Showbiz

Skandali i producentit Harvey Weinstein në vëmendjen e analistëve

Descriptive Text

Harvey Weinstein, një nga njerëzit më të fuqishëm të Hollivudit, ka humbur statusin e tij dhe përballet me akuza penale që përfshijnë dekada ngacmimesh të dyshuara seksuale. Studioja e Harvey Weinstein ka prodhuar filma të njohur si Gangs of New York, Pulp Fiction dhe The King's Speech.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti merr në konsideratë nëse biseda rreth ngacmimeve të seksuale po ndryshon në Shtetet e Bashkuara – dhe se si kjo ndikon tek rasti në fjalë.

Harvey Weinstein, la Los Anxhelosin dhe shkoi në një qendër rehabilitimi në Arizonë.

“Duhet të marr ndihmë. Të gjithë bëjmë gabime” , tha ai.

Më shumë se 25 gra e kanë akuzuar Weinstein-in për ngacmime seksuale dhe përdhunim.

Ai themeloi një nga studiot më të suksesshme të Hollivudit. Filmat e tij më të suksesshëm kanë fituar 81 çmime Oscar. Ai ka dhënë fonde për fushatat presidenciale të ish-presidentit Obama dhe Hillary Clinton-it. Por...:

“Unë nuk mendoj se ai mund të përshkruhet si një person i varur nga seksi. Ai është një grabitqar; kjo është ndryshe”, tha aktorja Emma Thompson rreth Weinstein-it.

Lisalyn Jacobs, një konsulente mbi rregullat rreth dhunës seksuale, e kupton pse gratë kanë frikë të raportojnë burrat e fuqishëm.

“Një grua që ankohet mund të etiketohet si një person që nuk shkon mirë me njerëzit, një person i vështirë” thotë zonja Jacobs.

Por, ky qëndrim mund të ndryshojë, thotë Melissa Silverstein, e cila drejton blogun “Women and Hollywood” – “Gratë dhe Hollivudi”:

“Reagimi ka qenë i jashtëzakonshëm”.

Silverstein flet rreth gjigandëve që kanë rënë kur gratë kanë folur hapur.

Aktori Bill Cosby është në pritje të një rigjykimi pasi më shumë se 50 gra e kanë akuzuar për sulme seksuale.

Themeluesi i kanalit televiziv Fox News Roger Ailes dha dorëheqjen pas akuzave të shumta të ngacmimeve seksuale.

Kjo ndodh edhe në sferën politike, por nganjëherë me rezultate të ndryshme. Si ish-presidenti Bill Clinton në vitet ‘90, ashtu edhe presidenti Donald Trump, u akuzuan për sjellje të papërshtatshme seksuale, por mbijetuan politikisht.

Silverstein thotë se gratë nuk mund të rrinë më në heshtje.

“Rasti i Weinstein ka bërë që të flitet hapur rreth çështjes së ngacmimeve seksuale, dhe ne duhet të kujtojmë se Hollivudi është një industri globale. Njerëzit po shohin drejt Hollivudit si një 'qytet progresiv' për të marrë drejtimin për këtë çështje” , thotë ajo.

Disa thonë se burrat, jo gratë, duhet të sjellin ndryshime në çdo industri – me sisteme transparente për punësim dhe me më shumë gra në pozita menaxhimi.