Sport

Profesionistja e vetme shqiptare kërkon titullin e dytë

Descriptive Text

Boksierja e vetme profesioniste shqiptare - aktive, Fabiana Bytyqi, të shtunën mbrëma në Çeki do të luftojë për titullin e saj të dytë, shkruan sot Koha Ditore.

Fabiana 21-vjeçare do të boksojë për titullin WBO Europe në kategorinë minimale (deri 47.6 kilogramë) kundër ruses Evgeniya Zablotskaya. Për Fabianën do të jetë meçi i dhjetë në boksin profesionist. Ajo ka fituar nëntë meçet e deritashme, tri prej tyre me ndërprerje. Është boksierie e filialit çek të kompanisë së njohur promovuese SES Boxing. Ajo ka fituar më herët titullin WBC, për të reja.

"Kam shikuar video të ruses në 'youtube', por të vitit 2014, pasi nuk ka video më të reja. Mirëpo, kam informata të përafërta për stilin e saj luftarak. Unë jam e përgatitur qind për qind pasi gjatë tërë vitit stërvitem me vëllanë tim Sebastian Bytyqin. Motivojmë njëri-tjetrin dhe mundohemi të përmirësojmë gabimet tona", ka thënë Fabiana të martën për gazetën.

Vëllai i saj Sebastiani po ashtu është boksier profesionist. Sebastiani që bokson në kategorinë gjysmë-velter ka nëntë fitore e një barazim. Ai nuk do të ngjitet në ring në mbrëmjen e së shtunës. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.