pjesëmarrësve në komunikim. Kjo shkallë tregon rëndësinë që ka në disa zgjedhje gjuhësore statusi në raport me tjetrin. Kështu zgjedhja e fjalës zotëri, drejtor, tregon se dikush ka status më të lartë dhe prandaj, meriton një fjalë që shpreh respekt.

3. Shkalla e formalitetit lidhet me kontekstin dhe llojet e ndërveprimit. Kjo shkallë është e nevojshme për ta vlerësuar ndikimin e mjedisit shoqëror ose në llojin e ndërveprimit në zgjedhjet gjuhësore. Në një komunikim formal, siç është ai me menaxherin e bankës në zyrën e tij apo në një shërbesë në kishë, gjuha do të ndikohet nga formaliteti i kontekstit. Zakonisht shkalla e formalitetit përcaktohet më së shumti nga marrëdhëniet e solidaritetit dhe statusit. Por, në një mjedis formal siç është gjykata, do të ndikojë në zgjedhjen gjuhësore, pavarësisht prej marrëdhënieve personale mes folësve.

4. Shkallët e funksionit referencial dhe afektiv – kjo përmasë lidhet me funksionet mbizotëruese dhe themelore të gjuhës. Gjuha mund të bartë informacion objektiv të llojit preferencial, por edhe mund të shprehë ndjenjat e dikujt.

Ndryshimi i njërit faktor influencon përzgjedhjen e variantit të duhur, përmbajtjen e mesazhit të synuar nga folësja.

Van Dijk i kritikon sociolinguistët që thonë se situatat, grupet, klasat sociale ndikojnë drejtpërdrejt në diskurs. Sipas tij, faktorët kontekstualë nuk ndikojnë dhe nuk janë të lidhur vetvetiu me tiparet tekstore dhe linguistike. Interpretimi, kuptimi, strategjitë komunikuese, sipas këtij studiuesi, nuk kanë natyrë sociale, por janë krejtësisht kognitive dhe për këtë arsye, kërkojnë një analizë të tillë. Nëse e interpretojmë mendimin e Van Dijkut, mund të nxjerrim si përfundim se besimi, dija, mënyra e qasjes ndaj kontekstit është individuale, personale dhe subjektive, edhe pse është diçka që mësohet nga rrethi social. Pra, pavarësisht se skemat për faktorët sociolinguistikë, si të gjitha modelet mendore, janë subjektive, individuale për çdo person, ato nuk shfaqin thjesht bindjet dhe njohuritë personale, por gjithashtu janë pjesë e njohurive të përbashkëta shoqërore e kulturore. Pastaj, këto reflektohen në prodhimin gjuhësor dhe në kompetencën komunikuese të individit.