Showbiz

Ylli rus i Eurovisionit kritikohet ashpër për kundërshtimin e luftës në Ukrainë

Këngëtarja që përfaqësoi Rusinë në Eurovisionin 2021 është bërë cak i një fushate bullizuese për shkak të kundërshtimit të saj ndaj luftës në Ukrainë.

Manizha Sangin ka qenë kritike e hapur e luftës, duke e quajtur “konflikt vëllazëror” që shkon “kundër dëshirës” së popullit rus, raportoi BBC.

Tani, një fushatë në internet po përpiqet ta fusë në listë të zezë yllin në Rusi.

Shumë nga koncertet e saj këtë verë janë anuluar pasi ishin publikuar detajet nga organizatorët.

“Ajo, ekipi i saj dhe promovuesit morën shumë kërcënime”, tha zëdhënësi i Sanginit.

Një mesazh i shpërndarë në Telegram përfshin numrin e telefonit dhe adresat e organizatorëve të një prej festivaleve. Nxit njerëzit të shkruajnë dhe të kërkojnë “anulimin e performancës së Manizhas”, duke thënë se ajo kundërshton ushtrinë ruse.

“Më e rëndësishmja, jini të kujdesshëm dhe jo ofendues. Është e rëndësishme se janë shumë kërkesa, kështu që shpërndani fjalën”, thuhet në mesazh.

Kundërshtimi i këngëtares për luftën vjen kryesisht nga eksperiencat e saj të fëmijërisë kur kishte ikur nga lufta civile në Taxhikistan. “Kur sheh këto tragjedi nga brenda, pozicioni yt është i qartë: Asnjëherë nuk do që kjo t’i ndodhë dikujt tjetër asnjëherë”, ka thënë Sangin.