Shtojca për Kulturë

Dita kur kapiten Halimi e solli në Bari anijen e ëmbël “Vlora”

Ditari i Adriatikut: Andej komunizëm, këndej kapitalizëm – mbi refugjatët shqiptarë të cilët erdhën në Bari më 8 gusht 1991, skenat apokaliptike dhe një kapiten që donte të sillte sheqer nga Kuba në Durrës.

Bari - Historia e Europës është histori e kufijve. Bari, njëri nga qytetet më jugore të Italisë, për shembull, përherë ka qenë zonë e përplasjes së interesave dhe ambicieve të fuqive të ndryshme. Në vitin 847 një flotë myslimane pushtoi portin e Barit dhe shpalli këtu një Emirat, i cili u shpërbë më 871 kur frankët dhe bizantinët u bënë bashkë për t’i dëbuar myslimanët – ose saracenët, siç quheshin popujt islamikë, të cilët afërsisht nga viti 700 nisën të depërtonin në Mesdhe.

Historinë evropiane si histori të kufijve si rrallëkush e shpjegon shkencëtari gjerman, Karl Schlögel: “Shikuar në makinën e kohës, gjithë historia europiane është një histori e pandërprerë e zhvendosjes së pushtetit dhe kufijve, prishjes së vijave të demarkacionit të respektuara gjatë, një procesi të revidimit herë paqësor, herë të dhunshëm, i cili s’pushoi kurrë. Historiografia në pjesën më të madhe është rekonstruksion i këtyre lëvizjeve zhvillimore dhe revizioniste. Historiografia përqendrohet veçanërisht përgjatë kufijve. Ajo është e specializuar në zhvendosjen e kufijve. Ajo i konsideron ata si indikatorët më ekzaktë për dinamikën, mësymjet dhe tërheqjet. Kufiri është vendi i privilegjuar për një historiografi shteruese hapësinore-kohore. Këtu matet fuqia e impulseve, forca goditëse e mësymjeve, qëndrueshmëria e novacioneve apo edhe mbetja e tyre në baltë. Këtu shihet se kush ka impakt historik apo çka nuk është e përhershme dhe rrjedhimisht tërhiqet sërish”.

Kufijtë janë edhe diçka tjetër: vende të proceseve të transferit dhe përzierjes, prej nga lind diçka e re. Në periferi, siç nënvizon Schlögel, njeriu sheh ndryshe dhe diçka tjetër sesa në qendër së cilës shpesh i mjafton vetja.

Në verën e vitit 1991, dhjetëra-mijëra shqiptarëve nuk u mjaftonte vetja. Të lodhur nga izolimi shumëvjeçar, të uritur, të shpërfytyruar, me dinjitet të rrëmbyer – shqiptarët kishin vetëm një ëndërr: ikjen në Itali. Vendosmëria për të shkuar në vendin fqinj ishte rritur pasi Partia e Punës në mars e kishte shpallur fitoren në zgjedhjet e para parlamentare me shumë parti. Deri në fund të korrikut mes 25 mijë dhe 32 mijë shqiptarë kapërcyen detin dhe arritën në Bari, Monopoli, Brindisi dhe Otranto. Autoritetet italiane kishin një mesazh për këta njerëz: kërkoni punë ose azil.

Më 8 gusht, situata ndryshoi në mënyrë radikale: pas një odiseje nga porti në port në bregdetin italian, anija “Vlora” mbërriti në portin e Barit. Në barkun dhe platformat e saj kishte rreth 10 mijë refugjatë. Qeveria italiane vendosi që të gjithë të kthehen në Shqipëri. Kapiteni Halim Milaqi nuk pranoi të lundrojë prapa me arsyetimin se anija ishte prishur dhe kur disa kërcënuan me vetëvrasje, roja bregdetare italiane i dërgoi refugjatët në stadiumin e futbollit të Barit.

“Skena apokaliptike tmerrojnë në mbrëmje, përmes televizionit, familjet që hanë darkë në tryezat e shtruara mirë: gra shqiptare që i mbajnë para kamerave foshnjat e tyre apatike dhe luten për ujë; 10 mijë fatkeq në stadiumin e dalë nga përdorimi ‘Stadio della Vittoria’ në Bari, të cilët me vështirësi mbahen nën kontroll si kafshë të egra nga jo më shumë se njëqind karabinierë; ose ndjekja e shqiptarëve të ikin rrugëve të kryeqytetit të Pulias” - kështu e përshkruante “Der Spiegel” në gusht të vitit 1991 gjendjen në Bari. Për revistën gjermane, gjendja në Bari ishte një “ferr dantesk nga Mesjeta më e errët”. Në romanin e tij “Një natë në Bari” shkrimtari Gianrico Carofiglio shkruan: “Kur i shohim sot këto pamje, kemi një ndjenjë tëhuajësimi. Ndërsa këndej kaloi historia, ne nuk ishim vërtet këtu. Por as gjetiu”.

Qeveria italiane u tregua e ashpër dhe brenda dy javësh i ktheu pasagjerët e anijes “Vlora” në Shqipëri. Ndonëse në vitet në vijim ikja e shqiptarëve nuk ishte masive, ajo nuk pushoi kurrë. Trafikimi i njerëzve u bë biznes fitimprurës për mafien shqiptare dhe atë italiane. Pas shembjes së piramidave mashtruese financiare vetëm në mars 1997 sërish mbi 10 mijë shqiptarë ikën në Itali. Po atë muaj në Kanalin e Otrantos u fundosën 78 shqiptarë, andaj disa shqiptarë rrugën e Otrantos e quajnë “Kanali i lotëve”.

Anija e ndryshkur “Vlora” në vitin 2015 filloi të lundrojë sërish – kësaj radhe si fotografi në mediat sociale. Politikanë popullistë, të cilët hidhnin poshtë mikpritjen e refugjatëve në Gjermani nga ana e qeverisë së kancelares Angela Merkel, e shpërndanë fotografinë e anijes shqiptare të ngarkuar dhe rrethuar me mijëra refugjatë si pamje kërcënuese ndaj Europës.

Sot në Itali jetojnë mbi gjysmë milioni shqiptarë, vetëm në rajonin e Pulias së paku 200 mijë. Çfarë u bë me anijen “Vlora”? E ndërtuar në vitin 1960 në Ancona, ajo lundroi me flamur shqiptar deri në vitin 1996. Mbi një çerekshekulli pas eksodit kapiteni Halim Milaqi kështu e kujtonte atë periudhë në një televizion shqiptar: “I kujtoj, rrëqethem dhe nuk e mendoj e nuk arrij ta kuptoj se si është vepruar për të parandaluar ndonjë tragjedi që mund të ndodhte në çdo moment. Kanë qenë në bord rreth 20 mijë vetë, me motor të hapur për riparim; nga ekuipazhi i anijes, sidomos nga sektori i makinerisë, është bërë e pamundura që të riparohet për të shkuar drejt portit italian. Pavarësisht se njerëzit kërkonin të shkonin edhe më tutje, në Gjermani apo Holandë, por ishte e pamundur për shkak se ishim pa ushqim dhe pa ujë”.

“Vlora”, anija me emrin me pesë shkronja, u quajt atëbotë edhe “anija e ëmbël”, sepse kishte një ngarkesë prej 10 tonelatash me sheqer, të cilin e kishte sjellë nga Kuba. Por Halim Milaqi nuk arriti ta shkarkojë kurrë mallin, sepse mjetin e tij lundrues e zaptuan mijëra shqiptarë. “Kishin armë, më detyruan të drejtohesha për në Itali”, ka treguar ai para kamerave në filmin dokumentar “La nave dolce” (Anija e ëmbël) të regjisorit Daniele Vicari.