Showbiz

Paraqitja e parë publike e çiftit, Will dhe Jada Pinkett Smith

Aktorët, Will Smith dhe Jada Pinkett Smith, janë fotografuar për herë të parë në publik, nga skandali i ceremonisë “Oscar” kur Smith e goditi me shuplakë në fytyrë komedianin, Chris Rock, kjo ngase ky i fundit bëri shaka në emër të gruas së tij.

Çifti që dukej në disponim të mirë, u spikat nga paparacët të shtunën në Malibu, teksa ecnin dorë për dorë drejt restorantit shumë të frekuentuar nga të famshmit, “Nobu”. Will madje nuk ngurroi t’i përshëndesë njerëzit e mbledhur në anën tjetër të rrugës, raportoi të hënën portali “Page Six”.

Paraqitja e fundit e aktorëve në publik vjen disa javë pasi fituesi i çmimit “Oscar”, Smith, e publikoi një video përmes së cilës edhe një herë kërkoi falje për veprimin e tij shokues, kur e goditi Chris Rockun me shuplakë në fytyrë. Ky i fundit e bëri një shaka për kokën e rruar të aktores, Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga humbja e flokëve si pasojë e çrregullimit të quajtur alopecia.

“Unë e kam kontaktuar Chrisin, dhe mesazhi që e pranova nga njerëzit e tij ishte se ai nuk ndihet i gatshëm të bisedojë me mua. Por kur të jetë gati, e di që do të me kontaktojë. Chris, dua të të them edhe një herë, më fal për veprimin që e bëra. Sjellja ime ishte e papranueshme dhe unë jam këtu, kurdo që je i gatshëm për të biseduar”, deklaroi Smith në videon e postuar në Youtube.

Komediani Chris Rock ende nuk ka folur publikisht rreth kësaj situate, por në njërën prej performancave të tij në skenë, ai i tha disa fjalë të shkurtra përmes së cilave e krahasoi aktorin me ish-drejtorin ekzekutiv të studios incizuese “Death Row Records”, Suge Knight, i cili shquhet për karakterin gjaknxehtë.

“Çdo kush po provon të jetë viktimë. Por nëse të gjithë thonë se janë viktimë e një ngjarjeje të caktuar, atëherë askush nuk do të ketë rastin t’i dëgjojë viktimat e vërteta. Unë kur u godita nga Suge Smith, të nesërmen u zgjova dhe shkova në punë. Kam fëmijët për të cilët duhet të mendoj. Çdokush që thotë se fjalët dhëmbin, sigurisht nuk është goditur kurrë me shuplakë në fytyrë”, deklaroi 57-vjeçari Rock, në shoun e tij në Atlanta.

Adhuruesit e Will Smithit nuk do të ketë mundësi ta shohin ndonjë film të ri nga ai, të paktën deri në vitin 2023. Lansimi i projekti të fundit kinematografik të aktorit, “Emancipation”, është shtyrë për një vit, kjo për shkak të skandalit në ceremoninë “Oscar”, që bëri që publiku të ketë reagime të përziera rreth situatës që kishte ndodhur në muajin mars.

{gallery}