Showbiz

Ukraina ia ndalon hyrjen në vend përfaqësueses së Rusisë në Eurovision

Këngëtarja me aftësi të kufizuara nga Rusia, Yulia Samoylova nuk do të mund ta përfaqësojë vendin e saj në Eurovision, për shkak se Ukraina i ka ndaluar hyrjen në vend.

Shërbimi i sigurisë së Ukrainës, që është vendi ku do të mbahet sivjet Eurovisioni, ia ka ndaluar përfaqësueses së Rusisë hyrjen në vend për tre vjet, raporton Wiwibloggs, transmeton Koha.net.

“Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka ndaluar shtetasen ruse Yulia Samoylova që të hyjë në në Ukrainë për tre vjet. Ky vendim është marr për shkak të informacioneve se ajo kishte shkelur ligjin ukrainas”, ka thënë Olena Hytlianska, zëdhënëse e SBU-së.

Politikani rus, Frants Klintsevich ka thënë se Rusia do të bojkotojë Eurovisionin në të ardhmen nëse organizatorët nuk ndërmarrin ndonjë gjë rreth kësaj çështje, për të mbrojtur këngëtaren, ndërsa ka thënë se kjo është plotësisht e politizuar.

“Nëse udhëheqja e Eurovisionit është e heshtur, atëherë kjo është plotësisht e politizuar dhe e njëanshme”, ka thënë ai.