Showbiz

James Cameron vendos gjurmët e gjymtyrëve në Hollywood

Regjisori i filmave rekordthyes në arkat filmike “Avatar”, James Cameron, është bërë pjesë e historisë së Hollywoodit përgjithmonë.

Cameron dhe partneri i tij në biznes prej kohësh, njëherësh producenti i njohur, Jon Landau, i vendosën gjurmët e gjymtyrëve të tyre përpara teatrit kinez “TCL” në bulevardin e famës në Hollywood.

“Ky është një moment i pabesueshëm për mua. Edhe unë e kam një histori të ngjashme me atë të Jonit. Kur kam ardhur për herë të parë në Los Angeles ishte viti 1971, isha vetëm 17-vjeçar dhe vendi i parë të cilin doja ta vizitoja ishte ky bulevard. Nuk kisha as patentë shoferi kështu u thash prindërve të mi që të më dërgojnë tek teatri kinez dhe te bulevardi i famës, sepse këto ishin gjërat që e identifikonin Hollywoodin. Atëkohë as nuk e kisha menduar të bëhesha regjisor. Ai vendim erdhi më vonë. Unë isha thjeshtë një adhurues i filmave dhe ky është lokacioni të cilin duhet ta vizitosh. Është një vend ikonik dhe i rëndësishëm për njerëzit anembanë botës, dhe të jesh pjesë e tij përgjithmonë, është vërtetë diçka mahnitëse”, deklaroi regjisori.

“Unë as nuk mund të them se kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet, sepse asnjëherë nuk e kisha ëndërruar një gjë të tillë. Nuk e mendoja fare se ishte diçka e mundur për t’u arritur. Por, fakti se jam këtu sot dhe po e ndaj këtë kujtim dhe moment me familjen dhe motrën time, e cila shumë vjet më parë më pati shoqëruar kur e vizitova këtë bulevard për herë të parë, më bënë të qajë vërtetë nga emocioni”, përfundoi Landau.

Projekti i dyshes, Cameron dhe Landau, “Avatar”, është filmi më fitimprurës në histori. Edhe vazhdimi i dytë i tij, “Avatar: The Way of Water”, ka arritur që brenda 1 muaji të lansimit të bëhet filmi i shtatë më fitimprurës, me arkëtimin e gjithsej 1.7 miliardë dollarëve nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Kjo shifër pritet të rritet gjatë muajve në vazhdim.