Arbëri

Hoti: Jemi në finalizim të pakos së re fiskale 2.0

Descriptive Text

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë ngjarjes “Dialogu për Investime” i organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, ka thënë se në shtator të vitit të kaluar, ministria që ai drejton ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ përmes të cilit është liruar nga tatimi doganor “Petrol Koksi”, si një prej çështjeve të diskutuara në raundin e parë të Platformës së Dialogut për Investime, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe si kërkesë e vazhdueshme nga komuniteti i bizneseve.

“Bashkërisht me Petrol Koksin ne kemi liruar edhe disa produkte tjera që përdoren në procesin e prodhimit me ç‘rast kemi përmbushur edhe një obligim ndërkombëtar, në kuadër të Komunitetit të Energjisë, anëtare e të cilit është Kosova”, shtoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka adresuar edhe çështjen e evaporimit të naftës dhe si rezultat është përfshirë si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0, ku do të trajtohet njohja e humbjeve edhe për produktet tjera.

Ministri Hoti po ashtu theksoi se Ministria e Financave ka trajtuar edhe formën e tatimimit të kompanive të sigurimeve dhe kjo do të adresohet gjithashtu si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0.

Hoti, me këtë rast prezantoi progresin e arritur në Ministrinë e Financave, ku theksoi se me reformat e pakos së parë fiskale janë bërë përmirësime të shumta në ambientin e të bërit biznes.

Ai gjithashtu theksoi se Ministria e Financave është në finalizim të pakos së re fiskale 2.0, e cila përmban një sërë masash, të cilat kanë ardhur si rezultat i kërkesave të bizneseve, gjatë komunikimeve dhe takimeve të organizuara me ta.

“Këto reforma do të përmirësojnë në masë të madhe ambientin e të bërit biznes”, theksoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.