Showbiz

U ndanë çmimet “Globi i Artë”

Descriptive Text

Të martën mbrëma u mbajt edicioni i 80-të i ceremonisë “Globi i Artë”, duke e filluar kështu edhe sezonin e shpërblimeve në Hollywood.

Mbrëmja u ndoq nga një numër i madh i yjeve të filmit dhe showbizit, duke ia rikthyer shkëlqimin dhe glamurin kësaj ngjarjeje, që vjetëve të fundit u përball me kritika të shumta për mungesë diversiteti në mesin e të nominuarve dhe fituesve.

Në kategorinë për filmin më të mirë dramë, sivjet triumfoi filmi “The Fabelmans” dhe regjisori i këtij projekti, Steven Spielberg, u nderua me çmimin “Regjisori më i mirë”.

Çmimet “Aktorja dhe aktori më i mirë në dramë” shkuan për yjet, Cate Blanchett për performancën e shkëlqyer ne filmin “Tár”, dhe Austin Butler për rolin e tij në filmin biografik “Elvis”.

“Këtë shpërblim ia kam borxh një regjisori të guximshëm dhe vizionar, i cili më lejoi ta jetojë këtë përvojë, të rrezikoj me rolin dhe duke më mbështetur gjithmonë. Baz Luhrmann, të dua. Po ashtu, çmimin ia dedikoj vetë Elvis Presleyt. Ti ishte një ikonë dhe një rebel i vërtetë”, tha në fund Butler teksa e pranoi çmimin e tij në skenë.

Në kategoritë për komedi, shpërblimi “Filmi më i mirë” shkoi për projektin “The Banshees of Inisherin”. Me ngjarjen që zhvillohet në një ishull të Irlandës, ky projekt e rrëfen historinë e dy miqve të cilët befas ndahen pasi njëri vendos t'i japë fund raportit të tyre. Në rolet protagoniste vijnë aktorët, Colin Farrell dhe Brendan Gleeson. Për këtë rol, Farrell po ashtu arriti të triumfoi në kategorinë “Aktori më i mirë në komedi dhe mjuzikëll”.

“Unë kurrë nuk pres që filmat e mi ta gjejnë publikun e duhur dhe kur kjo ndodhë, ndihem i shokuar. Dua ta falënderoj regjisorin e filmit, Martin McDonagh. Të kam shumë borxh. Ti e ke ndryshuar trajektoren e jetës sime përgjithmonë dhe për këtë do të jem mirënjohës përgjithmonë”, deklaroi aktori para të pranishmëve.

Shpërblimi “Aktorja më e mirë në komedi” shkoi për aktoren aziatike, Michelle Yeoh, për performancën e lartëvlerësuar në filmin “Everything Everywhere All at Once”.

Ndërsa gjatë mbrëmjes, filmi më i mirë në gjuhë të huaj u shpall projekti, “Argentina, 1985”.

Sa i takon kategorive për televizion, në kategorinë për dramë triumfoi seriali, “House of the Dragon”.

Aktori më i mirë në dramë u shpall veterani i kinematografisë, Kevin Costner, për performancën fantastike në serialin “Yellowstone”. Ndërsa, ylli i hollywoodit, Zendaya, u nderua me çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, për rolin e saj në serialit “Euphoria”.

“Seriali më i mirë komedi” u shpall “Abbott Elementary”. Aktorja e këtij projekti, Quinta Brunson, gjithashtu arriti ta fitojë çmimin “Aktorja më e mirë në komedi”, ndërsa “Aktori më i mirë në komedi” u shpall, Jeremy Allen White, për rolin e tij në serialin televiziv “The Bear”.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin yjet: Evan Peters, për rolin në projektin “Monster: The Jeffrey Dahmer Story”, Amanda Seyfried për performancën në “The Dropout”, Julia Garner për serialin “Ozark”, Tyler James Williams për rolin në “Abbott Elementary” dhe të tjerë.

Aktori Tracy Morgan ishte ai i cili e ftoi në skenë komedianin e njohur, Eddie Murphy, të cilin e cilësoi si personin që e kishte inspiruar në karrierën e tij me filma të tillë si, “Harlem Nights” dhe “Beverly Hills Cop”. Pas kësaj, në skenë u shfaq një video-montazh me projektet e Murphyt të realizuara gjatë viteve.

Aktorja Jamie Lee Curtis me të dal në skenë e quajti atë një prej njerëzve më karizmatik me të cilët ka punuar ndonjëherë, si dhe ia prezantoi çmimin special të mbrëmjes që e nderon jetën dhe karrierën e tij, “Cecil B DeMille”.

Murphy u ngjit në skenë i shoqëruar me ovacione të vazhdueshme. Me këtë rast ia kujtoi të pranishmëve se ka 46 vjet që është pjesë e kësaj industrie, si dhe i falënderoi fëmijët dhe agjentin e tij. Fjalimin e përfundoi duke thënë: “Dua t’ua bëjë me dije se nuk ekziston një formulë e saktë të cilën mund ta ndiqni për të arritur sukses, prosperitet dhe qetësi në mendjen tuaj. Por, është shumë e thjeshtë. Janë tri gjëra që duhet t’i bëni patjetër: paguani taksat, shikoni punët tuaja dhe mbajeni larg gojës emrin e gruas së Will Smithit”, deklaroi aktori duke bërë shaka.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Globi i Artë” zuri vend në hotelin “Beverly Hilton” në Los Angeles, aty ku ikona e muzikës Whitney Houston u gjet e vdekur në vitin 2012.

{gallery}