Arbëri

Medikamente me vlerë 240 mijë dollarë për QKUK nga Direct Relief

Bashkëpunimi mes Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare Direct Relief, si dhe institucioneve shëndetësore siç janë Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka rezultuar në donacionin e dytë të medikamenteve mjekësore, vlera e të cilave arrin në rreth 240,000 USD, njofton kumtesa, transmeton koha.net.

“Nevoja për medikamente është e përhershme në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor dhe ne konsiderojmë se bashkëpunimi i qëndrueshëm me organizatat ndërkombëtare të dedikuara në përmbushjen e nevojave mjekësore të popullsisë në shtetet në zhvillim është më se e rëndësishme,” ka theksuar Dafina Krasniqi, koordinatore e programeve në fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.”

Ky donacion, i dyti me rradhë i realizuar nga organizata Direct Relief, përmes partnerit vendor Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, falë marrëveshjes së lidhur vitin e kaluar, marrëveshje kjo që siguron dhurimin e materialeve mjekësore në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të sigurojë pranimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, dhe shpërndarjen e donacioneve të pranuara.

Direct Relief është një organizate jo-fitimprurëse, bazuar në SHBA, e cila punon për përmbushjen e nevojave të partnerëve të saj për medikamente esenciale, materiale, dhe pajisje, me fokus të vecantë në shtetet ne zhvillim. Arritja e kontingjentit të dytë në Kosovë u mundësua falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët” në Kosovë dhe “Meet Us Halfway” në Nju Jork.