Arbëri

Familjarët e të pagjeturve kishin pak shpresë në gërmimet që u bënë sot në veri

Një tjetër ekskavator erdhi te ura e Ibrit dhe zona u rrethua me shirita të policisë.

Në vlugun e punëve që po zhvillohen në këtë zonë, nuk u rrënua ndonjë mur, por nisi një tjetër proces i harruar ndër vite.

Gërmimet vlerësuese u nisën nga ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ekspertë të kësaj fushe nga EULEX-i, e ky hap, me gjithë vonesën, u vlerësua si i duhur.

Familjarët e të pagjeturve ngritën shqetësimin se lokacioni ku filluan gërmimet nuk ishin themelet e Xhamisë së Ibrit dhe kishin pak shpresë se ky proces i nisur, do t’u japë përgjigje pritjeve të tyre.

Lokacioni ku u gërmua, nuk dha rezultate dhe nga ajo që i ka thënë Bajram Çerkini KTV-së, në këtë vend nuk do të ketë më gërmime, por mbesin edhe 8 lokacione të tjera të dyshuara, në të cilat duhet punuar pa humbur kohë.

Mbi 130 persona mbesin të pagjetur nga Mitrovica, ndërsa në veri ka lokacione të tjera që dyshohen për varreza masive dhe në të cilat janë gjetur mbetje mortore më herët.