Showbiz

Rita Ora ndihet e bekuar teksa e shënon 10-vjetorin e albumit debutues

Descriptive Text

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ndihet e bekuar dhe falënderuese për përkrahjen që e ka marrë gjithmonë nga fansat dhe industria e muzikës, për të qenë 100 për qind vetvetja.

Të martën (23 gusht), ylli i hitit “Anywhere” e shënoi 10-vjetorin e lansimit të albumit debutues, “ORA”, dhe e pranoi se ndihet me fat që ka rastin që çdo ditë ta bëjë punën që e dashuron.

Kur shikon prapa në dekadën e fundit të jetës së saj, Rita thotë se ende i duket surreale që pati rastin të performojë në Vatican dhe për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

“10 vjet nga lansimi i albumit tim të parë. Wow, koha fluturon shpejtë. Jam shumë mirënjohëse për gjithçka që më ka ndodhur nga viti 2012, kur debutova në skenë. Për të gjithë adhuruesit anembanë botës dhe kujtimet e mahnitshme që i kam krijuar. Kur isha e vogël, e gjithë kjo më dukej vetëm një ëndërr. Dhe shikoni sa shumë kemi arritur për këto dhjetë vjet. Ky është vetëm fillimi. Albumi im i tretë i incizuar në studio është duke ardhur. Gjithçka që kam bërë deri më tani ta qenë nga zemra, përfshirë dhe këtë kapitull të ri të jetës sime”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj të fundit në Instagram.

Gjatë një interviste të fundit, Ora ka deklaruar se nuk do ta ndryshonte asnjë gjë nga albumi debutues, i cili i pushtoi toplistat muzikore me t’u lansuar në tregun muzikor.

“Jo, nuk do t’i ofroja ndonjë këshillë vetes sime në moshë të re, sepse nuk do të doja të ndryshoja asgjë. Gjithçka ka ndodhur ashtu siç kemi dashur”.

Ylli 31-vjeçar i muzikës pop, e cila së fundmi u martua me regjisorin Taika Waititi, është krenare që gjatë karrierës së saj ka pasur mundësi të punojë me producentë dhe tekstshkrues nga Britania e Madhe dhe mbarë globi, për ta krijuar albumin e duhur dhe të përkryer për të.

“Kujtimi më i mirë nga ajo periudhë mbetet puna me njerëz aq të talentuar. Kisha rastin të bashkëpunoja me producentë dhe tekstshkrues britanikë dhe nga e mbarë bota, për ta krijuar një album që ishte i përkryer për mua. Incizimi i këngëve me njerëz të cilët sot i konsideroj familje, ishte një eksperiencë emocionuese dhe shumë e veçantë. Ata ishin një pjesë e madhe e krijimit të albumit, i cili nuk do të kishte qenë njësoj pa ta”, deklaroi Rita.

Disa prej bashkëpunëtorëve të këngëtares në realizimin e albumit “ORA” ishin: will.i.am, The-Dream, The Runners, The Monarch, Stargate, Saul Milton, Will Kennard, Greg Kurstin, Jules De Martino dhe Diplo.

Rita u bë e famshme ndërkombëtarisht në vitin 2012, me ta lansuar hitin e padiskutueshëm “Hot Roght Now”, të cilin e solli në bashkëpunim me DJ Fresh. Albumin e dytë të incizuar në studio, “Phoenix”, e publikoi në vitin 2018 kurse aktualisht është duke punuar në realizimin e albumit të tretë muzikor.

Disa prej hiteve më të njohura të Orës janë: “I Will Never Let You Down”, “How We Do”, “R.I.P”, “Shine Ya Light”, “Body On Me”, “Poison”, “How To Be Lonely”, “Anywhere”, “For You”, “Let You Love Me” dhe të tjerë.