Showbiz

Shakira shumë e zemëruar me Gerard Piquén

Ylli kolumbian i muzikës, Shakira, është jashtëzakonisht e zemëruar me ish-partnerin, Gerard Pique, pasi ky i fundit u fotografua në përqafimin e të dashurës së tij 12 vjet më të re në moshë.

Këngëtarja 45-vjeçare u nda nga futbollisti i Barcelonës në qershor të këtij viti, por thuhet se është shumë e zemëruar për faktin se ai e ka shkelur marrëveshjen e tyre, për t’i mbajtur lidhjet romantike larg syrit të publikut për një vit.

Menjëherë pas ndarjes, Pique e ka vazhduar jetën lehtësisht duke krijuar lidhje me studenten 23-vjeçare, Clara Chia Marti, e cila po ashtu punon për të. Çifti i ri u spikat së fundmi në festivalin, “Summerfest Cerdanya”, në Catalonia.

{gallery}

Familja e Shakirës ka bërë të ditur se ajo është tërbuar nga inati kur i ka parë fotografitë, në të cilat babai i dy fëmijëve të saj shihet duke u puthur në publik me të dashurën e tij të re, shkruan portali spanjoll për të famshëm “Socialite”. Sipas këtij burimi, ish-çifti ishte pajtuar që të mos t’i bënin publike lidhjet dhe partnerët e ri, pa kaluar një vit nga ndarja, prandaj fotografitë e publikuara së fundmi e kanë lënduar shumë Shakiran.

Clara Chia besohet se e ka takuar futbollistin e famshëm teksa ishte duke punuar në një ngjarje të organizuar në kompaninë e tij, “Kosmos”, dhe burime të ndryshme thonë se ata kanë ca kohë që takohen me njëri-tjetrin. Megjithëse janë munduar ta mbajnë lidhjen të fshehtë, miqtë e afërt të Piques kanë qenë në njohuri për këtë romancë.

Shakira e filloi lidhjen me Gerardin në vitin 2010, kur ai mori pjesë në videoklipin e këngës së saj, “Waka Waka”. Për më shumë se një dekadë ata kanë qenë një ndër çiftet më të dashura për publikun, duke reflektuar shumë dashuri në çdo paraqitje publike dhe duke treguar përkrahje të jashtëzakonshme për profesionin e njëri-tjetrit. Së bashku i kanë dy djem, Milan dhe Sasha.

Çifti është pajtuar ta ndajë kujdestarinë e fëmijëve, por nuk e ka zbuluar arsyen e ndarjes.

Ylli i hitit “Hips Don’t Lie” po ashtu është duke u përballur me disa probleme ligjore. Ajo rrezikon të dënohet me tetë vjet burgim nëse shpallet fajtore për evazion fiskal. Shakira është paditur nga shteti spanjoll për mospagimin e taksave në vlerë prej 14.5 milionë eurosh, gjatë periudhës 2012-2014 kur kishte jetuar në Spanjë.

Këngëtarja kolumbiane vazhdon t’i mohoj akuzat ndaj saj dhe ka zgjedhur që ta dërgojë rastin në gjykatë, në vend se ta pranojë marrëveshjen e ofruar nga prokurorët spanjoll.