Arbëri

Thellohet kriza në Maqedoni, afishe kundër gjuhës shqipe

Afishe të tilla janë vendosur në shumicën e shkollave fillore në Maqedoni. Aty shkruan se gjuha maqedonase është gjuha e vetme dhe bëhet thirrje që të bojkotohet mësimi nëse kjo ndryshon, raporton KTV.

Partitë shqiptare, që po përkrahin qeverisjen e Zoran Zaev të LSDM-së, bëjnë thirrje për ulje tensionesh, por thonë që situata mund të keqësohet.

Për Bashkimin Demokratik për Integrim, megjithatë kjo assesi nuk duhet të transmetohet si krizë etnike, sepse thonë se nuk është e tillë.

Partia BESA, që ka dhënë nënshkrimet për mandatarin nga LSDM, thotë se deklarata e përbashkët e partive shqiptare nuk është kundër shtetit, por janë të drejta që u takojnë dhe që do të mbyllnin problemet ndëretnike. LSDM-ja e Zaevit vazhdon ta quajë vendimin e Presidentit si grushtet.

Në një intervistë për KTV-në, sekretari i kësaj partie thotë se shkaqet e Ivanovit për mosdhënie të mandatit janë të pakuptimta. Ai shton se dëshirojnë të ndërtojnë një shoqëri ku të gjithë i kanë të drejtat e barabarta sepse, sipas tij, kjo është çka dëshirojnë edhe qytetarët. Tashmë ka kaluar afati për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen në maj.

Në LSDM nuk janë për zgjedhje lokale, që do të organizoheshin nga struktura, të cilat thonë se janë të kapura nga pushteti kriminal. Deklarata e partive shqiptare, për të cilën u morën vesh në Shkup, u nënshkrua në Tiranë për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve. Prandaj, presidenti Ivanov nuk ia dha mandatin për të qeverisur, duke thënë se ajo u hartua nga Tirana dhe cenon unitetin e Maqedonisë.