Rose McGowan: Arrestimi i Weinsteinit, një arritje e madhe

Rose McGowan: Arrestimi i Weinsteinit, një arritje e madhe

26 maj 2018 18:44

Rose McGowan, një prej akuzueseve të para të Harvey Weinsteinit reagoi pas ngritjes së aktpadisë zyrtare ndaj tij për përdhunim, duke e cilësuar atë “një shuplakë në fytyrën e fuqisë së abuzimit”.

“Kjo është një arritje e madhe, është vërtet e madhe”, tha McGowan për BBC, duke shtuar se “deri përpara disa kohësh, do të ishte e paimagjinueshme të shihje në bankën e të akuzuarve njërin prej njerëzve më të fuqishëm të Hollywoodit”.

Por rastet e abuzimit ishin aq të shumta, sa Weinstein e pati të pamundur t’i mbulonte të gjitha. Lista e pretendimeve për ngacmime e dhunë seksuale përfshin sot plot 85 femra.

Stuhinë që do të rrëzonte producentin e famshëm nga piedestali i paprekshmërisë e nisi Ashley Judd, e para e cituar nga New York Times ndërsa përshkruante në detaje abuzimet e pësuara.

Të tjera do të merrnin zemër nga veprimi i saj e do të bënin përpara me akuza që mbërritën tek përdhunimi siç ishte rasti i Asia Argentos, transmeton tch. “Nëse do të flisja, ai do të më shtypte siç kishte bërë me të tjera përpara meje, prandaj m`u deshën 20 vite që ta them të vërtetën time”, do të pohonte aktorja italiane.

McGowan gjithashtu është përdhunuar nga manjati Hollywoodian, por ndryshe nga Argento ajo u përpoq t’i paralajmëronte njerëzit se kush ishte vërtet ai.

Askush nuk e besoi, ndaj dorëzimi i Weinsteinit në polici dhe lirimi i tij me kusht kundrejt një dorëzanie 1 milionë dollarëshe, ishin moment të cilat 45-vjeçarja i shijoi në maksimum.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme