Kronikë

Apeli vërteton dënimet me burg të akuzuarve për vjedhje grabitqare

Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur me ankesat e palëve, në një rast të vjedhjes grabitqare apo grabitjes, që kishte ndodhur në Vragoli të Fushë-Kosovës në vitin 2010, e cila kishte rezultuar me vrasjen e shtetasit R.G, njofton kumtesa nga Apeli, transmeton Koha.net.

Tre të akuzuarve, A.Z., M.K. dhe Sh.D. u janë vërtetuar dënimet me burgim. Të parit 20 vjet, ndërsa dy të tjerëve nga 14.

Lidhur me të akuzuarin Sh.K. gjykata ka vendosur të ndryshoj vetëm vendimin mbi dënim, ashtu që nga 16 vjet burgim sa ishte dënuar në shkallë të parë, kolegji e ka dënuar me 15 vjet e 6 muaj.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e prokurorisë si të pa bazuar, ndërsa atë të përfaqësuesit të palës se dëmtuar e ka hudhur poshtë si të pa lejuar.

Në çështje të tjera aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka mbetur i pa ndryshuar.