Showbiz

Lynda Carter bëhet me yll në Hollywood

Me duart e kryqëzuara në gjoks dhe e gatshme për aksion, aktorja e cila dikur e kishte portretizuar heroinën "Wonder Woman" në serinë e famshme televizive, Lynda Carter, të martën më 3 prill u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.

Ky nderim vjen për aktoren e cila ka vite që është larguar nga ekrani, në një kohë kur personazhi që ajo e personifikonte është duke shijuar suksese të mëdha në botë.

66-vjeçarja Carter, u shoqërua në ceremoninë e zbulimit të yllit të saj nga miku i kamotshëm, Shefi Ekzekutiv i CBS-it, Leslie Moonves dhe regjisorja Patty Jenkins, e cila e ka bërë regjinë e filmit të vitit të kaluar, "Wonder Woman."

"Dukej e pamundur, por unë kam më shumë se 50 vjet që jam pjesë e botës së showbizit. Dhe më ka pëlqyer çdo minutë i punës që e kam bërë," tha aktorja dhe ish-Miss Amerika, Lynda Carter, para të pranishmëve në bulevardin e Hollywoodit, të cilët ishin mbledhur për ta festuar zbulimin e yllit të saj.

E pushtuar nga emocionet, Carter nuk ngurroi t’i falënderonte të gjithë miqtë dhe familjarët e saj për përkrahjen ndër vite, si dhe i lavdëroi të gjithë meshkujt që i kanë qëndruar pranë femrave të tyre, në momentet më të vështira, transmeton Express i KTV-së.

Heroina "Wonder Woman" e cila fillimisht debutoi në faqet e librave komik në vitin 1941, dhe më vonë u ekranizua përmes serisë së njohur Amerikane, njihet si inspirim për të gjitha heroinat që sot po e rrëmbejnë qendrën e vëmendjes në Hollywood. "Wonder Woman" u transmetua në kanalet televizive Amerikane për vetëm tri sezone, fillimisht në kanalin ABC dhe pastaj në CBS, ku u shfaq deri në përfundim të saj në vitin 1979. Por, kjo seri së bashku me performancën e Carterit, e kanë bërë personazhin e "Wonder Woman" një simbol të feminizmit për vite të tëra.

Bulevardi i famës në Hollywood administrohet nga Oda Ekonomike e Hollywoodit dhe është një lokacion tejet atraktiv për turistët që e vizitojnë Los Angelesin.