Arbëri

Fotografi nga tmerret e luftës shpalosen në Prishtinë

Descriptive Text

Qindra fotografi me pamje nga lufta në Kosovë janë ekspozuar sot në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë.

Fotografitë e Asllan Krasniqit paraqesin vuajtjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Këto fotografi janë ekspozuar nga Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta, “Eksodi 99”.

Ekspozita u hap pikërisht në ditën kur po festohet nëntë vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ndërkohë që kanë tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve që kishin dalë për të festuar në sheshet e Prishtinës.

Sipas kryetarit të Shoqatës “Eksodi 99” mesazhi i kësaj ekspozite është që të mos harrohen të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për liri.

Jaha Lluka organizator i kësaj ekspozite tha se kjo është një plagë popullore e vendit për shumë vite dhe për këtë edhe u organizua kjo ekspozitë.

“Ekspozita është marr me një iniciativë të Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, në kuadër të 27 vjetorit të themelimit dhe 9 vjetorin e Pavarësisë, për arsye se kemi zgjedh fotografin e mirënjohur Asllan Krasniqin, i cili i ka përcjell kampet e refugjatëve dhe ka shumë fotografi të të shpërngulurve të mëhershëm. Kjo është një plagë popullore e kombit tonë gjatë shumë viteve dhe kemi deshtë sepse edhe titulli i ekspozitës është ‘Ta luftojmë harresën dhe ikjen’, për arsye se edhe sot kemi shumë ikje nga Kosova të cilat nuk po ndalen fatkeqësisht . Kemi prit që pas Pavarësisë së Kosovës dhe lirisë nga okupatori serb, të mos kemi ikje nga Kosova por të kemi perspektivë dhe zhvillim, fatkeqësisht është se po ndodh e kundërta shumë njerëz po ikin nga Kosova... Është mirë të mos i harrojmë disa gjëra, edhe qytetarët sot thanë që është mirë që çdo javë të publikoni disa përkujtime, sepse po harrojmë sakrificën, të cilën e kanë bërë. Gjithë këtë gjumë e kanë bërë kriminelët serbë që sot janë në pushtet, ndërsa Serbia po mundohet të gjejë kriminelë në Kosovë të cilët kanë luftuar për lirinë e popullit”, tha Lluka.

E autori i këtyre fotografive që ngjallën emocione tek qytetarët-vizitorë tregon se sa ishte e vështirë emocionalisht që të realizohen ato.

“Kjo ekspozitë ka mesazhin e eksodit të vitit 1999 i cili tregon që nuk duhet të harrojmë se çfarë ka ndodh. Shumica e këtyre fotografive janë të realizuar në Kukës të Shqipërisë, dhe ka të tjera që janë në tjera vende, prej Belgjikës, në Turqi, Maqedoni. Vështirësia më e madhe për t’i realizuar këto foto kanë qenë emocionet, kurse ana fizike për mua nuk ka pasur problem dhe ende nuk ka sepse e bëj me pasion punën. Patjetër që duket të kujtohet më shpesh sepse harresa ndikon me një përqindje të madhe”, tha Krasniqi.

Një ekspozitë e njëjtë hapet në mbrëmje edhe në Muzeun e Kosovës.