Shtojca për Kulturë

Kosova në UNESCO – obligim për mbrojtjen e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO duhet të shihet si një mjet për ta marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore brenda territorit të saj. Vullneti i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO duhet të vlerësohet si vullnet i anëtarësimit në një organizatë arsimore, shkencore dhe kulturore për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo edhe është natyra e UNESCO-s dhe jo domosdoshmërisht kjo duhet të shihet nga kundërshtarët e kësaj iniciative si puro anëtarësim në një institucion politik.

Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk e ka obligim anëtarësimin në UNESCO, por kjo nuk duhet të shihet si pengesë, pasi ka shtete të cilat nuk janë anëtare të OKB-së dhe janë anëtare të UNESCO-s, siç ka edhe anëtar të OKB-së i cili nuk është anëtar i UNESCO-s. Pra, nga kjo pikëpamje, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO duhet të shihet si vullnet i të gjitha institucioneve dhe shoqërisë kosovare për të kontribuar në mbrojtjen e trashëgimisë botërore, pasi të gjitha vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në territorin e Kosovës kanë një rëndësi të madhe fetare dhe kulturore. Këto monumente renditen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të rrezikuara për shkak të vështirësive në menaxhimin dhe konservimin e tyre, duke pasur parasysh luftën e viteve ‘98-‘99 si dhe vështirësitë politike rajonale.

Nëse Kosova do të pranohej në UNESCO, këto monumente do të konsideroheshin si “Monumente Mesjetare në Kosovë”, pasi, sipas Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (Neni 4), shtetet anëtare kanë për detyrë të sigurojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e vendeve të trashëgimisë botërore në territorin e tyre, duke përdorur kryesisht burimet e tyre, por edhe duke aplikuar ndihmë ndërkombëtare nëse konsiderohet e nevojshme. Pra, Kosova aplikon për anëtarësim në UNESCO për ta marrë plotësisht përgjegjësinë e mbrojtjes së këtyre monumenteve me burimet dhe kapacitete vendore. E këtë e parasheh edhe korniza por edhe legjislacioni i Kosovës, i cili është i harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO duhet të shihet më shumë si anëtarësim në një institucion botëror arsimor, shkencor dhe kulturor, sesa thjesht një mjet politik. Natyra dhe qëllimi i UNESCO-s duhet të respektohet nga të gjithë. Anëtarësimi i Kosovës është një mjet efektiv për mbrojtjen e trashëgimisë botërore dhe prandaj pranimi i Kosovës në UNESCO është zgjedhja më e mirë për t’u siguruar që monumentet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Kosovë të mbrohen dhe të ruhen nën kornizën e UNESCO-s.

Autori është njohës i proceseve integruese