Arbëri

Të gjitha dështimet e deritashme për formimin e Ushtrisë

Kosova, që nga viti 2014, dështoi disa herë të bëhet me ushtri, raporton KTV.

Projektligji i dorëzuar në Kuvend nga Presidenti Thaçi ishte hartuar vite më parë dhe idenë që ushtria të bëhej me ligj e jo me Kushtetutë ishte propozuar në gushtin e 2015-ës nga Isa Mustafa, por kishte ndërruar mendje pas vizitës së bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtatorin e po atij viti.

Në fakt, Mustafa tha se amerikanët nuk do ta përkrahin krijimin e ushtrisë, nëse për këtë nuk do të pyeteshin edhe serbët.

Përpjekje të tilla u panë edhe në vitin 2016, por me intensitet më të dobët.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se për 2 vjet tentuan t’i bindin serbët që të ulën e të bisedojnë, por nuk ia arritën qëllimit.

Në mesin e shtatorit, Ministria e FSK-së bëri një hap tutje për ta bërë Kosovën me ushtri, e cila e dorëzoi në Kuvendin e Kosovës pakon për ndryshimin e 42 ligjeve, që mundësojnë zgjerimin e misionit të kësaj force, por pakoja mbeti në sirtarët e qeverisë, pasi ajo asnjëherë nuk u procedua tutje.

Serish, mungonin votat e deputetëve serbë.

U tentua edhe më 2017, në një seancë të thirrur nga opozita, nëpërmjet një rezolute të hartuar nga AAK-ja, ku deputetët u munduan që Kosovën ta bënin me ushtri nëpërmjet ligjit, por që vetë Isa Mustafa kishte theksuar se një ide e tillë nuk mund të jetësohet, pasi nuk e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve.