Arbëri

Mustafa: Do të vazhdojmë që me dialog të zgjidhim problemet me fqinjët

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë ceremonisë së vënies së gurëthemelit të të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar në mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare, ka thënë se do të vazhdojë që përmes dialogut të zgjidh problemet me shtetet fqinje.

Mustafa ka vlerësuar se ndonëse dialogu nuk ishte gjithmonë i lehtë, rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes dialogut zgjidhen të gjitha problemet me shtetet fqinje.

“Unë e vlerësoj lart sot vënien e gurëthemelit të vendkalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejt i dialogut që ne kemi zhvilluar për një afat të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë, por po jep rezultate shumë të mira, dhe është një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinj. Unë dëshiroj kësaj radhe të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe t’ju uroj shumë suksese”, ka thënë Mustafa.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, parasheh ndërtimin edhe të pesë pikëkalimeve tjera kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.