Shtojca për Kulturë

Vit i mbrapshtë për artin

Descriptive Text

Institucionet më relevante kulturore vitin e kaluar kanë qenë ato të cilat janë treguar të përgjegjshme në shërbimin e komuniteteve të tyre – pra, në shërbimin e artistëve dhe publikut. Përtej ndërtesave joshëse dhe rizhvillimeve symarrëse, këtu qëndron vlera e vërtetë e institucioneve kulturore

Aq sa mbahet mend, s’ka pasur vit më të mbrapshtë për muzetë dhe galeritë, pa hequr nga ky mes as organizimet e ndryshme artistike. Mbyllja e detyruar nga pandemia COVID-19 bëri që ato të mos gjeneronin të hyra nga shitja e biletave, koncertet apo performancat e ndryshme nëpër kafene e lokacione të tjera të ngjashme. Kur u rihapën për një kohë verën e shkuar dhe përsëri këtë pranverë, prapë u përballën me reduktimin e numrit të pjesëmarrësve nëpër evente dhe koston e lartë të ndërhyrjeve të nevojshme për t’i bërë mysafirët e pranishëm të ndihen të sigurt nga virusi.

“Museums Prize”, drejtuar nga shoqata Fondi i Artit, ka një histori të çmueshme të shpërblimeve ndër vite. Shpesh në të kaluarën fokusi është drejtuar në projekte kapitale multimilionëshe. Dy vjetët e fundit, ndërkaq, është parë një ndryshim në fokusin e çmimit – i tillë që mund të paraqesë një ndryshim tejet të madh të asaj se si shihet vlera kulturore. Më 2020, çmimi, që veç ishte në proces kur pandemia goditi botën, u nda mes kandidatëve të përzgjedhur dhe paratë e çmimit u dyfishuan në 2000.000 dollarë. Këtë vit, aplikantëve u janë bërë tri pyetje të thjeshta: Çka nxori në pah imagjinatën dhe vendosmërinë tuaj? Pse mendoni se kjo bën diferencën? Si do ta formësoni këtë në të ardhmen?

Organizatorët kësaj radhe pranuan tri herë më shumë aplikime sesa zakonisht. Thanë, ndër të tjerash, se kishte material aq të çmueshëm sa mund ta përpiloje një listë të ngushtë disa herë. Sidoqoftë, në fund mbetën pesë aplikantë: “Centre for Contemporary Art in Derry”, “Experience Barnsley”, “Firstsite in Colchester”, “Thackray Museum of Medicine in Leeds” dhe “Timespan”. Secili nga këta muze gjeti udhë interesante për të vazhduar përpara edhe atëherë kur pandemia pothuajse paralizoi gjithçka dhe dyert e muzeve nëpër botë u mbyllën për vizitorët.

Pra, derisa njëri bëri përpjekje të mbinatyrshme për t’i mbështetur artistët me para, tjetri ndihmoi në ruajtjen e zhvillimin e krijimtarisë në mesin e auditorit lokal. Tjetri, muzeu “Thackray”, u bë i pari muze që shërbeu si qendër vaksinimi, derisa udhëhoqi edhe fushata edukimi për shëndetin publik. Ndërkohë, “Firstsite” zhvilloi projekte të shkëlqyeshme për fëmijët në izolim, e “Timespan” i dha jetë një klubi kopshtarie dhe zhvilloi klasa gatimi online. Javët e ardhshme, juria që ndan çmimin – e përbërë nga Jenny Waldman dhe Katrina Brown – do ta vizitojnë çdo institucion për të vendosur në fund fituesin, i cili do të shpallet në Muzeun e Shkencës në Londër, më 21 shtator.

Gjatë njëzet vjetëve të kaluar, idealet e “përsosurisë” dhe “aksesueshmërisë” në fushën e arteve nganjëherë janë parë në konflikt me njëri-tjetrin. Janë ngritur dhe shqetësime se fokusi i tepërt në dobinë sociale të artit mund t’i largojë artistët nga bota e shqetësimeve artistike, të cilat nxisin krijimin. Kjo realisht ka qenë një dikotomi para-pandemike dhe COVID-19 veç e ka fuqizuar më shumë. Institucionet më relevante kulturore vitin e kaluar kanë qenë ato të cilat janë treguar të përgjegjshme në shërbimin e komuniteteve të tyre – pra, në shërbimin e artistëve dhe publikut. Përtej ndërtesave joshëse dhe rizhvillimeve symarrëse, këtu qëndron vlera e vërtetë e institucioneve kulturore.

(Marrë nga “The Guardian”)