Kulturë

“Bloodlands”, horrori përballë mentalitetit modern të Shqipërisë

Prishtinë, 21 shkurt - E përditshmja skoceze “Evening Times” ka paralajmëruar festivalin në Glasgow me premierën botërore të horrorit të parë shqiptar. “Bloodlands” do të shfaqet më datën 25 të këtij muaji në kuadër të festivalit më të madh të filmit horror, ku do të jetë pjesë e kategorisë speciale të “FrightFest”, i cili për më shumë se një dekadë bashkëpunon me festivalin “Glasgow Film Festival”.

“Fansat e horrorit këtë javë do të mblidhen në Glasgow për të ndjekur festivalin treditor të filmit, i cili këtë vit thyen rekord me 14 premiera - duke përfshirë horrorin e parë shqiptar”, ka shkruar “Evening Times”.

“Festivali i quajtur ‘FrightFest’, pjesë e ‘Glasgow Film Festival’ do të shfaqë premierën botërore të filmit ‘Bloodlands’, bashkëpunimin e parë në mes të Australisë dhe Shqipërisë, po ashtu edhe një përpjekje e parë e vendeve të Ballkanit për të futur në kinema një film horror”, shkruan e përditshmja skoceze.

Regjisori australian Kastrissios do të bëhet pjesë e festivalit dhe në skenë do të shoqërohet nga pjesëtarët kryesorë të kastës së aktorëve. Në mesin e tyre do të jetë edhe aktorja e njohur kosovare Ilire Vinca, e cila luan rolin e shtrigës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ashtu pra, siç na doli në skenë njeriu që sot u bë president dhe ngjalli frikën dhe neverinë me qëndrimet e tij ndaj grave e refugjatëve duke goditur në plagën e këtij shekulli, duket se edhe unë jam gati për prezantimin tim si ‘shtrigë’ e me vizitu Britaninë e Madhe, në GFF me një rol që megjithatë zgjat aq sa zgjat filmi që është fiksion. Duket që ‘horroret’ që po i përjetojmë botërisht i afrohen zhanrit me të cilin mund ta quajmë art e jo jetë”, ka thënë Vinca.

“Bloodlands”, ani pse është produksioni australian i “Kastlefilms”, kastën e aktorëve e ka shqiptare dhe i tëri do të jetë në gjuhën shqipe. Përveç Vincës luajnë edhe Gëzim Rudi, Suela Baco, Emiljano Palali dhe Alesia Xhemalaj... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

Image