Showbiz

Kanye West e humb statusin e miliarderit 

Sipas revistës “Forbes”, reperi i njohur amerikan Kanye West nuk është më miliarder. Ata kanë raportuar se reperi e ka humbur pozitën në listën e miliarderëve të botës, kjo pasi kompania “Adidas” e shkëputi bashkëpunimin me të si pasojë e komenteve të fundit antisemitike. 

Kompania e atleteve dhe veshjeve sportive kishte deklaruar në fillim të këtij muaji, se bashkëpunimi i tyre me Ye ishte “nën shqyrtim”. Gjithçka po ndodhë si pasojë e komenteve të reperit në një episod të podcastit “Drink Champs”, ku tha se pavarësisht deklaratave të tij antisemitike, “Adidasi” nuk mund ta shkëpusë bashkëpunimin me të.

Sipas revistës e cila publikon të dhënat financiare të njerëzve më të pasur të botës, partneriteti disavjeçar i Westit me këtë kompani është vlerësuar me 1.5 miliardë dollarë, dhe pa këto të ardhura, pasuria e reperit bie në vetëm 400 milionë dollarë. 

Megjithatë, ylli kontrovers ka gjasa ta kundërshtojë vlerësimin e “Forbesit” për vlerën e pasurisë së tij neto, ashtu siç ka bërë në të kaluarën. 

“Pasuria ime nuk është 1 miliard dollarë. Është 3.3 miliardë. Po e sqaroj këtë pasi askush në revistën ‘Forbes’ nuk di të numëroj”, kishte shkruar Kanye në reagimin e tij në vitin 2020.

Sipas raportimit nga “Forbes”, ajo që mbetet nga perandoria financiare e Kanyes, pas humbjes së marrëveshjes së tij me markën “Adidas”, rrjedh nga pasuria e paluajtshme, para të gatshme, katalogu i tij muzikor dhe 5 për qind e aksioneve në kompaninë e ish-bashkëshortes Kim Kardashian, “Skims”. 

Brendet tjera që e kanë shkëputur bashkëpunimin me reperin amerikan si pasojë e komenteve të tij antisemitike janë, “Balenciaga”, produksioni “MRC” dhe agjencia “Creative Artists”. Edhe kompania “Gap” ka filluar t’i largojë produktet “Yeezy” nga dyqanet dhe prodhimi, si dhe e ka mbyllur dyqanin online të Westit, “Yeezy Gap”.