Showbiz

Pas Instagramit, edhe Twitteri ia bën bllok Kanye Westit

Sarah Silverman, Jamie Lee Curtis dhe Michael Rapaport janë ndër personalitetet e Hollywoodit që reaguan ndaj postimeve të fundit të Kanye Wesit në Twitter dhe të cilat po konsiderohen fyese dhe antisematike.

Në njërin prej mesazheve të reperit, tashmë të larguara nga Twitteri, aktorja Lamie Lee Curtis iu drejtua atij duke thënë: “Dita më e shenjtë për hebrenjtë ishte javën e kaluar. Fjalët kanë rëndësi. Mos harro që një kërcënim ndaj çifutëve, dikur përfundoi me gjenocid. Ti je baba. Të lutem ndalo me këto mesazhe lënduese”.

 

Komediania Sarah Silverman reagoi për atë se si njerëzit jashtë komunitetit hebraik po heshtin karshi mesazheve të papërshtatshme dhe kërcënuese të Westit.

“Kanye i kërcënoi hebrenjtë dje dhe ky lajm as nuk arriti të bëhet trend në mediat sociale. Pse në përgjithësi vetëm çifutët e ngrenë zërin kundër urrejtjes ndaj komunitetit të hebrenjve? Heshtja është shumë e zhurmshme”, shkroi Silverman.

 

Aktori dhe komediani Michael Rapaport iu drejtua mbrojtjeve të tij të mëparshme ndaj Westit, gjatë grindjes së tij publike me Pete Davidsonin, ndërsa e quajti reperin një “njeri të çuditshëm”.

Aleanca e hebrenjve afrikano-amerikan në botën e showbizit po ashtu i denoncoi komentet e reperit Ye, duke i klasifikuar ato si lënduese, ofenduese dhe të gabuara.

“Fjalët e tij përjetësojnë stereotipat që kanë qenë baza e diskriminimit dhe dhunës ndaj hebrenjve për mijëra vjet. Ato deklarata i dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të afrikano-amerikanëve dhe hebrenjve. Këto komunitete duhet të qëndrojnë të bashkuara gjatë incidenteve si ky, për ta bërë të qartë se shpërndarja e stereotipave të urrejtjes është e papranueshme dhe se fjalët e një artisti nuk pasqyrojnë pikëpamjet e një komuniteti të tërë”.

Komentet e fundit të Kanyes, të cilit po ashtu i është bllokuar llogaria në Instagram, bënë që Twitteri t’i largojë mesazhet e reperit për shkak të shkeljes së rregullave të platformës.

Sipas rregullave të Twitterit, ndjellja e urrejtjes ose promovimi i dhunës, kërcënimet dhe ngacmimet e njerëzve të tjerë në bazë të disa faktorëve të lidhur me identitetin, duke përfshirë racën, përkatësinë etnike, origjinën kombëtare dhe përkatësinë fetare janë rreptësishtë të ndaluar.