Shtojca për Kulturë

Solidariteti i shqiptarëve ndaj hebrenjve në rrëfime e dokumente

Për dallim nga rajonet e tjera, në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipërinë e vjetër, nuk ekzistonte një klimë antisemite dhe paragjykim racor dhe si rrjedhojë nuk gjeti zbatim as legjislacioni antisemit. Hebrenjtë këtu nuk ishin të detyruar të mbanin shenjat dhe simbolet dalluese. “...kur mbërritëm në Prishtinë, familja Shkurti na priti, ne gjetëm strehim aty. Sa herë gjermanët shfaqeshin në qytet, ata na lajmëronin dhe na fshihnin menjëherë duke na dërguar jashtë qytetit derisa rreziku kalonte, që më pas të ktheheshim sërish në shtëpi”, është vetëm një prej rrëfimeve autentike nga të mbijetuarit. Ndërkaq, të shumta janë dokumentet që i dëshmojnë të bëmat e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenj

Është fakt i pamohueshëm që mbështetet së fundi edhe në aktet arkivore se në Kosovë – ku me dekada shqiptarët që nuk kishin as shtet dhe as institucione nacionale thjesht nuk gëzonin asnjë të drejtë elementare – ishte e natyrshme të ekzistonte një solidaritet dhe gatishmëri kolektive me pjesëtarët e komunitetit hebraik vendor dhe atij që vinte nga territore të ndryshme të Ballkanit, kryesisht nga Serbia, Maqedonia, Kroacia e gjetiu.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur pjesa më e madhe e Kosovës (jugore) u pushtua nga trupat italiane dhe administrohej drejtpërdrejt nga Qeveria e Tiranës, Italia ishte detyruar që pjesën veriore të Kosovës, Mitrovicën, Vuçitërnën dhe Podujevën, t’ia linte protektoratit gjerman të Serbisë. Meqë në territoret shqiptare që kontrolloheshin nga qeveria ekzistonte një klimë pozitive, shumë hebrenj nga Serbia dhe Maqedonia u shpëtuan nga shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shkupit, duke i nxjerrë në drejtim të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që ndodheshin nën okupimin italian. Ndërsa, në pjesën veriore, ku operonin forcat gjermane dhe ato njësiteve çetnike serbe, ndiqeshin në të njëjtën kohë si hebrenjtë, ashtu edhe shqiptarët. “Veriu ishte i rrethuar nga vendet nën pushtimin nazist dhe nuk kishte shpëtim”, shkruan në librin autobiografik nëna e të mbijetuarës, Ita Bartuv.

Për dallim nga rajonet e tjera, në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipërinë e vjetër, nuk ekzistonte një klimë antisemite dhe paragjykim racor dhe si rrjedhojë nuk gjeti zbatim as legjislacioni antisemit. Hebrenjtë këtu nuk ishin të detyruar të mbanin shenjat dhe simbolet dalluese. Ambasadori amerikan në Shqipëri gjatë viteve 1930-33, Herman Berstein, në shkrimet e tij vuri në dukje mungesën e plotë të antisemitizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, pjesa më e madhe e Kosovës dhe e Maqedonisë Perëndimore, si dhe e gjithë hapësirës shqiptare, që ishte nën pushtimin italian dhe administrohej nga Qeveria e Tiranës nuk kishte dy qëndrime të shqiptarëve ndaj hebrenjve, pra një në Shqipëri dhe një tjetër në Kosovë. Pra, pavarësisht pretendimeve të ndonjë studiuesi, problemi i fatit të hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të ndahet prej fatit të hebrenjve në Shqipërinë mbretërore.

Rasti i Aleksandër Moisiut dhe kujtimet autentike

Megjithatë, si kudo tjetër, edhe në vendin tonë kishte raste të izoluara kur pësuan dhe u internuan hebrenj, ashtu siç ndodhi edhe me shqiptarë antifashistë të cilët u dërguan në kampe pune. Por, nuk ishin të rralla rastet kur autoritet lokale shqiptare kundërshtonin kërkesën e nazistëve për dorëzimin e listave të hebrenjve, siç ishte rasti me dy përfaqësues të bashkësisë hebraike, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia. Është i njohur po ashtu rasti i aktorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Aleksandër Moisiu, që konsiderohej se kishte origjinë hebraike, kur shteti shqiptar i akordoi shtetësinë shqiptare kur ai po kërkonte të largohej nga shteti gjerman për shkak përndjekjes nga regjimi nazist.

Është fakt i pamohueshëm se në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, të cilat deri në shpërthimin e luftës botërore ishin viktima të shtypjes dhe përndjekjes brutale serbe, nuk ekzistonte as frymë dhe as legjislacion antisemitist. Ky nivel i tolerancës së lartë ndër shqiptarët ndaj komunitetit hebre sigurisht ishte i determinuar edhe nga sjellja e qeverisë së mbretit Zog, i cili, siç dihet, hebrenjtë i trajtonte me një simpati të madhe dhe më pas edhe të Qeverisë së Tiranës, e cila në kuadër të pushtimit italian administronte edhe pjesën më të madhe të territorit të Kosovë së sotme.

Një ndihmë të madhe për ta kuptuar situatën e hebrenjve në Kosovë gjatë luftës botërore na japin rrëfimet e të mbijetuarve. Yaffa Reuven Nee Bachar, një vogëlushe hebraike e cila me familjen e saj u largua nga Prishtina për në Shkodër qysh në moshën 13-vjeçare, tregon: “...kur mbërritëm në Prishtinë, familja Shkurti na priti, ne gjetëm strehim aty. Sa herë gjermanët shfaqeshin në qytet, ata na lajmëronin dhe na fshihnin menjëherë duke na dërguar jashtë qytetit derisa rreziku kalonte, që më pas të ktheheshim sërish në shtëpi”.

Pa dyshim, fakte të reja dhe mbresëlënëse për mikpritjen e shqiptarëve na sjell edhe libri me memoare i Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi: “My life under the Nazi occupation”, ku përshkruhen përjetimet e familjes së Faraxhit dhe roli i familjes Sylejmani nga Ferizaj në shpëtimin e kësaj familjeje, derisa ajo kishte arritur në destinacionin e shpëtimit.

“Pas disa muajsh jete të qetë, qyteti (Shkupi) papritmas u pushtua nga hebrenjtë serbë në rrugëtimin e tyre për në Kosovë. Kosova jugore ishte e pushtuar nga trupat italiane, duke qenë vend i vetëm ku mund të kërkohej siguri”, shkruan në ditarin e saj Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi.

Kur autoritetet e Prishtinës s’u bindeshin urdhrave për dorëzimin e hebrenjve

Bartja e hebrenjve nga Tetova, Struga, Dibra dhe Kosova për në territorin e Shqipërisë së sotme, ishte mundësuar edhe nga autoritetet lokale shqiptare në Kosovë, të cilat u lëshonin dokumente me identitet të rrejshëm, me qëllim që ata të lëviznin pa telashe në rast të kontrollit të administratës naziste. Shpëtimi i dhjetëra familjeve hebrenjve nga Maqedonia, që kanë kaluar në Kosovë dhe më pas në Shqipëri, ka ndodhur falë guximit të shqiptarëve, të cilët kanë pasur lidhjet farefisnore me pjesën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në këtë mes hyn edhe rasti i familjes së Veli Meliqit nga Hani i Elezit, e cila kishte shpëtuar 17 pjesëtarë të komunitetit hebraik të familjes Frances. Mbështetur në rrëfimin e Johana Jutta Neumann, hebreje nga Hamburgu i Gjermanisë, pasi Jugosllavia ishte pushtuar nga trupat gjermane, gati 200 hebrenj kaluan në Kosovë dhe prej andej kaluan në brendësi të Shqipërisë.

Gjërat u vështirësuan, sidomos pas kapitullimit italian dhe pushtimit gjerman. Tani mundësitë ishin më të kufizuara. Megjithatë, edhe në këto rrethana, në ambientin shqiptar sedra nacionale doli më e fortë se çdo tendencë tjetër për të nxitur çfarëdo antisemitizmi. Vlen të përmendet një dokument i shtetit shqiptar që i referohet një rasti të plaçkitjes së dy hebrenjve në Prishtinë pas pushtimit gjerman, kur autoritet lokale shqiptare nuk pajtoheshin me urdhrat gjermane për dorëzimin e hebrenjve, duke saktësuar se është “vetëm kompetencë e autoriteteve shqiptare për marrjen e ndonjë mase kundra tyre”( Shteti shqiptar/Ministria e Brendshme, Nr. 1277, 24 maj 1944).

Faktet që demantojnë pretendimet e historiografisë komuniste jugosllave

Në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë ekziston një listë me dokumente që hedh poshtë pretendimet e historiografisë komuniste jugosllave se pati përndjekje të hebrenjve në territoret shqiptare. Aty dokumentohet e kundërta, se kjo përndjekje ishte në veri të Kosovës, që i ishte aneksuar Serbisë nga ana e gjermanëve dhe ishte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të gjeneralit serb Nediq, dhe është i njohur fakti se në këtë pjesë hebrenj u përndoqën dhe u dërguan në kampin nazist të Beograd dhe gjetiu.

Ndërkohë që ishin të shumta familjet si ajo Shaul Gattenyo që u shpëtonin trenave të vdekjes falë ndihmës që i ofronin shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Mbështetur në një dokument që ruhet në Arkivin Qendror të Shqipërisë (AQSH), të vitit 1944, Fondi 153, Dosja 172, f.10-28, vërtetohet se vetëm 39 hebrenj ishin dërguar në kampet e punës në Gjermani. Se bëhej fjalë për një listë të manipuluar nga autorët jugosllavë, nga dokumenti në Arkivin Shqiptar në Tiranë dokumentohet se në listën emërore të personave që duhej të shoqëroheshin nga Divizioni SS Skanderbeg, hebrenjtë e strehuar në Shqipëri paraqiteshin me apo pa qëllim si të zhdukur. Edhe studiuesja franceze Claire Lavone e saktëson se prej 530 personave të arrestuar dhe atyre që u dërguan në Berg Belsen, 90 për qind ishin komunistë, partizanë, kundërshtarë politikë shqiptarë, serbë malazezë, maqedonas.

Po sipas dokumenteve të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, të publikuar së fundi edhe nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dëshmohet se shumë familje hebraike të përballura me legjislacionin antisemit të shtetit bullgar arritën të shpëtonin duke kaluar në pjesën e territoreve të banuara me shqiptarë.

Dokumentet false që shpëtonin jetë

Në kohën kur Kosova u pushtua nga ushtria naziste, në territorin e saj kishte hebrenj nga vise të ndryshme të Jugosllavisë, të cilët ishin në rrugë e sipër për t’u vendosur në thellësi të territorit shqiptar. Një prej hebrenjve që i ka mbijetuar Holokaustit duke provuar tri gjendjet – në Serbi, në Kosovë dhe në Shqipëri – ka dëshmuar se shqiptarët e Kosovës i pritën mirë të ardhurit, hebrenjtë jorezidentë.

Mjekët dhe gjykatësit shqiptarë të Kosovës, me qëllim që t’i shpëtonin prej shfarosjes në masë të nazistëve, i dërgonin hebrenjtë në Shqipëri me justifikim për mjekim apo për çështje të tjera. Dokumentet arkivore vërtetojnë se edhe administrata e qytetit të Gjakovës i ndihmoi hebrenjtë, duke lëshuar dokumente false të identitetit. Kjo veprimtari e administratës lokale, duke sfiduar autoritetet pushtuese, nuk mund të kryhej edhe pa mbështetjen e popullatës civile shqiptare në Kosovë. Edhe administrata e qytetit të Prishtinës bëri sa mundi për t’i shpëtuar hebrenjtë, edhe duke zbatuar urdhrat e qeverisë që vinin nga Tirana. Siç e dëshmon studiuesi Harvey Sarner, një rol parësor pozitiv luajti mjeku shqiptar Spiro Lito, drejtor i Spitalit Civil të Prishtinës, që me autoritetin personal arriti ta parandalojë zbatimin e urdhrit të komandës naziste për arrestimin e 60 hebrenjve të ardhur nga rajone të ndryshme të ish-Mbretërisë Jugosllave dhe dërgimin e tyre në një kamp përqendrimi në Poloni. Po ashtu, sipas dokumenteve arkivore, dokumentohet se për tërheqjen e hebrenjve nga Kosova pati bashkëpunuar në rrugë shkresore Qeveria qendrore në Tiranë dhe prefektet shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore.

Shkolla në Berlin me emrin e shqiptarit

Gjashtë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 2014, në Berlin të Gjermanisë, një shkollë fillore mori emrin e shqiptarit Refik Veseli, një heroi i heshtur shqiptar që kishte shpëtuar hebrenj të ardhur brenda territoreve shqiptare nga rajonet e Jugosllavisë së atëhershme.

Sigurisht, shumë familje shqiptare rrezikuan jetët e tyre në përmbushjen e këtij misioni human dhe fisnik të mbrojtjes së jetëve të hebrenjve dhe pikërisht kjo lidhje e ndërtuar në këto ditë të vështira do të përsëritej nga ana tjetër. Gjashtë dekada më vonë, pasardhësit e tyre në diasporë dhe në Izrael do t’u dilnin në ndihmë shqiptarëve në ditët më të vështira të luftës në Kosovë, kur ata u përballën me valën e dëbimeve biblike dhe të papara që nga Lufta e Dytë Botërore. Pa dyshim, përballë vuajtjeve dhe ndjekjes së nazistëve, mikpritja e shqiptarëve ishte një ilaç shërues për shpirtin e pjesëtarëve të komunitetit hebraik. Natyrisht, shqiptarët në Kosovë dhe gjetiu ndihen krenarë se në atdheun e tyre hebrenjtë u ndihmuan, u mbrojtën dhe u shpëtuan. Për më tepër, ky humanizëm, kjo sakrificë dhe ky solidaritet me komunitetin hebraik konfirmojnë kulturën e lashtë të bashkëjetesës ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë. Pavarësisht ndonjë keqinterpretimi, kjo sjellje unike e shqiptarëve të Kosovës ndaj hebrenjve nuk mund të shihet jashtë kontekstit të qëndrimit solidarizues të shqiptarëve të Shqipërisë, meqë këtu është fjala për një popull, për një kulturë, mendësi dhe tradita të njëjta. Prandaj, nuk ishte e rastit që në Kosovë, përkatësisht në shtetin shqiptar, vinin pjesëtarë të komunitetit hebraik nga anë të ndryshme. Ky solidaritet ishte reciprok dhe kishte një traditë të gjatë që nga bashkëjetesa e përbashkët nën administrimin perandorak osman. Shqiptarët ishin ndër të rrallët popuj në Evropë ku paragjykimi fetar dhe urrejtja nuk ekzistonin, mbase pikërisht për faktin se vetë shqiptarët u përkisnin tri besimeve fetare: mysliman, katolik dhe ortodoks. Kjo ka bërë që në Kosovë asnjëherë të mos ketë pasur antisemitizëm të mishëruar në kulturën politike dhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi. Falë këtij angazhimi të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, shumica e hebrenjve të Kosovës mbijetuan nga pushtimi italian dhe ai gjerman, gjë që nuk ndodhi edhe në pjesën veriore të Kosovës, që gjermanët ia kishin bashkangjitur Serbisë, ku nga qyteti i Mitrovicës, të ndihmuar nga serbët, u dërguan rreth 200 hebrenj në kampin nazist të Beogradit dhe gjetiu.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Autori është historian dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare