Shtojca për Kulturë

Gjurmët e artit ilir dhe lindja e kulturës arbërore

Shekujt V e VI shënojnë në historinë e ilirëve të jugut, një periudhë vendimtare: në këtë kohë u krye procesi konvergues i kulturës materiale të tyre, mori impulset një proces tjetër, i cili do të çojë në formimin e popullsisë arbërore, si vazhduese e asaj ilire. Lindja e kulturës ilire është më tërheqëse se fundi i saj. Me rrugën e vështirë e plot zik-zake dhe me fundin e saj kjo kulturë e tundon arkeologun. Por, prej saj do të lindë një kulturë e re vendëse, së cilës i takon e ardhmja. Kjo është kultura arbërore

Artistët popullorë në përputhje me ndjenjat e tyre e të popullit, kanë dhënë figura të zakonshme njerëzish me tiparet e tyre, nganjëherë të ashpra të cilat vinin edhe nga vështirësitë e jetës së përditshme. Tipare të tjera dalluese të tyre janë veshja popullore dhe stolitë që mbajnë figurat e skalitura dhe prejardhja e tyre, nga fshatra të krahinave ilire të Atintanisë e Dasaretisë.

Ky art popullor provon se procesi evolutiv i artit ilir gjatë shek. III-IV u zhvillua në mënyrë të rregullt. Në këto relieve, sikurse thotë shoku Enver Hoxha, “ne shohim edhe karakteristikat dhe dorën e stërgjyshërve tanë, gjë që vërteton se në kulturën e Romës, e cila zotëronte, ekzistonte edhe kultura e popullit tonë”. Në qoftë se shekulli IV i erës sonë tregon për një rritje të vendbanimeve fshatare e për një gjallërim të tyre, në qytetet ndodh e kundërta.

Pakësimi i jetës urbane në Epir

Ne kemi vënë në dukje dobësimin e shumë qyteteve ilire epirote që në shek. I-III të e. sonë dhe përpjekjet e tyre për të gjetur rrugë për të mbijetuar. Thellimi i krizës së rendit skllavopronar qe fatal për shumë prej tyre. Por, nuk ka pasur një çurbanizim të plotë të Ilirisë jugore, sikurse është shprehur edhe ndonjë studiues. Është e vërtetë se në këtë kohë bien e zhduken si qytete Apolonia, Oriku, Antigonea, Albanopoli, Dimali, Olympa e qyteza të tjera më pak të rëndësishme.

Më tepër u prekën krahinat e Atintanisë e të Kaonisë, ku kishte pasur një dendësi qytetesh e qytezash. Skodra e Lisi mbetën qytete të rëndësishme, e para u bë kryeqendra e provincës së Prevalitanës. Dyrrahu u bë kryeqendra e provincës së Epirit të Ri; qytete të tjera të kësaj province ishin Skampa, Partha, Antipatrea, Bylisi, Amantia, Aulona e Lyhnidi.

Në pjesën veriore të provincës së Epirit të Vjetër si qytete u ruajtën Onhezmi, Foinike, Hadrianopoli e Butroti. Me përjashtim të qendrave të mëdha qytetare, qytetet e tjera të fortifikuara kanë një shtrirje të kufizuar, një arkitekturë të thjeshtësuar, një popullsi të reduktuar dhe ndonjëri edhe një ruralizim të jetës.

Qarkullimi monetar

Megjithatë jeta qytetare vazhdoi. Në gërmimet arkeologjike në qendërbanime të shekullit IV monedhat janë gjetje të zakonshme; qarkullimi monetar, si një fenomen ekonomik i përgjithshëm ka qenë i shtrirë në tërë Ilirinë e Jugut. Monedhat e kësaj kohe kanë qenë me vlera të vogla, për një treg të brendshëm me pakicë, qarkullimi i tyre me shumicë reflekton një qarkullim të rregullt të mallrave, në radhë të parë të atyre bujqësore. Nga pikëpamja gjeografike, të ndihmuara dhe nga ekzistenca e një rrjeti rrugor të gjerë, ato kanë pasur një shpërndarje të madhe nga qytetet deri në krahinat e brendshme. Deri tani numërohen rreth 40 lokalitete ku janë gjetur monedha të shek. III e IV. Janë më të shumta monedhat e perandorëve Konstandini i Madh (306-337) dhe Valentiniani I (365-375), të lidhura ndoshta me veprimtarinë e tyre ndërtuese.

Image
Monedhat e gjetura më 1982 në lokalitetin e njohur si “Hija e korbit”, që mendohet t’u përkasë rrënojave të një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike. Thesari i gjetur në kodrën pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll, përbëhet prej 618 monedhash argjendi të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s (Foto: Muzeu i Bankës së Shqipërisë)

Ndërtimet e reja – rritje e qëndresës luftarake të ilirëve

Për Ilirinë e Jugut shekulli IV përfaqëson një nga periudhat në të cilën ka pasur një veprimtari të madhe të ndërtimeve mbrojtëse që do të vazhdojë edhe më vonë. Këto ndërtime u zhvilluan në dy drejtime: në rifortifikimin e disa kështjellave të lashta ilire dhe në ndërtimin e kështjellave të reja; ato u ndikuan nga gjendja e rëndë dhe e pasigurt e krijuar nga administrata perandorake, që e shtoi qëndresën e popullsisë vendëse, pastaj edhe nga kërcënimi i Perandorisë Romake nga sulmet e “barbarëve”. Numri i kështjellave të kësaj kohe të zbuluara në vendin tonë është i madh; ai ka ndryshuar mjaft pamjen e vjetër të shpërndarjes së qendërbanimeve. Grupin e parë të tyre e përbëjnë kështjellat fushore, castra-t, që kanë qenë fortifikime të vërteta ushtarake. Të tilla kanë qenë kështjella e Skampës, e Vigut (në rrethin e Shkodrës), Bushatit (në rrethin e Kukësit), e Grazhdanit (në rrethin e Dibrës), dhe Paleokastrës (në rrethin e Gjirokastrës). Ajo janë ngritur për vendosjen e njësive ushtarake të vendosura në Ilirinë e Jugut. Ne kemi dëshminë e “Notitia dignitatum” (Lista e rangjeve) për vendosjen në Skampa të njërit riga nëntë legjionet “pseudo-commitatenses” pseudo-lëvizëse.

Ngritja e kastrave jo vetëm në rrugët e dorës parë, por edhe në zonat e thella pranë rrugëve dytësore presupozon rritjen e frymës së luftës dhe të qëndresës në gjirin e popullsive ilire. Grupin e dytë e përbëjnë një masë e madhe kështjellash me përmasa e pozicione të ndryshme, me planimetri të thjeshta, por edhe të komplikuara, të ndërtuara me një teknikë tjetër, nganjëherë mbi themele apo mure të lashta, në varësi me mundësitë ekonomike që kishin ndërtuesit e tyre. Ato gjenden në tërë trevën jugore ilire. Nganjëherë formojnë grupe të veçanta përreth një qyteti, duke qenë jo shumë larg njëra-tjetrës, herë të tjera qëndrojnë të veçuara buzë rrugëve, në luginat e lumenjve.

Një kryengritje taulante

Këto kështjella ka kohë që kanë tërhequr vëmendjen e arkeologëve, por pak prej tyre janë gërmuar e studiuar në mënyrë sistematike. Kjo ka bërë që në literaturën arkeologjike të jenë shfaqur mendime të ndryshme për karakterin e ndërtuesit e tyre.

Në lidhje me ta duam të bëjmë dy vërejtje që na duken themelore. Pa mohuar mbrojtjen si qëllimin e parë të ngritjes së tyre, ne mendojmë se jo të gjitha kanë pasur karakter thjesht ushtarak, u kanë shërbyer vetëm garnizoneve ushtarake. Jo të gjitha u ngritën si rezultat i një veprimtarie të planifikuar ndërtuese, kuptohet, nga ana e autoriteteve romake për t’u mbrojtur nga dyndjet e “barbarëve”.

Ngritja e kështjellave në shekullin IV nuk duhet parë vetëm nga një këndvështrim romak, por diçka më gjerë, pa lënë mënjanë popullsinë autoktone, qoftë edhe si pjesëmarrëse në këto ndërtime. Prandaj, do të thoshim se midis tyre ka pasur kështjella të ngritura nga vetëm autoritetet provinciale për mbrojtjen e tyre dhe të rrugëve të komunikacionit nga kryengritësit ilirë. Në burimet e shkruara përmendet vetëm kryengritja e taulantëve e vitit 395 të erës sonë, por ka pasur edhe forma të tjera qëndrese të armatosura, qoftë edhe në formën e “latronëve”.

Ka pasur kështjella të popullsisë fshatare, ndërtime të bashkësive të ndryshme ilire, me qëllime mbrojtëse, duke qenë njëkohësisht edhe qendra ekonomike. Një shembull të bukur ka dhënë kështjella e Pogradecit, ku, nga analiza e rezultateve të gërmimeve arkeologjike, ka dalë mendimi se, me rënien e shumë qyteteve, roli ekonomik i tyre kaloi pjesërisht në kështjellat e fortifikuara të kohës së vonë antike.

Në shqyrtimin e shndërrimeve të ndodhura në etapën e dytë (shek. IV) në Ilirinë e Jugut ne kemi filluar me vendbanimet fshatare e rëndësinë që fitoi bujqësia në atë kohë, duke u zgjeruar përparimisht në çështje të tjera ekonomike-shoqërore e kulturore.

Lindja e kulturës arbërore nga ajo ilire

Gjatë këtij shqyrtimi ne kemi konstatuar se popullsia ilire jo vetëm që ishte ruajtur, por edhe rritur nga pikëpamja demografike, duke u bërë në vendin e vet një forcë e madhe dhe e qëndrueshme. Në fushën e kulturës materiale ajo mori nga kultura romake disa forma objektesh, por duke ruajtur edhe mjaft elemente kulturore të traditës. Mbi bazën e tyre u formua kultura e vonë ilire. Ajo që e ruajti, e zhvilloi më tej dhe i dha kulturës tipare etnike që popullsia fshatare, edhe pse në gjirin e saj ka ndonjë diferencim që shfaqet në vilat e pasura fshatare të shtruara me mozaikë, sikurse është rasti i vilës së zbuluar në qytetin e Tiranës.

Duhet shtuar edhe një fakt tjetër: në shekullin IV krishterimi filloi të ketë një përhapje më të gjerë në provincat jugore ilire, por ndikimi i tij në popullsinë fshatare mbeti i kufizuar ende për një farë kohe. Qëndresa e përbashkët në kushtet e një pushtimi të gjatë romak farkëtoi në gjirin e popullsisë ilire unitetin.

Nuk është vetëm një unitet i kulturës materiale, por një unitet etnik i vërtetë. Me unitet e me një strukturë shoqërore të formuar ekonomike e kulturore kjo popullsi doli pas shpërbërjes së Perandorisë Romake. Edhe në shekujt V-VI popullsia vendëse është gjithnjë e pranishme, unitare nga përbërja etnike dhe me një kulturë materiale të saj. Si e tillë ajo përballoi presionin gjuhësor e kulturor të Bizantit. Shekujt V e VI shënojnë në historinë e ilirëve të jugut, një periudhë vendimtare: në këtë kohë u krye procesi konvergues i kulturës materiale të tyre, mori impulset një proces tjetër, i cili do të çojë në formimin e popullsisë arbërore, si vazhduese e asaj ilire. Lindja e kulturës ilire është më tërheqëse se fundi i saj. Me rrugën e vështirë e plot zik-zake dhe me fundin e saj kjo kulturë e tundon arkeologun. Por prej saj do të lindë një kulturë e re vendëse, së cilës i takon e ardhmja. Kjo është kultura arbërore.

Kumtesë e lexuar në Kuvendin II të Studimeve Ilire, Tiranë, 1985. Mestitujt janë të Redaksisë