Showbiz

“Insomnia” rikthehet në majë të toplistave pas vdekjes së Maxi Jazzit

Descriptive Text

Kënga e grupit “Faithless” e lansuar në vitin 1995, “Insomnia”, ka arritur të ripozicionohet në top-dhjetëshen e toplistës muzikore të 100 këngëve më të mira, “Beatport”, vetëm disa javë pas vdekjes së vokalistit të kamotshëm të grupit, Maxi Jazz.

Version remix i këngës, aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë në ueb faqen e kësaj topliste. Kurse një javë pas vdekjes së Jazzit, kënga ishte renditur e katërta. Ngritje të dukshme në pozitë ka pësuar edhe hiti tjetër i grupit, “Forever Faithless”, i lansuar në vitin 2005.

Maxi Jazz, emri i vërtetë i së cilit ishte Maxwell Fraser, vdiq më 23 dhjetor të vitit të kaluar në moshën 65-vjeçare. Ai shërbeu si vokalist i grupit të muzikës elektronike “Faithless” nga themelimi i tij. Bendi ishte pjesë e industrisë nga viti 1995 deri më 2011, dhe gjithsej i realizoi gashtë albume të incizuara të studio.

Në vitin 2015 grupi u ribashkuar por Jazzi vendosi të largohet sërish, vetëm një vit më vonë. Dy anëtarët tjerë, Rollo Armstrong dhe Ayalah “Sister Bliss” Bentovim, e vazhduan rrugëtimin e “Faithless” pa të, duke e lansuar albumin “All Blessed” në vitin 2020, sigurisht me aprovimin e Jazzit.

“Insomnia” ishte kënga e dytë e lansuar nga grupi dhe u shndërrua në këngën karakterizuese të tyre. E shndërruar në një hit ndërkombëtarë, ajo i kryesoi toplistat muzikore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Suedisë, si dhe listat e përgjithshme të këngëve në Finlandë, Norvegji dhe Zvicër. Kënga po ashtu e arriti kulmin e suksesit duke u pozicionuar në majë të toplistave në shtete të tilla si, Britani e Madhe, Irlandë, Islandë, Belgjikë, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Austri dhe Skoci.