Arbëri

Rahoveci shënon 7 Marsin, Ditën e Mësuesit

Në organizim të Drejtorisë së Arsimit, të martën u shënua festa e 7 Marsit-Dita e Mësuesit në Komunën e Rahovecit, ku të pranishëm në këtë organizim ishin kryetari i Komunës, Idriz Vehapi, Vjollca Vuçitërna, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit, drejtor dhe mësimdhënës të shkollave në nivel të Komunës.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në fjalën e rastit uroi të pranishmit për festën e 7 Marsit, duke iu dëshiruar suksese në punën e përditshme.

“Të gjithë e dimë se 7 Marsi është një datë kombëtare e popullit tonë dhe që nga 7 Marsi i vitit 1887, që ka filluar punën shkolla e parë shqipe ku nis arsimi në gjuhën shqipe. Në këtë ditë jo vetëm se festojmë dhe jemi bashkë, por kujtojmë edhe të gjithë ata veteranë të arsimit të të gjitha gjeneratave, të cilët me mundin, sakrificën bënë krejt çka ishte e mundur që populli të arsimohet dhe të barazohet me popujt tjerë”, ka thënë Vehapi.

Ndërkaq, Vjollca Vuçiterna, drejtoreshë e DKA-së, tha se puna edukative dhe arsimore e cila bëhet bashkërisht vështrohet me admirim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet udhëheqëse shtetërore dhe Komunale.

“Të gjithë ne ju gëzohemi sukseseve dhe rezultateve, kure sfidat i përballojmë me angazhim të përbashkët”, tha ajo.

DKA me këtë rast ndau mirënjohje në këto kategori për mësimdhënës të dalluar, mësimdhënës në pension dhe mirënjohje post-mortum.