Showbiz

“Express” nga sot me përmbajtje të re

Edhe pak orë na ndajnë nga fillimi me përmbajtje të re i emisionit “Express” të KTV-së.

Në sezonin e tij të pesëmbëdhjetë, emisioni kulturor më jetëgjatë në televizionet kosovare vjen me ndryshime të mëdha përmbajtjesore dhe vizuale.

Emisioni i cili për të gjitha këto vite rresht ka përcjellë ekskluzivisht zhvillimet në kulturën në vend dhe botë e më pas edhe të showbiznesit do ta zgjerojë fushën e interesimit.

“Express” do të shndërrohet në emision të pasdites dhe do të transmetohet çdo ditë punë, nga e hëna në të premte, në orën 16:30. Për dy orë e gjysmë program ky emision do të trajtojë tema nga më të ndryshmet, duke nisur nga ato politike, sociale, kulturore, probleme të ndryshme të qytetarëve dhe gjithçka tjetër që është në interes të tyre.

Edona Bekteshi-Shala, producente e emisionit, ka thënë se në studion e “Expressit”, që do të vijë krejtësisht e rinovuar e me pamje të re, do të zhvillohen edhe debate për temat e caktuara.

“Lajmet e ditës, raportimet direkte nga vendi i ngjarjes, intervista politike dhe jopolitike, do të jenë pjesë e pandashme e këtij emisioni, i cili do të nisë transmetimin së shpejti në KTV”, ka paralajmëruar ajo.

Image

Sipas saj, nuk do të lihet anash as kultura dhe showbiznesi, sukseset e yjeve shqiptare gjithandej botës, e po ashtu edhe shqiptarët që me profesionet e tyre luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës së komunitetit në të cilin jetojnë. Ndërkaq do të paraqitet po ashtu edhe stili i jetesës së qytetarëve të ndryshëm të vendit, përmes rubrikës së caktuar që në fokus ka qytetarin. Pjesa argëtuese nuk ka si të mungojë pasditeve në ekranin e KTV-së.

“Përveç intervistave me të famshëm të ndryshëm, shikuesit do të mundë të jenë afër idhujve të tyre. Po ashtu, sesione të ndryshme ‘live’ do të vijnë të kënduara në studion e emisionit tonë nga këngëtarët më në zë, të cilët shquhen për interpretime fantastike live”, ka shtuar Bekteshi-Shala.

Prezantuesi i emisionit do të jetë Rrap Dreni.