Arbëri

Shtatë motrat mësuese nga Zhegra e Gjilanit

Janë shtatë motra dhe të gjitha ushtrojnë profesionin e njëjtë. Të gjitha janë mësimdhënëse, raporton KTV.

Më e madhja prej tyre është Xhemile Haliti, e cila thotë se prej fillimit ishte përkushtuar që të mbërrijë shumë në jetë.

Prej vitit 1998, jep mësim në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit dhe thotë se çdo ditë punon me emocion sikur në ditën e parë.

Por, për të ardhur deri këtu, u desh të punojë shumë, pasi siç thotë, në shtëpinë e tyre nuk mjaftonte vetëm paga e babait për t’u shkolluar 8 fëmijët, shtatë vajzat dhe vëllai i tyre.

Ndërkaq, në Haxhaj të Zhegrës, në paralelen e shkollës “Agim Ramadani”, nxënësve deri në klasën e pestë mësimin ua mban Ismetja, motra e Xhemiles.

Ajo thotë se me shumë vështirësi ekonomike ka arritur të shkollohet, por është falënderuese për atë çfarë kanë bërë prindërit për të.

Motra tjetër, Nevrija, thotë se për asgjë tjetër nuk do ta ndërronte profesionin e saj. Që të tria tregojnë se edhe katër motrat tjera punojnë rregullisht në arsim dhe rrallë takohen.

Por e kanë një ditë të veçantë, 7 Marsin, kur të gjitha së bashku takohen në shtëpinë e nënës dhe përgatisin darkën speciale për këtë festë si dhe urojnë nënën e tyre me rastin e 8 Marsit. Kolegët e tyre e vlerësojnë lart kontributin e këtyre mësueseve.