Showbiz

Matoshi: Nuk më kanë munguar sukseset

Aktorja Adriana Matoshi është përzgjedhur si anëtare e Akademisë Europiane të Filmit.

Ajo rrëfen punën që bën dhe vullnetin që ka për të pasur sukses në kinematografinë kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan Shekulli.

Aktorja e talentuar nga Gjilani, Adriana Matoshi, është përzgjedhur anëtare e Akademisë Europiane të Filmit. Interpretimi i saj, në filmat “OK”, “Kthimi” “Babai”, por jo vetëm mesa duket ka qenë një ogur i mirë, që 37-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve, të jetë sot një ndër aktoret më të suksesshme, që flet shqip.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” aktorja Adriana Matoshi rrëfen për përgjegjësinë, që i është shtuar pas përzgjedhjes, si anëtare e Akademisë Europiane të Filmit, për projektet artistike, deri në fundvit, por edhe për lumturinë dhe mbështetjen, që i jep në çdo vendim që merr familja e saj.

Adriana, si ju ka lindur dëshira për të qenë aktore? Ka qenë ëndërr e hershme apo e vonë?

Shtëpia ime ka qenë mbas teatrit dhe kinemasë, në fakt është ende aty, vetëm se kinemaja dhe teatri nuk funksionojnë! Me prindërit kemi parë shumë shfaqje dhe filma, edhe si adoleshente, jam fascinuar gjithmonë nga performancat e aktorëve në skenë dhe sidomos në kinema me projeksione të mëdha!

Ndoshta, gjithmonë kur kam ecur, ose kur kam recituar, ose kur kam bërë një lojë, si fëmijë, kam imagjinuar kamerat dhe publikun përpara meje!

Si e kujtoni sot rolin tuaj të parë te “Ti dhe vetëm ti”?

Tek “Ti vetëm ti”… Isha në klasën e 4-të në fillore kur kam bërë rolin e parë në teatrin e qytetit të Gjilanit. Pastaj kam luajtur “Veroren”. “Ti dhe vetëm ti” ishte pjesë e provimit të aktrimit në Akademinë e Arteve, ku zhvilluam, një shfaqje në Teatrin “Dodona”! Ka qenë kënaqësi e vërtetë!

Kush ju motivon për realizimin e roleve tuaj?

Mami, babi, fëmijët edhe shoqëria që më duan, si Adrianë!

A ka një regjisor, me të cilin keni dëshirë të bashkëpunoni?

Po ka shumë, që i dua shumë edhe më duan, sepse jap shpirtin tim për të arritur, që t’u qasem koncepteve të tyre regjisoriale. Ata më besojnë punën edhe unë u besoj deri në fund. Kam pasur fatin të punoj me regjisorët/et më të mirë në vend!

Sot ju jeni një ndër ato aktore, që keni pasur fatin të jeni pjesë e filmave, që kanë konkurruar në festivale të rëndësishëm botërore, si, “OK”, “Kthimi”, “Babai” etj. Çfarë mund të na tregoni për këtë eksperiencë tuajën?

Mundem të them që jam shumë krenare, e konsideroj veten edhe me shumë fat, që kam pasur rastin të luaj në këta filma të mëdhenj. Kam pasur fatin të tregoj veten, si aktore, para Blerta Zeqirit dhe Visar Morinës. Ndërsa, ata kanë nxjerrë prej meje më të mirën, që mundet të jap një artist. Kam marrë pjesë në festivale të ndryshme, ku edhe jemi shpërblyer, kam njohur regjisorë të huaj e shumë njerëz të famshëm të artit!

Cilat janë pritshmëritë tuaja, si aktore në të ardhmen? Ku dëshironi që të arrini?

Ka shumë premiera filmike, që do të shfaqen sivjet, kam shumë skenarë që po lexoj këtë periudhë dhe disa filma, që do t’i bëj për një kohë të shkurtër. Ndoshta, deri në përfundim të këtij viti, ose vitin e ardhshëm startoj me një projekt shumë të madh!

Prej pak kohësh jeni edhe anëtare e Akademisë Europiane të Filmit. Çfarë rëndësie ka përsa i përket karrierës suaj ky vlerësim?

Kurrë në jetë nuk kam menduar diçka të tillë. Unë vetëm kam bërë punën time, kam punuar ashtu qysh më është kërkuar. Është një kohë të gjatë, që kam krijuar paqe me veten dhe shikoj vetëm përpara; puna, vullneti për jetë edhe pavarësia, kanë reflektuar vetëm pozitivitet tek unë. Sukseset nuk më kanë munguar për asnjë moment! Falënderoj Zotin për shëndetin, edhe falë punës time unë kam arritur aty ku nuk e kisha menduar. Ky është vetëm një motiv, që do të vazhdojë kështu edhe në vazhdim, pa sforcime, por vetëm duke parë punën time!

Tashmë përgjegjësia rritet edhe para publikut?

Puna është përgjegjësi, për mua nuk ka rol të vogël apo të madh, ka rëndësi, si e bëj edhe sa do të ketë sukses. Mundohem nga pak të bëj shumë, që të mbahem mend!

Po me katër fëmijët, si i keni raportet, sa ju kuptojnë gjatë mungesave, që nuk jeni në shtëpi, por duke punuar?

Fëmijët e mi janë motivi kryesor. Ata nuk i kam vetëm fëmijë, por njëkohësisht vëllezër edhe motra, varet prej situatës, ndonjëherë i kam edhe shokë. Sa kanë qenë të vegjël i kam ushqyer me gji edhe i kam përkund. U kam lexuar edhe ju kam kënduar, më shumë për ta kam ndenjur pa gjumë se në gjumë, kur kanë qenë të sëmurë ndonjëherë, kur kanë qarë natën ose janë zgjuar shumë herët. Falë mamit tim, që është krahu im i djathtë, unë jam sot këtu ku jam, po gjithçka e bukur me ta ka qenë përvojë e imja në jetë, që më ka ndihmuar shumë në profesion. Ndjenjat, emocionet, lodhja, dhimbja, depresionet etj., etj., të gjitha këto i kam shfrytëzuar në profesionin tim. Jam shumë e lumtur me ta, edhe krenare për ta!

Dhe së fundmi, cilat janë projektet tuaja për të ardhmen në kinematografi?

Gjithçka që thashë, janë deri në fundvit.

Image

Biografia

Adriana Matoshi (Gjilan, 1980) ka studiuar aktrim në Prishtinë. Në teatër ka interpretuar në role të ndryshëm, si: “Mësimi” i Eugene Ionesco-s, “Trëndafili tatuazh” i Tennessee Williams, “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë etj. Është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, në Greqi Adriana është vlerësuar si aktorja më e mirë, në Prifilmfest, është shpallur fituese e çmimit vjetor, “Filmëbërsja më e mirë” etj. Nuk kanë munguar vlerësimet pozitive për të, as në rolin që luan në serialin televiziv “O sa mirë” me regji të Ilir Boshkit.