Princi Charles çon Markle në altar

Princi Charles çon Markle në altar

18 maj 2018 12:30

Princi Charles do të shoqërojë Meghan Markle në altar të shtunën kur ajo të martohet me princin Harry. Lajmi është konfirmuar nga pallati Kensington.

Babai i Markle, Thomas, nuk do të marrë pjesë në ceremoni, pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër. Vetë Meghan publikoi një deklaratë të enjten në të cilën thekson se ajo shpresonte që ai do të kishte mundësinë të fokusohej tek shëndeti, transmeton tch.

“Princi i Wellsit është i nderuar të mirëpresë zonjushën Markle në familjen mbretërore në këtë mënyrë” – shtoi Pallati.

Nëna e Markle, Doria Ragland, do të shoqërojë të bijën drejt kishës së Shën George në Windsor. Ragland do të takohet gjatë ditës edhe me mbretëreshën, në kështjellën Windsor, shoqëruar nga Meghan dhe princi Harry. Ajo është takuar më herët me princin Charles dhe princin William.

Tashmë duket se gjithçka është gati për ditën e madhe dhe ekspertët presion që eventet e së shtunës të ndiqen nga një audiencë botërore prej mbi 2 miliardë shikuesish në Evropë, Amerikë, Afrikë e pjesë të tjera të botës.

Dasma, që mendohet se do të kushtojë rreth 30 milionë sterlina, më shumë se çdo dasmë tjetër mbretërore deri më tani në Britani, është një dhimbje koke për autoritetet e sigurisë dhe protokollin mbretëror.

Ajo do të mbahet në Windsor, në veri të Londrës, dhe e gjithë zona po i nënshtrohet kontrolleve të rrepta të sigurisë. Në ceremoni do të jenë të ftuar nga publiku rreth 2500 të ftuar, ndërkohë në mbrëmjen e dasmës 200 familjarë dhe miq do jenë pjesëmarrës.

Princi Harry është djali i vogël i Princit Charles dhe ish-Princeshës së ndjerë Diana, e cila u nda tragjikisht nga jeta përpara 21 vjetësh gjatë një aksidenti automobilistik ne Paris.

Interesi i publikut britanik, por edhe atij botëror është i tejskajshëm edhe për faktin se çifti mbretëror janë mjaft të admiruar nga publiku edhe për kauzat publike të bamirësisë që ata i kanë për zemër.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme