Showbiz

De Armas dhe Evans bashkohen në ekran të madh me filmin “Ghosted”

Fama e aktorëve Chris Evans dhe Ana de Armas pritet të rritet edhe më shumë, pas lansimit të filmit të tyre të ri me titull, “Ghosted”.

Yjet e Hollywoodit të cilët publiku i ka parë së bashku në filmat, “Knives Out” dhe “The Gray Man”, janë ribashkuar në ekran të madh me projektin e ardhshëm të regjisorit, Dexter Fletcher, i cili i takon zhanreve romancë, aksion, aventurë dhe komedi.

Duke e lënë pas reputacionin e superheroit, Chris Evans vjen në rolin e një burri të dashuruar marrëzisht pas një agjenteje të fshehtë të CIA-së, e cila vjen e portretizuar nga Ana de Armas.

Aktorja latine e zëvendësoi yllin e kinematografisë, Scarlett Johansson, në rolin e protagonistes së këtij filmi. Ajo po ashtu shërben si producente ekzekutive e projektit, krahas kolegut dhe mikut të saj, Evans.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, De Armas është shndërruar në një prej aktoreve në të kërkuara në Hollywood, pas roleve të suksesshme në filma të mëdhenj si: “Knives Out”, “No Time to Die”, “Blonde” dhe “The Gray Man”. Ajo po ashtu pritet të portretizojë protagonisten në filmin e ardhshëm, “Ballerina”, që është version i ri i filmave të njohur aksion, “John Wick”.

“Ghosted” është një film i ngjashëm me projektin e vitit 1984, “Romancing the Stone”, ku rolet kryesore e luanin Michael Douglas dhe Kathleen Turner. Ai do të jetë në dispozicionin e publikut nga 21 prilli i këtij viti.