Shtojca për Kulturë

“Moshe: Një tregim në vazhdim” nëpër realitetin e përçudnuar të Kosovës

Artisti e stomatologu, Orhan Kurtolli, që miqtë e njohin si Moshe, nëpërmjet ekspozitës së tij të hapur në “Stacion”, sjell një vrojtim artistik për ambientin, kushtet, njerëzit dhe arkitekturën e Prishtinës dhe të shoqërisë kosovare. Por, kjo është vetëm njëra pjesë. Me ekspozimin e copëzave të gazetave, blloqeve të shënimeve, e materialeve të tjera arkivore, deshifron kontekstin e viteve ‘70 në Kosovë

Një shëtitje nëpër ekspozitën “Moshe: Një tregim në vazhdim” të artistit e stomatologut Orhan Kurtolli, e hapur nga qendra për art bashkëkohor “Stacion”, është vrojtim nga një pikëpamje e veçantë artistike. Nëpërmjet artit, Kurtolli tregon se si ai i ka parë zhvillimet në Kosovë, qëkur ishte në shkollë të mesme e deri në ditët e sotme. Dymbëdhjetë veprat e ekspozuara bashkë me një vitrinë, ku me pedanteri janë vendosur dokumentacione e punime nga arkivi personal i artistit, në një formë janë përshkrim artistik i fenomeneve të ndryshme që kanë ndodhur përreth Kurtollit, qofshin ato politike, shoqërore, ekonomike e të ngjashme.

Vëmendja për ekspozitën e hapur më 26 maj, në ish-objektin e Klubit të Boksit, kuruar nga Albert Heta, u rikthye kur “Stacioni” organizoi të premten mbrëma një shëtitje me artistin.

Gjersa kalonte pranë veprave të tij, shpaloste detaje për procesin e krijimit. Kjo është parë si një mundësi që të tregohet se veprat që shpesh konsiderohen si surrealiste, janë në fakt vështrim i thellë i artisti karshi realitet kosovar.

Image
Vitrina me materiale arkivore kthen kohën në vitet ‘70

“Për mua ky është një realitet i përçudnuar, ndonjëherë tepër i karrikuar. Nuk mund t’i thuash as pikturë surrealiste pa e kuptuar se nga vjen artisti”, ka thënë kuratori i ekspozitës Albert Heta, gjersa ka theksuar dy veprat në formatin më të madh (“Përtej titullit” 2019, 240 me 72 centimetra, dhe “Përtej titullit” 2019, 263 me 70 centimetra). Janë dy vepra të ekspozuara për herë të parë, pjesë e një serie me të gjerë të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ekspozitën personale të artisti të titulluar “Koordinatat Onirike të Nënvetëdijes”, kuruar nga Gëzim Qendro më 2014.

Pikturat shpalosin kryeqytetin. Brenda gjendet një peshk, një lapidar i një heroi, një teatër, një anije të cilën dikush dëshiron ta tërheqë, një ndërtesë e vjetër e rrethuar nga ndërtesa të larta, fjalia: “Të jetosh pa kufizime”, disa njerëz me maska, një burrë me plis, disa pemë, mbeturina e shumëçka tjetër.

Megjithatë, kushdo që e njeh sadopak vendin e në veçanti Prishtinën, do ta kuptojë që vendosja e elementeve në këto dy piktura është shumë larg një radhitjeje të rastësishme.

Për të realizuar këto piktura, artisti punonte deri në dhjetë orë, në ditët e tij të lira nga profesioni i stomatologut. Ka thënë se 15 vjet i mori ndërtimi i një cikli të tillë.

“Piktura surreale është shumë interesante, e ke një ide diku, por nuk e di se si fillon. Je i ngarkuar me atë ide dhe nuk e di se ku përfundon, ka aq shumë hapësirë dhe mundësi për me u mbytë dhe kam dashur atë mesazh ta ngarkoj aq shumë sa të mos ketë më vend as për frymë”, ka thënë Kurtolli gjersa ka theksuar se pikturat lidhen me atë gëzimin për lirinë dhe fillimin e degradimit të kryeqytetit, vendit ku ishte lindur e jeton.

“Kisha shumë dhimbje. Mendoja që krejt ndryshe duhej të ruhej ajo trashëgimia jonë, sado e vogël, që e kishim, pasi që kishim nevojë për një vazhdim të tregimit. Kështu nisi nënvetëdija ime, imagjinata që e kam, e dëshira dhe prirja për të vizatuar shpërtheu në këtë formë”, ka thënë ai.

Përderisa këto vepra për shumëkënd mund të jenë të njohura, pikërisht për shkak të ekspozitës së mëhershme në GKK, pjesa tjetër e veprave të realizuara viteve të fundit e sjellin artistin me piktura formatesh më të vogla. Mirëpo, edhe te to nuk mungojnë elementet e shumta të gërshetuara, që për dallim nga dy pikturat e tjera, vijnë në korniza të holla të drunjta, ngjyrë të bardhë.

“Ika nga tollovia e cila më ngarkoi shumë dhe u tërhoqa në vetmi dhe si pasojë e kësaj erdhi një vendosje e vetes në një situatë krejt tjetër pak i vetmuar”, ka thënë artisti për veprat e tjera, të realizuara gjatë periudhës 2014-2021. Në to dallohen format gjeometrike, veçanërisht katrorët dhe shkallët të cilat nuk mungojnë tek asnjëra prej veprave.

“Fatkeqësisht në vendin tonë njerëzit harruan që për të arritur diçka, duhet ngjitur disa gjallë, një nga një”, ka thënë artisti. Ka treguar se pikturat e tij reflektojnë një vrojtim të angazhuar të ambientit, kushteve, njerëzve dhe arkitekturës së Prishtinës dhe të shoqërisë kosovare.

Image
Pjesa tjetër e veprave të realizuara viteve të fundit e sjell artistin me piktura formatesh më të vogla. Gjuha surrealiste është emëruesi i përbashkët i tyre

Në veprat e artistit, eksterieri dhe interieri bashkëdyzohen dhe gjithmonë autori brenda pikturave të tij krijon një mundësi për të dalë nga to, një mënyrë për të menduar për realitetin në vend nga një perspektivë më e gjerë apo ndoshta edhe shenjë e utopisë nga ana e artistit.

Sipas kuratorit Heta, për të kuptuar këto pjesë të ekspozitës “Moshe: Një histori në vazhdim”, duke shikuar fillimisht pjesën e parë të saj. Ajo përbëhet nga vepra “Përtej titullit” e 1971-s, 27 me 29 centimetra dhe një vitrinë ku janë ekspozuar copëza gazete, blloqe shënimesh, vepra arti e materiale të tjera arkivore që deshifrojnë kontekstin e viteve ’70 në Kosovë.

“Veprat artistike të Orhan Kurtollit të zgjedhura nga kjo periudhë, për ekspozitën tërheqin një pamje optimiste dhe utopike të botëkuptimit ideologjik të ndërtuar nga interpretimi i artistit, i ndikuar nga ngjarjet, shkëmbimi i ngushtë shoqëror dhe marrëdhëniet politike dhe zhvillimet globale në art dhe politikë”, ka thënë Heta.

Ai ka treguar se hulumtimi për këtë ekspozitë kishte nisur si një lloj kureshtjeje, pasi që i ka interesuar se nga vjen kjo praktikë, mënyrë e punës, shprehjes artistike.

“Nuk është diçka që rrjedh prej Akademisë sonë të artit dhe për me e kuptu, më tepër është dashur që të shkohet shumë më mbrapa, te vitet ‘70, ku vërehet tendenca e një pjese të skenës së artit, një grupi i vogël i artistëve se çka kanë punuar dhe çka kanë mundur të bëjnë”, ka thënë ai.

Ka theksuar se gjatë vrojtimit të tij të gjatë, Kurtolli po ashtu ka përjetuar edhe zhvillimet e hovshme historike në skenën e artit pamor në Kosovë dhe zhvillimet e përmbysjet në kontekstin shoqëror dhe politik kosovar. Ka treguar se titulli i ekspozitës vjen nga një shënim në bllok, por që lidhet edhe me atë se veprat e ekspozuara shpalosin një tregim në vazhdim. E Moshe, ka thënë se është një nofkë e cila artistit i kishte mbetur që në fëmijëri, e që po ashtu ka një rrëfim më vete. Kështu e thërriste një grua hebraike, kur ishte fëmijë.

Ekspozita “Moshe: Një tregim në vazhdim” do të qëndrojë e hapur deri më 26 qershor.

Artisti Orhan Kurtolli, deri tani ka marrë pjesë në ekspozitat kolektive: Çmimi “Muslim Mulliqi”, “A janë histori kujtimet tona?”, kuruar nga Iara Boubnova (Galeria Kombëtare e Kosovës, 2018), “Vizatimi sot”, kuruar nga Ismet Jonuzi (Galeria Kombëtare e Kosovës, 2018), Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit, kuruar nga Nebih Muriqi (Galeria Kombëtare e Arteve, 2015), Çmimi Muslim Mulliqi IX – “S’është e thënë që gjithnjë të jetë e bukur, përveç nëse është e bukur”, kuruar nga Galit Eilat dhe Charles Esche (Galeria Kombëtare e Kosovës, 2012), Çmimi Muslim Mulliqi XVIII, kuruar nga Valbona Rexhepi dhe Fitore Isufi - Koja (Galeria e Arteve e Kosovës, 2010), Çmimi “Gjon Mili VI” kuruar nga Andrew Testa (Galeria e Arteve e Kosovës, 2006) e të tjera.

Image
Orhan Kurtolli, duke folur për veprat e tij, në shëtitjen nëpër ekspozitë dhe bisedën me të, organizuar nga “Stacioni” të premten mbrëma